in

Majko: “T’u japim emigrantëve atë që u takon, përfshirë votën. Është sfidë por do t’ia dalim”

Intervistë me Ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko

 

“Shtetasit shqiptarë që jetojnë në Itali ia kanë arritur që të bëhen pjesë e shoqërisë italiane. Ata janë gjithashtu shembulli më pozitiv i integrimit të suksesshëm të migrantëve shqiptarë në vendet pritëse. Konferenca e mbajtur në Romë që u fokusua pikërisht tek rrugëtimi i këtij komuniteti nga emigrimi e deri tek integrimi, ishte një iniciativë për t’u përgëzuar. Ndihem mirë që isha pjesë e kësaj konference e cila theksoi kontributet e diasporës shqiptare në Itali, e ku u prekën çështje e problematika që shqetësojnë komunitetin tonë atje”. Me këto fjalë që theksoi edhe gjatë konferencës “Rrugëtimi shqiptar, nga emigracioni në Itali te integrimi evropian”, nis Ministri i Shtetit për Diasporën, zoti Pandeli Majko, një intervistë të shkurtër dhënë Shqiptarit të Italisë. I kërkuam disa detaje nga puna e tij, i shprehëm shqetësimet tona për zhvillimet e politikës shqiptare në lidhje me atë pjesë të shqiptarëve që mbulon si Ministër Shteti e që sipas tij janë rreth gjysma e popullsisë.

Shqiptari i Italisë: Cili është mendimi që keni krijuar për bashkësinë shqiptare në Itali përgjatë 4 muajve të mandatit tuaj? Vëreni tek ta dëshirë bashkëpunimi me Shqipërinë apo perceptoni një ndjenjë braktisjeje?

Ministri Majko: Gjatë takimeve të zhvilluara me përfaqësues të diasporës shqiptare në Itali, pashë nga afër përpjekjet dhe dëshirën e tyre për të mbajtur gjallë identitetin shqiptar e për të krijuar ura lidhëse me atdheun. Diaspora e hershme arbëreshe ishte një shembull ndriçues. Përfaqësuesit e saj, edhe pas kaq shumë kohësh, ndihen të lidhur me rrënjët e tyre. Pata mundësinë të takoja profesionistë të fushave të ndryshme brenda këtij komuniteti, të cilët kishin gjetur mënyrat për të mbështetur apo për të bashkëpunuar me Shqipërinë edhe atëherë kur ishte gati e pamundur. Ky vullnet ekziston edhe tek emigrantët e rinj dhe thjesht nevojitet koordinim më i madh. Ne po punojmë për të rritur koordinimin tek shqiptarët jashtë vendit e për t’u ofruar atyre garanci më të forta. Puna ime si Ministër për Diasporën do të quhet e suksesshme kur të jenë krijuar të gjitha kushtet për bashkëpunime të frytshme me shqiptarët jashtë vendit e veçanërisht me diasporën në Itali, si një prej më të rëndësishmeve në botë.

Në këtë konferencë u fol edhe për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Mendoni se diaspora ka ndonjë rol në këtë rrugëtim?

Absolutisht po. Shqiptarët e suksesshëm jashtë vendit janë edhe ambasadorët më të mirë të Shqipërisë. Si bartës të demokracive e mentaliteteve në vendet ku kanë jetuar ata janë një faktor kyç në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe Perëndimit. Çdo koment tjetër është i tepërt.

A po mendohet për planet e reintegrimit të të kthyerve nga jashtë? Kemi shfletuar “Strategjinë kombëtare 2018 – 2024” të dikasterit tuaj dhe na ka tërhequr vëmendjen ambicja për “rikthimin e trurit”. A ka nisur të mendohet për programet e shkëmbimit të eksperiencave të studentëve ose akademikëve me vendet e treta?

Resurset njerëzore të Shqipërisë jashtë vendit janë të mëdha e të paeksploruara. Gjysma jonë jeton përtej kufijve e pjesë e saj janë artistë, intelektualë e biznesmenë të cilët deri më tani ne nuk i kemi konsideruar sa duhet. Në bashkëpunim me qeverinë po punojmë për të mundësuar një ambient sa më të favorshëm që ata të ofrojnë kontributin e tyre për vendlindjen e që të angazhohen më shumë në jetën politike e ekonomike të Shqipërisë. Në këtë fushë duhet të pranoj se nuk kemi shumë eksperiencë por kemi filluar të ndërtojmë një strukturë mbështetëse që do të mundësoje një trajtim shumë më të mirë të profesionistëve të diasporës. Në takimet me autoritetet italiane ne diskutuam edhe për projekte konkrete sa i përket shkëmbimit të eksperiencave mes studentëve dhe akademikëve. Është folur mbi mundësinë e hapjes së shkollave verore e gjithashtu për iniciativa të tjera të ngjashme.

