in

Më 24 gusht hyn në fuqi ligji i ri mbi taksat e automjeteve

Taksa e re vjetore për qarkullimin e makinave do të varet nga madhësia e motorit dhe lloji i karburantit. Hiqet dogana dhe taksa e shitblerjes së automjeteve, vendoset një taksë e re e përdorimit

Tiranë, 23 gusht 201 – Nga nesër, të gjithë drejtuesit e automjeteve që nuk kanë paguar taksat vjetore të automjetit të tyre, ose nuk kanë bërë kolaudimin e makinës, do të paguajnë me tarifat e reja që përcakton ligji i ri për taksimin e automjeteve, të përpiluar sipas detyrimeve të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Drejtori i Shërbimit të Transportit Rrugor në ministrinë e Transportit, Arben Pinari, ka konfirmuar  se 23 gushti 2011 është afati i fundit për të gjithë ata drejtues mjetesh që nuk kanë paguar taksat vjetore të makinës, pavarësisht datës se kur atyre u mbaron afati i pagesës.

Kush do të paraqitet të mërkurën e 24 gushtit 2011 pranë sporteleve për të paguar taksat vjetore të mjeteve në përdorim, nuk do të paguajë më aq para sa ka paguar deri më sot.

Me heqjen e taksës doganore, çdo automjet në Shqipëri, përfshirë edhe mjetet e ardhura rishtas në vend, do të paguajnë çdo vit taksën e qarkullimit, në varësi të madhësisë së motorit, llojit të karburantit, ku thelbësore është viti i prodhimit të mjetit.    

Nga 24 gushti, çdo kush që importon një makinë, nuk do të paguajë më doganë. Po ashtu, kush blen ose shet një makinë brenda vendit, nuk do të paguajë taksë shtesë. Ligji i ri vendos, megjithatë, një taksë të re vjetore për makinat e përdorura, që do të quhet taksë e përdorimit të makinës, duke penalizuar kështu  makinat e vjetra. Sa më e vjetër të jetë makina, aq më e lartë do të jetë taksa e përdorimit të makinës.     

Gjithashtu, paguajnë më shumë makinat me naftë sesa ato me benzinë. Vendimi për taksat e reja të mjeteve, veç detyrimeve që Shqipëria ka pas nënshkrimit të MSA-së, shmang hyrjen në vend të mjeteve tejet të përdorura, duke ndikuar në mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit të qytetarëve.

Ndërsa vendimi i miratuar së fundmi nga Qeveria për “faljen fiskale”, ku përfshihet edhe ajo për automjetet që rezultojnë me detyrime të papaguara, pritet t’u japë një hov shërbimeve të Transportit Rrugor dhe do të nxjerrë jashtë përdorimit targat e automjeteve që nuk ekzistojnë më, apo janë të amortizuara.

Janë rreth 160 mijë mjete në regjistrin pasiv, apo rreth 40% e numrit të përgjithshëm të mjeteve. Bëjnë pjesë mjete të amortizuara, të dëmtuara, ato të shtetasve që janë larguar në emigracion, krahas një numri të vogël që u përkasin qytetarëve, të cilët nuk kanë paguar detyrimet e tyre për automjetin.

Njëqindvjetori i Pavarësisë së Shqipërisë do të gdhendet në ar

Rritet me 23% numri i udhëtarëve në Rinas