in

Manovra ekonomike e Legës? Kundër imigrantëve

Paketë amendamentesh për të hequr bashkimin familjar, për të ngritur taksat për kërkesat e shtetësisë, për përtëritjet e lejes së qëndrimit, dhe punëdhënësit, për të dëbuar të papunët. Por në fund kalon vetëm një amendament, ai që ka të bëjë me llogaritjen e treguesit Isee, për të cilin do të merren parasysh edhe pronat në atdhe, të certifikuara nga autoritetet e vendlindjes

Romë, 15 dhjetor 2011 – “Në komisionet e Bilancit dhe të Financave, Lega po bën opozitë konstruktive që ka për qëllim përmirësimin e tekstit të manovrës ekonomike” proklamonte të hënën Alessandro Montagnoli, deputet legist anëtar i Komisionit të Financave.

Por po t’u hidhe një sy amendamenteve të tyre, kuptohet që legistët nuk e kanë mendjen të ndërtojnë, por të shkatërrojnë, të paktën përsa u përket imigrantëve. Objektivi është padyshim që të lejojnë sa më pak ardhje, edhe duke mohuar të drejtëne unitetit familjar, t’u mbushin mendjen më të shumtëve të mbledhin plaçkat e të ikin, dhe të shtrydhin deri në palcë ata që qëndrojnë akoma në Itali.

Massimo Bitonci, për shembull, do të detyrojë sipërmarrësit jokomunitarë që hapin Partita IVA të depozitojnë edhe një garanci fidejuksore prej 3 mijë eurosh në favor të Agjencisë së mbledhjes së taksave. Amendamenti parashikon kthimin mbrapsht të shumës vetëm me mbylljen e aktivitetit, pasi i huaji dëshmon se ka paguar të gjitha taksat dhe kontributet.

Paketa e amendamenteve anti-imigrantë e Legës përqendrohet, mbi të gjitha, në të vetmen pikë të manovrës që flet shprehimisht për imigrantët. Është neni 40, që vendos njëherë e përgjithnjë se kush është në pritje të lëshimit apo përtëritjes së lejes së qëndrimit është imigrant i rregullt deri sa të provohet e kundërta, dhe mund të punojë njësoj si ai që ka në xhep dokumentin e qëndrimit. Pierluigi Vanalli ka propozuar thjesht zhdukjen e këtij neni. Claudio D’Amico ka kërkuar zëvendësimin e këtij neni me abrogimin e neneve 28, 29 dhe 29 bis të Tekstit Unik mbi Imigracionin, që disiplinojnë bashkimet familjare: praktikisht ai kërkon zhdukjen e të drejtës për bashkim familjar me gra e fëmijë, pavarësisht nëse  kanë apo nuk kanë mundësitë ekonomike (të parashikuara sot me ligj) për t’i mbajtur ata.

Gjithnjë D’Amico propozon mbushjen e arkave të shtetit duke zhvatur të huajt. Si mund ta përshkruash ndryshe amendamentin që kërkon ngritjen nga 200 në 500 euro kontributin e derdhur nga ata që kërkojnë shtetësinë italiane, apo atë tjetrin që kërkon të ngrejë në një mijë euro koston e lëshimit apo të përtëritjes së lejes së qëndrimit?

Ndërsa Alessandro Montagnoli ngecet me punëdhënësit e jokomunitarëve dhe propozon që t’u derdhin Komunave një kontribut sa 5% e kostos së punës, për t’ia kushtuar objektivave  shoqërorë dhe me karakter asistencial. Roberto Simonetti dëshiron t’u vështirësojë edhe më jetën të papunëve, duke përgjysmuar nga gjashtë muaj në tre periudhën gjatë të cilës mund të qëndrojnë në Itali pa punë.

Por, gjithsesi, askush të mos shqetësohet, sepse asnjë prej propozimeve të mësipërme nuk është aprovuar në Komision.

Por komisionet e Bilancit dhe të Financave i kanë hapur rrugë një tjetër amendamenti të Legës që ka të bëjë me llogaritjen e treguesit Isee të situatës ekonomike familjare, i domosdoshëm që të mund të përfitohen shërbime shoqërore, shërbime publike dhe lehtësime fiskale.

Amendamenti i pranuar parashikon që në llogaritjen e Isee-s, të merren parasysh edhe pronat në atdhe, si për shembull, shtëpia, gjë që u ngarkon një barrë të madhe burokratike imigrantëve: në fakt, pronat në atdhe duhet të certifikohen nga autoritetet e vendlindjes. Kush nuk paraqet certifikatën do të përjashtohet nga të gjitha përfitimet që lidhen me treguesin Isee. “Kështu do të përfitojnë nga shërbimet shoqërore – ka shpjeguar Montagnoli – bashkëqytetarët tanë në nevojë, dhe jo jokomunitarët që mund të kenë pasuri të patundshme jashtë Italisë”.

Elvio Pasca

De Biasi do të udhëheqë kombëtaren kuqezi për në botërorin Brazil 2014

Shtëpi në Shqipëri? Do të paguash taksë edhe në Itali