in

Me pushime për Pashkë? Kontrolloni më parë pasaportën e lejen e qëndrimit

Ndryshe nga italianët, kur programojnë ku të kalojnë ato pak ditë pushimesh të Pashkëve, emigrantët në Itali nuk duhet të shohin vetëm ku u pëlqen të shkojnë (në bazë të parave që kanë në xhep), por mbi të gjitha të kontrollojnë situatën e lejes së qëndrimit, dhe në bazë të saj të vendosin sa larg mund të shkojnë. Shqiptarëve u duhet të kontrollojnë edhe nëse kanë apo jo pasaportën biometrike

Romë, 29 mars 2012 – Pashkë dhe e Hëna pas Pashkëve janë një rast i mirë për të bërë disa ditë pushime e pse jo edhe për të shkuar pranë familjes apo për të vizituar një vend tjetër. Por nëse mund të shkohet apo jo diku, duhen bërë hesapet jo vetëm me paratë por edhe me dokumentet që ke në xhep. Para së gjithash, për shqiptarët problemi kryesor është pasaporta: nëse ke atë biometrike je në rregull. Nëse nuk e ke, edhe pse ke qëndrim të rregullt në Itali, mund të shkosh vetëm në Shqipëri e askund tjetër, madje më pas në Itali duhet të kthehesh me të renë biometrike.

Përsa i përket lejes së qëndrimit, kush e ka të vlefshme, mund të shkojë ku të dojë (nëpër Itali, të kthehet në atdhe, apo në ndonjë vend tjetër), mjaft të marrë më vete lejen e qëndrimit dhe pasaportën biometrike. Mund të shkohet për turizëm pa qenë nevoja për vizë në të gjitha vendet e zonës Shengen: Belgjika, Franca, Gjermania, Luksemburgu, Holanda, Portugalia, Spanja, Austria, Greqia, Danimarka, Finlanda, Suedia, Islanda, Norvegjia, Sllovenia, Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Republika Çeka, Sllovakia, Hungaria, Malta, Zvicra. Ndërsa nëse zgjidhet një vend që nuk është në zonën Schengen, duhet verifikuar nëse në bazë të marrëveshjeve me vendlindjen është apo jo e nevojshme të merret vizë. Kështu shqiptarët me lejeqëndrim të vlefshëm e pasaportë biometrike mund të shkojnë pa vizë në Turqi, apo Kroaci, Mal të Zi, për shembull, e të kthehen pa probleme në Itali. Por nëse një shqiptar dëshiron të shkojë në Angli duhet të marrë vizë.

Ndërsa ndryshe (por tashmë jemi mësuar) qëndron puna për ata që janë në pritje të përtëritjes së lejes së qëndrimit: ai mund të shkojë në atdhe por udhëtimi vajtje-ardhje nuk duhet të parashikojë ndalesa apo kalime përmes një shteti tjetër të zonës Schengen. Duhet të marrë me vete pasaportën, lejen e skaduar të qëndrimit dhe kuponin e përtëritjes që duhet t’i tregojë policisë së kufirit.

Ata që janë në pritje të lejes së parë të qëndrimit për motive pune apo bashkimi familjar: të gjithë ata që kanë ende të vlefshme vizën afatgjatë Schengen, të tipit “Schengen uniforme”, pra mbi tre muaj, si ato që u lëshohen shtetasve të huaj që vijnë në Itali me dekretet e flukseve apo për bashkim familjar, mund të lëvizin edhe në zonën Schengen. Por nëse viza e hyrjes u ka skaduar dhe ende nuk janë pajisur me lejeqëndrimi, ata mund të udhëtojnë vetëm për në atdhe pa bërë ndalesa në vende të zonës Shengen. Sidoqoftë, duhet të kenë me vete përveç kuponit postar që dëshmon paraqitjen e kërkesës së lejeqëndrimit pasaportën me vizën e lëshuar nga konsullata që specifikon motivin e qëndrimit në Itali.

Ndërsa shqiptarët me pasaportë biometrike mund të lëvizin në Schengen, falë liberalizimit të vizave edhe me leje qëndrimi në fazë përtëritjeje, por në këtë rast mund t-u kërkohet të kenë biletën e kthimit, sigurimi i udhëtimit dhe prenotimi i hotelit.

I akuzuar për violencë seksuale për një të puthur, gjykata e nxjerr të pafajshëm

Ministri i Jashtëm Haxhinasto: Do të reagojmë për shërbimin e prenotimit me pagesë në Konsullatën e Milanos