Në Itali, problemi është shumë i kufizuar vetëm në Romë ku kanë mbetur pa tërhequr 24 dokumente të vitit 2011 dhe 108 të vitit 2012, ndërsa në Milano nuk ka asnjë dokument të patërhequr të atyre viteve. Në qershor të këtij viti do të asgjësohen dokumentet biometrike të patërhequra të kërkuara pranë konsullatave në vitin 2011, në shtator ato të kërkuara gjatë vitit 2012.
Romë, 5 mars 2014 – Ditët e fundit, ministria e Brendshme u bën thirrje qytetarëve të shkojnë t’i marrin sa më parë pasaportat biometrike dhe letërnjoftimet elektronike për të cilat është aplikuar vitet e shkuara, pasi shumë shpejt ato do të asgjësohen.
Problemi ngrihet për dokumentet për të cilat është aplikuar pranë konsullatave në Romë dhe Milano për Italinë, Athinë dhe Selanik, Greqi, dhe në Nju Jork të ShBA-së. Në thirrjen e fundit të ministrisë së brendshme thuhet se dokumentet e prodhuara në vitin 2011 do të asgjësohen në 30 qershor 2014 ndërsa për ato të prodhuara gjatë vitit 2012 afati i fundit i tërheqjes është shtatori 2014 (do të asgjësohen më 30 shtator).
Për sa u përket dy përfaqësive konsullore në Itali, nga ambasada shqiptare në Romë bëjnë të ditur për Shqiptariiitalise.com se problemi është i kufizuar. Në konsullatën e Milanos, dokumentet për të cilat është aplikuar në vitet 2011 dhe 2012, janë tërhequr që të gjitha. Në zyrën konsullore të Romës ka disa dhjetëra. Më saktësisht, nuk janë tërhequr 6 pasaporta dhe 18 letërnjoftime për të cilat është aplikuar në vitin 2011; 17 pasaporta dhe 91 letërnjoftime elektronike të vitit 2012. Por sidoqoftë, në bazë të vendimit të ministrisë së Brendshme, nëse dokumentet nuk tërhiqen në afatet e sipërpërmendura, do të çohen në Shqipëri për asgjësim. Kush kishte aplikuar për to, do të jetë i detyruar të paraqesë sërish duke paguar të plotë çmimin e dokumentit.
Sipas njoftimit zyrtar nëse këto dokumente nuk do të tërhiqen do të asgjësohen. “Kjo gjë do të bëhet në zbatim të kontratës koncesionare “Për prodhimin dhe shpërndarjen e Kartave të Identitetit dhe të Pasaportave Elektronike”, ku është përcaktuar kërkesa që një dokument i patërhequr brenda një viti të bëhet i pavlefshëm. – sqaron ministria – Shkatërrim i këtyre dokumentev do të bëhet në Qendrën e Personalizimit, në kompaninë Aleat sh.p.k.”.
Edhe në fund të dhjetorit, ministria kish lajmëruar shkatërrimin e dokumenteve të identitetit (pasaporta biometrike e letërnjoftime elektronike) që ishin kërkuar në vitin 2011 në qendrat e ndryshme të aplikimit për dokumente në Shqipëri e nuk ishin tërhequr nga të interesuarit. Nuk ishin pak, rezultonin 18.682 letërnjoftime elektronike dhe 695 pasaporta biometrike të prodhuara gjatë vitit 2011 që kishin mbetur pa tërhequr.
Nga të dhënat e fundit të ministrisë, rezulton se numri i pasaportave biometrike të patërhequra (deri në fund të shkurtit) nga qytetarët për të cilat është aplikuar përgjatë viteve 2011, 2012 dhe 2013, është 2.477 copë. Ndërsa numri i letërnjoftimeve elektronike të patërhequra në po këto vite është 3.271 copë.
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Tëitter)