Vajzat e bukura të Kosovës të kenë marrë më qafë ambasadorin gjerman Ernst Reichel? Pak kohë më parë komentonte në Facebook një fotë ku ishte në shoqërinë e dy vajzave: “Kurrë më pak se dy, është zakon këtu”. Largohet nga detyra që kishte marrë vetëm në korrik të vitit të shkuar
Prishtinë, 6 shtator 2012 – Ambasadori Ernst Reichel do të largohet nga Republika e Kosovës nga mesi i muajit shtator 2012, për t’u kthyer në Berlin në një detyrë të re, ka njoftuar Ambasada e Gjermanisë përmes një komunikate.
Edhe në postin e tij të ri, ai nga ana profesionale do të mbetet i lidhur me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. “Ambasadori Reichel po e lë Kosovën si një mik me shumë kujtime pozitive dhe me shumë simpati dhe respekt për vendin dhe qytetarët e tij”, përfundon komunikata.
S’ka se si mos të largohet me kujtime pozitive ky ambasador, i emëruar ambasador në Kosovë, vetëm një vit më parë, në korrik të vitit 2011, i cili njëkohësisht ishte edhe adhurues i madh i rrjeteve sociale dhe merakli që të realizonte foto me femra të bukura shqiptare, e më pas të komentonte se nuk pranon të jetë kurrë më pak se me dy femra shqiptare sepse, sipas tij, në Kosovë qenka traditë ashtu!
Kohë më parë portali Almakos raportoi se si e prezantonte Kosovën ky ambasador para miqve të tij në rrjetin social Facebook.
Pavarësisht se nuk i përket moshës së adoleshencës, e aq më tepër nuk është njeri i rangut të thjeshtë, por diplomat karriere dhe imazh i shtetit gjerman në Kosovë, ambasadori gjerman, Ernst Reichel, siç duket shkrihet nga lezeti kur është në shoqëri të femrave shqiptare.
Një nga vajzat që ka pasur mundësinë ta realizojë një foto me këtë diplomat të lartë, me siguri duke llogaritur edhe në seriozitetin e tij, e kishte publikuar një foto ku së bashku me shoqen e vet janë në shoqëri të ambasadorit Reichel. Sigurisht, këtë gjest e ka bërë që të “reklamohet” para shoqërisë, mirëpo, mbase, nuk do t’i kishte shkuar mendja se më shumë se ajo do të mburrej vetë ambasadori…
Kur një mik i ambasadorit, i quajtur Andreas Schick, e komentonte foton në gjuhën gjermane me fjalët “Immer in Begleitung gut aussehender Ladies! “ që në përkthim do të thotë: “Gjithmonë në shoqëri të femrave të bukura!”, përgjigjja e ambasadorit ishte speciale. Nuk mund të dimë nëse ka ndier nevojë të ushqente egon e tij mashkullore, të bënte humor apo shpaloste një fenomen që nuk është i panjohur në Kosovë, por përgjigjja e ambasadorit gjerman ishte: “Andi, nie weniger als zwei, ist hier so Sitte..”, e që në përkthim i bie “Andi, kurrë më pak se dy, është zakon këtu”.
Menjëherë pas raportimit të Almakos, fotoja bashkë me komentet ishte avulluar, ndërsa tani më pak se 1 muaj pas asaj ngjarjeje, me vendim të ambasadës gjermane “avullohet” edhe ambasadori “shmeker” nga pozita e tij, për t’u kthyer në vendin e tij me shumë kujtime pozitive dhe me shumë simpati dhe respekt për Kosovën, siç thuhet në komunikatë. (Almakos)