in

Mbi gjysmë milioni shqiptarët në Itali

Për të parën herë shqiptarët kapërcejnë shifrën e gjysmë milionit. Në vitin 1980 ishin vetëm 514 vetë. Edhe pse kriza frenon ardhjet e reja, mbeten gjithsesi komuniteti i dytë i joevropianëve në Itali për numër të pranishmish, pas marokenëve. Pas 23 vjetëve nga nisja e emigracionit masiv, janë sot ndër komunitetet më të qëndrueshme në Itali. Ndër dhjetë shqiptarë, 7 kanë kanë dokumentin e përhershëm të qëndrimit. Rritet nga viti në vit edhe numri i atyre që tashmë janë edhe italianë: vetëm në dy vjetët e fundit e kanë marrë shtetësinë rreth 25mijë persona

Më 1 janar 2014, në Itali jetojnë 502.546 shqiptarë. Këtë thonë të dhënat e fundit të institutit statistikor italian, ISTAT. Numëroheshin vetëm 514 vetë në vitin 1980, e 2.034 më 31 dhjetor 1990, pas eksodit të ambasadave.

Ritmet e shtimit të komunitetit tonë tashmë prej vitit 2010 mbeten të ulëta, qoftë për reduktimin e ardhjeve qoftë për rritjen e numrit të shqiptarëve që marrin edhe shtetësinë italiane e që për rrjedhojë nuk janë më të huaj. Këtu ndikojnë, natyrisht, edhe largimet nga Italia negativisht e lindjet me shenjë positive. Ndërsa si dukuri sociale e ekonomike, shkak i frenimit të rritjes janë padyshim kriza italiane dhe mungesa e dekreteve të mirëfillta të flukseve nga njëra anë, por edhe që në Shqipëri nuk ekziston më ajo frymë largimi që karakterizoi vitet ’90. Më saktësisht gjatë vitit të shkuar komuniteti është rritur me vetëm 4.785 persona, shifër kjo më të ulëtat e vërejtura nga viti 1991.

Megjithatë shqiptarët mbeten komuniteti i dytë i të huajve të pranishëm në Itali: pas marokenëve (524.775), por më të shumtë se kinezët (320.794), ukrainasit (233.726) dhe filipinasit (165.783). Por nëse numri i përgjithshëm i të huajve joevropianë ka shkuar në 3.874.726, me rritje vjetore mesatare prej 3% (110 mijë më shumë se një vit më parë), ndër 10 komunitetet e para ne shënojmë rritjen më të vogël, as 1%.

Por komuniteti shqiptar në Itali është ndër më të qëndrueshmit. Janë disa tregues statistikorë që çojnë në këtë përfundim.

Shqiptarët janë ata që kanë përqindjen më të lartë të kartave të qëndrimit: çdo 100 shqiptarë të Italisë, 69 kanë dokumentin e përhershëm të qëndrimit. E thënë ndryshe janë 346.254 që kanë lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë.

Kjo vlerë rritet nga viti në vit qoftë në shifër absolute qoftë atë relative për të gjithë të huajt: nga 54,3% që ishin më 1 janar të vitit të shkuar në 56,3% (apo 2.179.607 vetë) në 1 janar 2014.

Një tjetër tregues i qëndrueshmërisë së komunitetit është edhe numri i të miturve: në rastin e shqiptarëve, të miturit janë 136.190, ose 27,1%. Por duhet thënë se edhe pse kjo përqindje është ndër më të lartat – mesatarja e të huajve është 23,9%, por për komunitete si marokenët, egjiptianët e tunizinët është më e lartë se 30 – ka pësuar tkurrje krahasuar me një vit më parë, kur të miturit përbënin 27,5% të të gjithë shqiptarëve.

Përsa i përket shpërndarjes në krahinat italiane, të huajt në përgjithësi parapëlqejnë veriun e Italisë e, në veçanti Lombardinë ku jetojnë 26,5% të të gjithë të huajve, Emilia Romagnan (12,1%) dhe Veneton (11,5%). Kjo shpërndarje është disi më ndryshe për komunitetin shqiptar. Me 105.402 rezidentë shqiptarë, në Lombardi shënohet përqëndrimi më i lartë e shqiptarëve, por që gjithsesi mbetet në 20,97%. Krahina e dytë e përzgjedhur nga komuniteti ynë është Toscana ku numërohen 71.694 vetë (14,26% e shqiptarëve të Italisë) e ndjekur nga Emilia Romagna me 64.220 – 12,78%. Krahina me më pak shqiptarë është Molise: më 1 janar 2014 numërohen 589, 8 vetë më pak se një vit më parë.

Dymbëdhjetë vjet nga sanatoria e vitit 2002

Nga viti 2003 në vitin 2004, numri i imigrantëve në Itali shkoi nga 829.761 persona në 1.479.381. për një arsye shumë të thjeshtë: në vitin 2002 me hyrjen në fuqi të ligjit Bossi-Fini u bë edhe sanatoria më e madhe e të huajve që ka parë ndonjëherë ky vend. U legalizuan rreth 700 mijë të huaj që ndryshuan fizionominë e imigracionit: u shkua drejt riekuilibrimit mes gjinive (u rrit ndjeshëm numri i grave) dhe u rrit mosha mesatare e imigrantëve. Nga ai vit, numri i imigrantëve në Itali është rritur rregullisht, por asnjëherë me ato shifra.

Edhe për shqiptarët, atëherë është shënuar rritja më e madhe, me 100 mijë vetë, nga një vit në tjetrin. Ishim 172.834 vetë në vitin 2003, shkuam në 270.383 në vitin 2004.

