in

Merrnin çekun social pa qenë në Itali. Probleme për 53 të moshuar

Guardia di Finanza gjatë kontrolleve të saj në Bra të Cuneos zbulon 53 raste të huajsh (marokenë, shqiptarë, maqedonas dhe argjentinas) që merrnin pensionin social duke mos jetuar në Itali. Dëmi për arkat e institutit të sigurimeve është rreth 460 mijë euro

Romë, 3 shkurt 2012 – Jetonin në vendlindje, Shqipëri, Maqedoni, Marok apo Argjentinë, por mbanin rezidencën në Bra të Cuneose e merrnin pensionin social, që sipas ligjit u takon vetëm personave të moshuar në nevojë që jetojnë efektivisht në Itali.

Pas një hetimi që ka zgjatur rreth një vit, Guardia di Finanza e Bra-së ka paditur në Prokurori 53 të huaj që kishin marrë padrejtësisht çekun social nga INPS, për veprën penale të mashtrimit në rrethana rënduese. Dëmi për arkat e INPS-it në këtë rast llogaritet të shkojë në rreth 460 mijë euro.

Një nga kriteret parësore për të pasur të drejtën e çekut social është rezidenca efektive, dhe është veçanërisht kjo që Guardia di Finanza ka nisur të kontrollojë gjithnjë e më shpesh vitet e fundit.

Në këtë rast nga kontrolli i rreth 100 vetëve, ka rezultuar se më shumë se gjysma përmbushnin vetëm “në letër” kriteret e nevojshme. Në fakt, 53 të moshuar, shqiptarë, maqedonas, marokenë  dhe argjentinas, të ardhur në Itali me bashkim familjar, nuk janë gjetur asnjëherë në adresën ku deklaronin se jetonin. Agjentët i kanë lajmëruar formalisht të paraqiten në kazermë e kanë zbuluar kështu që 5 nga të moshuarit ishin larguar prej kohësh ng Italia, ndërsa 48 të tjerët, të lajmëruar nga familjarët e tyre për verifikimet që po bëheshin, u kthyen me nxitim, me shpresë që të mos zbuloheshin. Por mjaftoi një kontroll i shpejtë i vulave në pasaportë për t’u konfirmuar agjentëve financierë që pleqtë jetonin pjesën më të madhe të vitit në vendlindje, duke mos plotësuar kështu kriterin e “rezidencës efektive dhe të qëndrueshme në territorin italian”.

Veçanërisht dy prej tyre kishin arritur të merrnin për shumë vjet pensionin, duke futur në xhep secili nga 40 mijë euro.

Të paditurit, jo vetëm humbasin këtej e tutje të drejtën e çekut, por duhet të kthejnë mbrapsht edhe shumat që kanë përfituar padrejtësisht.

Çeku social është një shumë e vogël parash që INPS u jep të moshuarve mbi 65 vjeç, në mënyrë që t’u sigurojë atyre minimumin e jetesës në Itali. Për vitin 2012 kjo shumë është 5.577 euro në vit dhe jepet në 13 rata nga 429 euro secila.

E marrin italianët, komunitarët dhe të huajt jokomunitarë me kartën e qëndrimit, me moshë të paktë 65 vjeç, që  kanë vendbanim efektiv dhe të qëndrueshëm në Itali prej të paktën dhjetë vjetëve, dhe që kanë të ardhura vjetore nën shumën e çekut social.

Lexo edhe:
 

Nuri Zane, çami që përjetoi tre gjenocide

Italia në ngricë e acar. Roma e paralizuar për shkak të borës