Balerina, koreografja dhe mësuesja e baletit, Mariola Kuqo, apo Lola Fejzo, siç njihet më shumë, është kandiduar në zgjedhjet administrative të 6-7 majit në listën qytetare “Senso Civico PSG” në mbështetje të kandidatit për kryetar komune Andrea Agostini në Porto San Giorgio
Romë, 24 prill 2012 – Në zgjedhjet e 6-7 majit, në komunën Porto San Giorgio votuesit do te kenë mundësi të zgjedhin në këshillin bashkiak edhe një shqiptare, në Itali tashmë prej 20 vjetësh dhe italiane de facto e de jure. Është Mariola Kuqo, ose Lola Fejzo, siç njihet më shumë, që ka hedhur kandidaturën në listën qytetare “Senso Civico Porto San Giorgio” në mbështetje të kandidatit për kryetar komune Andrea Agostini
Lola ka studiuar pranë Akademisë së Arteve e në vitin 1983 është emëruar balerinë e parë në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, ku ka punuar deri më 1990, kur bashkë me familjen e saj emigroi në Itali.
Lola sot është balerinë, koreografe dhe mësuese baleti, e zonja dhe e vlerësuar nga publiku e kritika. Puna e saj në këto njëzet vjet në Fermo dhe në veçanti në Porto San Giorgios, flet vetë. Vite më parë ka hapur, bashkë me të shoqin, Artid Fejzon, Akademinë e Baletit Giselle Danza që çon përpara me seriozitet, pasion dhe dashuri për Artin dhe të Bukurën. Në sallat e kësaj akademie Lola ka edukuar e rritur me qindra balerinë të së ardhmes në këto 20 vjet punë, dhjetëra talente të reja që sot janë balerinë të vlerësuar nga kompani të njohura në mbarë botën si Teatri Kirov, Teatri Kombëtar në Suedi, shkolla e Bezharit. Për të mos përmendur të bijën, Alina Fejzon, që sot vazhdon studimet në Akademinë Mbretërore të Artit Codarts të Rotterdamit në Holandë.
Sot Lola ka vendosur të bëjë një hap tjetër të madh. Të hedhë kandidaturën në listën qytetare “Senso Civico Porto San Giorgio” në mbështetje të kandidatit për kryetar komune Andrea Agostini. “Deri tani kam punuar e kam treguar se di të arrij atë që dua – thotë ajo për shqiptariiitalise.com – Tani dua të bëj diçka më shumë, jo vetëm për vete por për qytetin që sot quaj timin. Gjithnjë në fushën time. Në art e kulturë mund të jap kontributin tim e do ta bëj me pasion, këmbëngulje e maksimumin e energjive të mia nëse bashkëqytetarët e mi më japin mundësinë. Dhe do ta bëj sepse jam e bindur që me kulturë, art, jeta është më e bukur, të gjithë jetojmë më mirë”. Lajtmotivi i fushatës së Lolës në fakt është pikërisht “Più cultura, più benessere”.
Pse ka zgjedhur të kandidojë në një listë në mbështetje të kandidatit për kryetar, Andrea Agostinit? “Lista në të cilën kandidoj, ‘Senso Civico Porto San Giorgio’, është një nga pesë listat qytetare që mbështesin Agostinin. – Thotë Lola – Jam krenare që marr pjesë në një listë të tillë e mbështes Agostinin sepse kështu mund të bëj diçka konkrete për qytetin tim duke u qëndruar larg partive që shpesh vënë linjën partiake mbi interesin e personave që i kanë votuar, dhe që veçanërisht kohët e fundit kanë treguar, kush më shumë e kush më pak, se jo gjithnjë e meritojnë respektin dhe besimin e votuesve”.
Keti Biçoku
Leggi in italiano: Mariola Kuqo, in consiglio comunale a passo di danza
{gallery}lola-fejzo{/gallery}