in

‘Në krahët e detit’, frika dhe shpresat e klandestinëve të treguara në këngë

Të kujtosh për të mos harruar. Duke rrëfyer me një këngë frikën, shpresat, ëndrrat, dhimbjen që bashkon mijëra njerëz që lënë tokën e tyre në kërkim të një jete më të mirë. Është kjo ndjenja që më shtyu të shkruaj, bashkë me muzikantin Andrea Rocchi, një këngë kushtuar të gjithë të rënëve të një lufte për mbijetesë që, fatmirësisht, pjesa më e madhe e vëllezërve dhe bashkudhëtarëve të tyre, ia kanë dalë mbanë.

Të gjithë e dimë që të dhënat “zyrtare” janë vetëm maja e ajsbergut e tragjedive që konsumohen në det të hapur përballë brigjeve italiane apo në Tir-e, të transportuar në rrugë detare apo tokësore nga trafikantët e njerëzve. Po ashtu edhe klandestinët e kapur nga forcat e rendit janë vetëm një pjesë e vogël e asaj ushtrie që rritet çdo vit në Itali. po të kishin kaluar kufirin me vizë të rregullt, një pjesë e mirë e këtyre burrave e grave sot do të kishin një punë të rregullt e për pasojë edhe leje qëndrimi. Ndonjë prej tyre do të kishte ndoshta edhe shtetësinë italiane. Një punë si infermier, barist, një apartament në periferi të Romës apo në një fshat të vogël, celularin për të telefonuar prindërit në vendlindje, një birrë me miqtë, një pasdite me miqtë apo një birrë pas darke…

Një jetë modeste për miliona italianë, por që do të thotë shumë për ata që në një vend pune shohin shpresat për një të ardhme më të mirë për veten e të dashurit e tyre, për ata që në pak metra katrorë të shtëpisë arrijnë të mbledhin familjen e vet, për ata që në Itali kanë mbërritur pas orësh të kaluara në rimorkion e mbyllur të një kamioni apo në hangarin e një anijeje të vjetër, duke sfiduar vdekjen.

E për ata që kanë rënë rrugës, kush mendon më? Për ato nëna e ata baballarë, ata bij e bashkëshortë, që kanë nisur të dashurit e tyre drejt të panjohurës plot shpresë e dashuri, të cilëve fati apo ligësia e njerëzve ua ka marrë njëherë e mirë, për ta kush mendon më?

Italia e re, Italia e të ardhmes, do të ketë një të katërtën e saj të përbërë nga shtetas të rinj, gjuhë, kultura, fe të reja, por të gjithë do t’i bashkojë dashuria për këtë vend.

Ndonjëherë mjafton vërtet pak për të mos harruar. Mjaftojnë edhe notat e një kënge.

Stefano Camilloni

Çështja Mike Buongiorno. Fallxhorja: “E ka djegur një shqiptar me tre të tjerë”

Sette anni fuoricorso