Në fjalimin tuaj të parë në Parlament si ministër ju folët për pajisjen e shtetit me një fond për të sapokthyerit, fond i përmendur edhe në programin e qeverisë. Jemi kureshtarë të dimë: a janë lëvruar fondet për këtë vit dhe sa janë ato?

Tek paraja “fle shejtani” thoshte gjyshja ime. E kemi filluar nga zero në kuptimin më të parë të kësaj fjale dhe tek unë “pakënaqësia” me statuskuonë është standard pune.

Ju dëgjuam me kënaqësi në dhjetor e janar këtu në Romë të përsërisni rëndësinë e të drejtës së votës. Në këtë aspekt, në tryezën e rrumbullakët “Votimi i shtetasve shqiptarë jashtë vendit” u vu sërish theksi në rëndësinë parësore të regjistrimit. Keni propozuar që të bëhet nga kompania që përgatit pasaportat. E në këtë pikë pikëpyetjet janë të shumta: Është parashikuar ndonjë buxhet i posaçëm për këtë proces apo do të paguajnë vetë emigrantët (përmes rritjes së tarifës)? E kush nuk përtërin pasaportën, nuk regjistrohet e për rrjedhojë nuk voton? Pse nuk angazhohen drejtpërdrejt zyrat konsullore për mbledhjen e informacionit rreth vendqëndrimit? Pse nuk parashikohet një faqe online në portalin E-Albania, apo të ministrisë së Jashtme apo të Diasporës ku kush dëshiron të bëjë vetë regjistrimin?

Kam marrë iniciativën e propozimit të projektvendimit për regjistrimin e shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Ky projektvendim parashikon regjistrimin e të dhënave të shtetasve shqiptarë të cilët jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë, në momentin që ata do të paraqiten për t’u pajisur me ID ose me pasaportë biometrike ose për të rinovuar këto dokumente, qoftë në zyrat përkatëse në Shqipëri ashtu edhe në konsullatat respektive. Kjo procedurë është projektuar pa kosto. Ndërkaq, qytetarët e tjerë të cilët nuk do të duhet të bëjnë një aplikim të tillë, do të jenë zbatues të ligjit 14/2016 për “Identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë”. Ai parashikon që shtetasit shqiptarë të cilët jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, duhet të bëjnë regjistrimin nëpërmjet vetë deklarimit on-line dhe nga autoritetet përgjegjëse, të përcaktuara në nenin 4 të këtij ligji.

Së fundi, para nja një muaji u bë bilanci i 100 ditëve të para të qeverisë Rama2. Ç’është bërë për emigrantët gjatë këtyre ditëve e ç’mendoni se do të arrihet gjatë këtij mandati? Apo më mirë, me realizimin e cilave objektivave do të konsideronit të kënaqshëm apo të suksesshëm mandatin tuaj?

Jemi vonuar shumë sa i përket diasporës dhe qëllimi im nuk është të qahem. Për këtë arsye nuk dua të ndalem tek fjalët e premtimet boshe por tek veprimet. Në 120 ditë është krijuar Nënkomisioni për Diasporën dhe Migracionin dhe Komiteti Shtetëror për Diasporën i cili drejtohet nga Kryeministri. Gjithashtu, me ligj të vecantë u krijua Agjencia Kombëtare e Diasporës që synon zhvillimin dhe konsolidimin e bashkëpunimit institucional me diasporën.
Në kuvend aktualisht është në programin e diskutimit Projektligji për Diasporën, që do të rregullojë shtyllat kryesore të organizimit të marrëdhënies së shtetit shqiptar me diasporën e tij.
Qëllimi ynë është t’i japim gjysmës sonë jashtë vendit atë që i takon, përfshirë të drejtën e votës. Është sfidë por do t’ia dalim. Nuk kemi alternativë tjetër veç ripohimit të asaj që jemi dhe ku jemi. Kombi nuk është sipërfaqe toke. Është më shumë.

Gjergji Kajana/Shqiptari i Italisë

 

Giorgio Castriota Scanderbeg, baluardo della civiltà europea

Una giovane albanese candidata alle regionali lombarde