in

Italia në ngricë e acar. Roma e paralizuar për shkak të borës

Mbarë Italia është mbërthyer nga ngricat, acari dhe bora. Situatë e rëndë në Romë ku për shkak të borës, tashmë të kthyer në akull edhe në rrugët e qytetit, është paralizuar trafiku. Me dhjetëra makina kanë mbetur për 12 orë në unazën e madhe të qytetit të bllokuara. Polemika mes kryetarit të Bashkisë Alemanno e Mbrojtjes Civile. Ndërkaq në të gjithë Italinë humbin jetën 19 vetë për shkak të të ftohtit

Romë 5 shkurt 2012

I rëndë bilanci i viktimave të motit të keq

Shtatë persona kanë humbur jetën të premten e të shtunën për të ftohtit, ndërsa dy vetë kanë humbur jetën të vënë poshtë nga orteku. Dhjetë të tjerë kanë humbur jetën sot, gjithnjë për shkak të motit të keq.

Në provincën e Avellino, 46-vjeçarja Anna Maria Di Cristo, ka mbetur e shtypur nga çatia e serrës e rënë nga pesha e borës. Në l’Aquila, një 34 vjeçar ka vdekur në makinën e tij për shkak të oksidit të karbonit: e kish zënë gjumi në makinë teksa kish mbetur i bllokuar nga bora. Carmelo Renzi 68 vjeç është gjetur i vdekur në makinë të tij në Isernia, shkak infarkti. Domenico Martino, 62 vjeç, ka vdekur në Frosinone, i shtypur nga çatia e kaparonit të rënë për peshën e borës. Një grua 48 vjeç nga Ukraina është gjetur e  vdekur në një kasolle në Ostia, pranë Romës. Një gjerman është gjetur pa jetë në kështjellën mesjetare të Castiglione de Lago të Perugias, ndërsa në provincën e Foggias një 80 vjeçar vdiq në pritje të ambulancës së bllokuar rrugës për shkak të borës. Së fundi, dy alpinistë Hubert Leitgeb 46 vjeç dhe kunati i tij Lorenz Keim, 43, kanë humbur jetën të marrë përpara nga orteku në Passo Stalle, në Alta Val Pusteria, në kufi me Austrinë. Të gjithë këta, janë viktimat e dy ditëve të para, të premte e të shtunë, të të ftohtit, ngricave dhe borës që ka mbërthyer Italinë.

Viktima të tjera edhe sot. Një burrë është gjetur pa jetë sot në mëngjes në Ostia, në të njëjtën zonë ku një ditë më parë ishte gjetur qytetarja ukrainase. Një 50-vjeçar ka humbur jetën në Frigento të provincës Avellino pasi ka pastruar disa metra kubikë borë përpara shtëpisë së tij. Një tjetër 51-vjeçar, Domenico Maiorani, ka ndërruar jetë në Mosciano të Teramos teksa pastronte hyrjen e shtëpisë së tij nga borë. Në të njëjtën situatë, teksa hiqte borën e akullin nga porta e shtëpisë, është rrëzuar, ka përplasur kokën e ka ndërruar jetë edhe 87-vjeçari Vitale Troilo në Archi të Chietit. Në Trieste një 91-vjeçare është rrezuar e ka vdekur për shkak të erës së fortë. Në S. Saverino Marche të Maceratas, Angelo Verdenelli, 79 vjeç, ka vdekur në gjumë pasi kishte hequr borën nga hyrja e shtëpisë për gjithë pasditen e të shtunës. Shkak, sipas mjekëve, infarkti i shkaktuar nga sforcimi i bërë. Dy gra të tjera kanë vdekur në Romë: një 78-vjeçare në stacioni Termini dhe një 66-vjeçare në shtëpinë e saj në Palestrina, dy hapa larg Romës. Një çingalez 37 vjeç, Anton Fernando Warnakulasria, ka vdekur prej të ftohtit në Lucca: e kanë gjetur të vdekur në mëngjes në një kapanon të braktisur në afërsi të qytetit (temperatura natën kishte zbritur në -3).

Ore 12.00

I ftohti dhe bora kanë mbërthyer këtë fundjavë Italinë, veçanërisht Jugun dhe qendrën duke shkaktuar probleme pa fund veçanërisht atje ku bie rrallë si në Romë.
Të premten e të shtunën në të gdhirë bora ka mbuluar gjithë kryeqytetin që nuk ishte parë i tillë që prej vitit 1986. E ndërsa dje prindër me fëmijë, romakë e turistë, pushtuan qendrën e Romës për të luajtur me borë e për të fotografuar monumentet e zbardhura të qytetit të përjetshëm, sot të gjithë i tremben akullit që ka zënë vendin e borës thuajse kudo, për shkak të mangësive në pastrimin e rrugëve.

Në kryeqytetin italian shkollat e zyrat publike janë mbyllur që të premten e do të qëndrojnë mbyllur edhe të hënën. Kryebashkiaku Alemanno ka urdhëruar që askush të mos marrë makinën për të lëvizur në qytet nëse nuk ka zinxhirët e borës apo rrota dimri, urdhër i shtrirë tashmë deri për në orën 12 të të hënës. Ndërkaq me dhjetëra persona që ktheheshin në shtëpi nga puna, kanë mbetur natën duke gdhirë dhe gjatë ditës së shtunë të bllokuar me orë të tëra në makinat e tyre në unazën e madhe të qytetit (GRA). Nuk u ka shkuar më mirë atyre që kanë zgjedhur mjetet publike të transportit. Me përjashtim të dy linjave të metrove, të gjitha të tjerat kanë pasur kufizime e vonesa të forta.
(Vijon)

{gallery}roma-neve{/gallery}

Merrnin çekun social pa qenë në Itali. Probleme për 53 të moshuar

Un grillo reazionario