Dhjetë vjet pas asaj “ngjarjeje të shënuar” për imigracionin në Itali, vërehet se mëse 80% e personave të legalizuar vazhdojnë të jetojnë në Itali. Madje nga këta të fundit, mbi 80% kanë marrë tashmë lejeqëndrim të përhershëm. të njëjtat shifra vlejnë edhe për shqiptarët në veçanti.

Vazhdon rënia e numrit të ardhjeve të reja

Gjatë vitit 2013 janë lëshuar vetëm 255.646 lejeqëndrimi të reja, 3% më pak se gjatë vitit 2012, kur numëroheshin 263.968. Tkurrja vjetore është thuajse e papërfillshme po të kujtohet se lejeqëndrimet e reja e lëshuara në vitin 2012 ishin 27% më pak se ato të vitit 2011 (kur u pajisën me dokument qëndrimi 361.690 imigrantë të rinj), ndërsa ato të vitit 2011 rreth 40% më pak se një vit më parë. Në këtë aspekt luan rol vendimtar kriza ekonomike dhe mungesa e flukseve të ardhjeve.

Motivet kryesore të lejeve të qëndrimit mbeten familja (41,2%) e puna (33,1%). Duhet vënë në dukje që vitin e shkuar, kanë pësuar rënie të gjitha llojet e lejeve të qëndrimit me përjashtim të atyre për punë. Kjo falë sanatores së Qeverisë Monti të vitit 2012 (që edhe pse përjashtoi nga mundësia e legalizimit mijëra e mijëra imigrantë në të zezë e klandestinë, gjithsesi disa efekte i pati, por vitin pasues). Praktikisht gjatë vitit të shkuar janë lëshuar për motive pune 84.540 lejeqëndrime të reja nga 71 mijë të vitit 2012, ndërsa për motive familjare 105.266 nga 116.815 të vitit 2012.

Për sa u përket shqiptarëve, gjatë vitit të shkuar kanë qenë 16.202 ata që kanë marrë lejeqëndrimin e parë. Në vitin 2012 numëroheshin 18.889. Ndërsa po të shkojmë të shohim vitin 2010, shifra është shumë më e lartë: 48.330 vetë. Praktikisht në vitin 2013 ardhjet e reja kanë qenë sa një e treta e atyre të vitit 2010.

Lejeqëndrimet e reja të lëshuara shqiptarëve janë në shumicën e rasteve për motive familjare, 56,8%, dhe për punë, 20,4%. Ndërsa kanë marrë lejeqëndrim për motive studimi vetëm 2,9% e të sapoardhurve, ose 470 vetë.

Nga ana tjetër, është alarmant numri i lejeve të qëndrimit të skaduara e të papërtërira.

Sipas ISTAT-it, gjatë vitit 2013 nuk janë përtërirë 146 mijë leje qëndrimi, 42,9% të të cilave ishin për motive pune, 25,2% për motive familjare, 17% për studime dhe 7,4% për azil e motive humanitare. Praktikisht kanë humbur punën e lejen e qëndrimit 62 mijë persona. Shumë janë kthyer në klandestinë, të tjerë janë larguar nga Italia, për të provuar fatin tjetërkund apo në atdhe.

60 mijë shqiptarë janë betuar para flamurit trengjyrësh

Rreth 850 mijë italianë të sotëm kanë pasur në lindje tjetër shtetësi. Është një shifër që pothuajse përkon me popullsinë e Torinos, qyteti i katërt italian për numër banorësh.

Shifra është e destinuar të vazhdojë të rritet me të paktën 100 mijë në vit edhe katër – pesë vitet e ardhshme.

Në veçanti, shqiptarët që kanë marrë shtetësinë italiane janë rreth 60 mijë. Te kjo shifër arrihet po të mbahen parasysh 33.699 personat që gjatë Censimentit 2011 kanë deklaruar se në lindje kanë pasur shtetësinë shqiptare, 9.493 shqiptarët që i kanë betuar besnikëri Republikës italiane gjatë vitit 2012 dhe pak a shumë 15.000 të tjerë që duhet ta kenë bërë betimin gjatë vitit 2013.

Duke mbajtur parasysh se ai i shqiptarëve është një komunitet i integruar e i vjetër tashmë, është e arsyeshme të mendohet që për disa vjet numri i atyre që marrin shtetësinë italiane të vazhdojë të jetë i lartë për disa vjet. Duke qenë se numri i ardhjeve të reja ka rënë shumë, se ka nga ata që largohen nga Italia, mund të jetë e afërt dita që numri numri i shqiptarëve me lejeqëndrim të mos rritet më.

Shifra është e konsiderueshme e bëhet veçanërisht interesante në periudha zgjedhjeje, gjë që e pamë edhe me përfshirjen goxha aktive të shqiptarëve në ato të fundit administrative italiane.

Nga ana tjetër, bashkë me 502.546 shqiptarët që jetojnë me lejeqëndrim në Itali, bëhen 560 mijë, e përbëjnë një fetë të rëndësishme të popullsisë shqiptare, që brenda kufijve të vendit nuk kap as 3 milionë (sipas INSTAT, më 1 janar 2014, Shqipëria ka 2.895.947 banorë), për të cilët klasa politike shqiptare duhet të tregohet më e vëmendshme. Tema të mprehta si pensioni i emigrantëve dhe e drejta e votës, për shembull, nuk mund të presin më.

Keti Biçoku

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Kam leje qëndrimi për asistencë të mituri. Mund të kërkoj kartën e qëndrimit?

Tri mbytje në pak ditë në Libi, mbi 200 të vdekur