in

Melissa, 11-vjeçarja në Sanremo Junior 2012

Do të jetë 11-vjeçarja italo-shqiptare Melissa Magnanelli, ajo që do të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin ndërkombëtar Sanremo Junior 2012 që do të mbahet më 5 maj

“Dashuria na rrethon” quhet kënga me të cilën Melissa Magnanelli, italo-shqiptare 11 vjeçe, do të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin ndërkombëtar Sanremo Junior 2012.

“Është një këngë ritmike, që ka në përbërje poezi shumë të bukur, e përkthyer dhe e përshtatur nga babai i Melissës. Kënga është bërë shqip dhe në konkurrim është paraqitur në shqip. Shpresojmë që në festival ta këndojmë gjysmë shqip dhe gjysmë italisht. Festivali është i gjithi live, prandaj është në dorën e Melissës që të zgjedhë se si do ta këndojë. Duhet pasur parasysh që Sanremo nuk është vetëm një festival kombëtar, pasi në të marrin pjesë përfaqësues nga shumë vende të botës. Është një festival ndërkombëtar. Një vit më parë, ka pasur përfaqësues nga Korea e Jugut, Japonia dhe vende të tjera të botës”, shprehet për Top Channel kompozitori Klodian Qafoku, i cili prej një muaji e gjysmë,  po përgatit 11-vjeçaren.

Megjithëse nuk është nxënëse në një shkollë muzike, çmimet e marra nëpër konkurse të ndryshme e shtyjnë Melissën të shpresojë për një sukses në Sanremo Junior. Vajza italo-shqiptare u është përkushtuar në maksimum provave, në pritje të 5 majit kur do të ngjitet në skenën e famshme të Sanremos ku kanë qenë artistë të mëdhenj të muzikës botërore.

“Kam pasur shumë emocione. Në fakt, tek Sanremo dërguam një disk me këngën e incizuar. Unë u habita që më zgjodhën, sepse nga 600 fëmijë u futën vetëm 31 dhe unë isha njëra prej tyre, prandaj u emocionova shumë. Kur më mori babi dhe më tha që kisha fituar, gati sa nuk plasa nga gëzimi”, rrëfen Melissa.

IMU. Taksa mbi shtëpinë ku banohet do të paguhet me tri këste

Dënime më të rënda për kë punëson klandestinë e lejeqëndrim për kë padit shfrytëzuesit