in

Mario Peqini: “Falënderoj prindërit që më mësuan vlerën e të qenit gjithnjë i thjeshtë”

Del nga gjysmëfinalja me kokën lart e me vlerësimet maksimale. Për të, pjesëmarrja në Il più grande pasticcere ishte një eksperiencë e bukur Preket kur falënderon prindërit

Romë, 29 nëntor 2015 – Nuk do të jetë Mario Peqini fituesi i “Il piu grande pasticcere”. Pas një vendimi të marrë me vështirësi, teksa e përshëndesnin, tre anëtarët e jurisë shprehën vlerësimet më të mira për 28-vjeçarin. “Na vjen shumë keq”, “Serioz e i angazhuar në maksimum në atë që bën”, “Je njeri i mirë”, “Je i madh, Mario. Ke zemër të madhe, dhe ëmbëlsirat i bën me gjithë zemër. Mos u dorëzo kurrë Mario. Të mos fitosh “Il più grande pasticcere” nuk do të thotë të mos jesh një pastiçer i madh”.

E me të drejtë, Mario është një pastiçer i madh, ndoshta ai të cilit më shumë se kujtdo tjetër i trembeshin të gjithë konkurrentët e tjerë. Edhe vetëm fakti që u përzgjodh ndër 30 pastiçerët nga rreth njëmijë kandidatët e paraqitur, e më pas arriti deri në gjysmëfinale, nuk është gjë e vogël.

“Nuk jam tip televiziv, e kam të vështirë të tregoj me fjalë kush jam, zakonisht e bëj me punë. E në television duhet edhe të flasësh, të hapesh, kurse unë jam tip goxha i rezervuar. – thotë ai për shqiptariiitalise.com. – Nuk jam as i garave. Unë bëj shumë kurse, marr pjesë në konferenca në mbarë Evropën për mësuar të rejat e profesionit tim, por nuk më pëlqen të marr pjesë në kompeticione”.

E megjithatë, Mario la përshtypje shumë të mirë në transmisionin televiziv dhe vlerësimet e kolegëve dhe të anëtarëve të jurisë e tregojnë. E atij çfarë i dha “Il più grande pasticcere”? “Për mua ishte sfidë edhe vetë pjesëmarrja në këtë program-kompeticion. E tani që mbaroi them pa frikë që ishte eksperiencë e bukur që më bëri mirë”.

Prekëse fjalët e lotët e tij në fund të programit kur nisi të fliste për prindërit që i sqaron kështu:  “Nuk më pëlqen të përlotem as të tregoj emocionet e ndjenjat e mia në publik, por ndoshta stresi e lodhja bënë të vetëm. Për më tepër më kishin thënë që nuk po më filmonin”.  Ndërsa për prindërit thotë se nuk do të lodhet kurrë së falenderuari për gjithçka kanë bërë për të. “Nuk e kam fjalën vetëm për sakrificat e mëdha që kanë bërë në jetë. Ata i falënderoj për mbështetjen e gjithhershme, për edukatën që më kanë dhënë. I falënderoj që më mësuan vlerën e të qenit gjithnjë i thjeshtë. Dua t’i bëj të lumtur duke u treguar sa herë kam mundësi që jam i zoti dhe i vlerësuar në profesionin tim”.

E në restorant, ç’thonë për të? “Aty jam si në një familje e të gjithë më mbështesin e më duan. Tani vijnë edhe klientë që më kanë parë në televizion e duan të më takojnë, të bëjnë një foto me mua. Më vjen për të qeshur, por edhe kjo është kënaqësi e veçantë”.

 

Ismail Qemali gjatë viteve që pasuan shpalljen e Pavarësisë

Presidenti Nishani thirrje shqiptarëve: “Mos e braktisni vendin”