in

Marschall: “Korrupsioni i lartë, institucionet të dobëta”

Pas botimit nga Transparancy International të indeksit  të korrupsionit për vitin 2011, Miklosh Marschall, drejtor i rajonit të Evropës dhe Azisë Qendrore ka komentuar rezultatet për rajonin juglindor, Shqipërinë dhe Kosovën, në një intervistë dhënë dje seksionit shqip të Deutsche Welle

Sipas tij “Raporti i TI është një sinjal alarmi për qeveritë për të ndryshuar. Dhe këtu nuk është fjala vetëm për rajonin e Ballkanit, që do t’i bashkohet BE-së, por edhe për vende të tjera”. Sipas tij, korrupsion ka kudo, edhe në vendet nordike por atje “ai është më shumë devijim dhe jo një system”, ndërsa për fat të keq “në shumë vende të Evropës Juglindore dhe në Azinë Qendrore, korrupsioni gjendet në sistem, ai nuk është përjashtimi por rregulli”.

Për zbritjen e Shqipërisë nga vendi i 87-të i vitit 2010 në të 95-tin këtë vit, drejtori  TI për rajonin e Evropës dhe të Azisë Qendrore thotë se “kjo rënie mund të ketë shumë arsye, jo vetëm sepse patjetër ka pasur korrupsion më të madh. Duhet thënë se Shqipëria ka bërë disa reforma të rëndësishme, por ka vuajtur shumë për shkak të luftës politike në vend. Kjo ka qenë pengesë e madhe në vend, vitin që shkoi. Tani situata politike është përmirësuar. Qeveria mund të fokusohet më shumë në vazhdimin e reformave. Por në Shqipëri, ashtu si në shumë vende në rajon” shohim se një shtysë shumë e madhe për reforma, është aspirata e integrimit në BE. Por përmirësimet janë shumë të ngadalta. Duhet thënë se cilësia e administratës publike në Shqipëri le shumë për të dëshiruar. As sistemi juridik nuk i ka përmbushur pritshmëritë, po ashtu edhe ekonomia informale ka ende shkallë të lartë lulëzimi, qeveria ende nuk e ka vënë nën kontroll këtë sektor”. Sipas Marschall ka një lidhje të fortë mes korrupsionit të lartë dhe performancës së dobët të institucioneve.

Lidhur me Kosovën ai shprehet se duke qenë ajo një shtet i ri, në fillimet e qenies si shtet, “pikërisht tani qeveria duhet të japë një dëshmi se di ta drejtojë vendin, prandaj korrupsioni është një çështje shumë më tepër serioze për një shtet të ri. Qeveria kosovare ka një rol historik në këtë kontekst, të bindë komunitetin ndërkombëtar e vetë qytetarët e vendit se është e aftë të krijojë kornizat e duhura për një tranzicion të suksesshëm social dhe ekonomik”. “Të bësh ligje është vetëm njëra anë e medaljes – vazhdon ai gjithnjë për Kosovën, – por shumë më e vështirë është t’i zbatosh ato. Shohim se në Kosovë institucionet më të rëndësishme nuk janë forcuar ende. Njerëzit dhe bizneset gjejnë zgjidhje alternative për zgjidhjen e halleve të tyre, prandaj edhe ekonomia informale është tepër e përhapur. Natyrisht Kosova ka startuar nga një pozicion i vështirë, duhet të jemi realistë, por është e drejtë të presim përmirësime më të shpejta”.

 

Europarlamenti i hap rrugën hyrjes së Kroacisë në BE

GAT presenta “Albania. L’ultimo atto” di Qerim Skënderaj