Ministri Veliaj: “Po përgatisim hapjen e negociatave edhe me Italinë”.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, në një konferencë me ambasadorin e Gjermanisë Helmut Hoffman, bëri të ditur se ka përfunduar tashmë raundi i parë i negociatave me Gjermaninë për pensionet, hapi i parë konkret për nënshkrimin përfundimtar të marrëveshjes në vjeshtë të këtij viti.
“Sot patëm takim me një delegacion që ka qënë pjesë e përmbylljes së negociatave të pensioneve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Vetëm një javë pas vizitës së holmologut gjerman, ekipi erdhi këtu për të përmbyllur raundin e parë të negociatave, një pjesë e mirë e marrëveshjes. Ne e çmojmë shumë faktin se një marrëveshje e tillë do të ndihmonte mijëra shqiptarë që jetojnë në Gjermani, ky është një hap konkret. por jemi të ndërgjegjshëm që ky proces teknik ka nevojë për një raund tjetër negociatash, mendoj që do të jetë gati për marrëveshje në fund të verës”. Një javë më parë, Sekretari gjerman i Shtetit në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, z. Jorg Asmussen, tha se marrëveshja pritet të nënshkruhet në vjeshtë të këtij viti.
Veliaj u shpreh se Shqipëria është e interesuar të zhvillojë negociata të ngjashme edhe me vende të tjera të BE-së. “Suksesi i negociatave me Gjermaninë do të shërbente edhe si standard, teksa negociojmë me vendet e tjera”, tha ai. Ministri tha më tej se, pala shqiptare po përgatitet për hapjen e negociatave edhe me Italinë”.
Ndërsa, ambasadori gjerman në vendin tonë, Helmut Hoffman theksoi se marrëveshja për mbrojtjen sociale është një investim për të ardhmen. Sipas ambasadorit, “Shqipëria ka prej disa kohësh statusin e vendit kandidat për në BE dhe në këto kushte ka ardhur momenti ku të mbërrijmë në marrëveshje të normalitetit midis dy vendeve tona. Këto marrëveshje është mirë të lidhen në të gjitha fushat dhe sot jemi duke folur për sigurinë sociale”.
Ambasadori Hoffman theksoi se rruga për të nisur një marrëdhënie punësimi në Gjermani nuk duhet të kalojë përmes aplikimit për azil. “Azili është rruga e gabuar”.
Raundi i parë i negociatave Shqipëri-Gjermani për nënshkrimin e marrëveshjes së pensioneve do të pasohet nga një raund i dytë që do të mbahet në muajin prill. Ndërkaq, një javë më parë, Sekretari gjerman i Shtetit në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, z. Jorg Asmussen, tha se marrëveshja pritet të nënshkruhet në vjeshtë të këtij viti.