in

Mes shkrimtarëve italianë dhe shqiptarë në Tiranë

Nga Arjan Th. Kallco

Nuk ndodh shpesh në takimet mes dy brigjeve, të takosh një grup shkrimtarësh italianë të ardhur enkas për një bisedë apo ligjëratë për librin e vet më të fundit të botuar. Po ashtu nuk ndodh shpesh të takosh shkrimtarë shqiptarë që jetojnë në Itali dhe që në 20 vjet kanë fatin e mirë të botojnë poezi dhe prozë në vendin që për ta u shndërrua në atdhe të dytë, apo e shprehur me fjalët e regjizorit të madh Amelio, Amerika e shumëshpresuar për miliona tokësorë. Rafele Nigro, Karmine Abate, Kiara Karminati, Mia Lekomte, Eva Montanari – italianë dhe Kasaruho, Dedja, Jakova – shqiptarë, janë disa nga emrat me të cilët patëm rastin të shkëmbejmë disa mendime dhe të dëgjonim të rejat e nga bota e tyre e librave. Rreth 15 vjet më parë në Tiranë, në sajë të një projekti të gjatë dhe të ngjeshur investimesh në kulturë dhe formim të Ambasadës Italiane, patëm mundësinë të kishim ndër duar disa nga librat e shkrimtarit nga jugu i Italisë, Nigro, dhe tash në projektin e madh Dy popuj, një det, një miqësi, ta njihnim nga afër.

Nuk ka dyshim se shkrimtarët duke qënë udhëtarët e betuar, e kanë rrugëtimin e tyre në çdo cep të globit tonë, ku librat e tyre përkthehen, lexohen dhe vlerësohen. E pra dhe për ne një rast i tillë flet shumë, pikërisht për këto takime që shpesh kapërcejnë kufijtë e  protokolleve dhe bëhen një kuvendim i vërtetë, për më tepër kur shkrimtarët italianë u bënë shtysë për të krijuar një shoqatë me letrarët e parë shqiptarë që prekën brigjet italiane në vitin ’90 dhe që me sy e veshë shihnin tek Europa një shtëpi të përbashkët. Një mikpritje e tillë i ngjan ëndrrave të italianëvë ndaj Mollës së madhe, përtej oqeanit dhe që me internetin po bëhet gjithnjë dhe më e prekshme. Këto fjalë të Nigros më sollën në mend faktin se aspiratat e letërsisë tashmë janë të gjera dhe të shumëfishta, pikërisht edhe mes disaporës sonë në Amerikë, ku letërsia që flet shqip ka kohë që po lulëzon.

Megjithatë si çdo letërsi edhe ajo mes dy brigjeve ka problemet e veta, dhe sipas Nigros, një prej tyre është mungesa e kritikës, e asaj shtyse që herë të ngre në piedestal kur veprat janë të pëlqyeshme dhe herë të hedh poshtë kur nga vetkënaqësia ato kanë pak vlera, por edhe për arsyen më të thjeshtë si pjesë e letërsisë sonë të përbashkët dhe globale. Çdo triumf apo dështim është pjesë e jetës dhe si të tilla duhen marrë me filozofi, duke e pranuar fatin siç vjen, por shërben edhe si një motor kërkues për cilësi në vepra. Dashuria për librin është elitar – theksoi Nigro. Secili prej nesh e kupton se elitar dhe elitë në një krizë mbarëglobale do të thotë një sy më shumë ndaj kulturës dhe letërsisë, do të thotë që letërsia nuk është kalimtare, do të thotë se mundësitë për këto lidhje reciproke dhe bëshkëpunimi duhen parë me dashamirësi nga filantropët dhe mecenatët. Shkrimtarët dhe poetët e tjerë italianë dhe shqiptarë theksuan se takime të tilla na lejojnë të njohim miqë të rinj dhe se integrimi duhet parë si bashkim, lidhje apo miqësi. Globalizmi nuk ka kthim më prapa, por secili të jetë i pranishëm me pjesën e vet të kulturës dhe karakteristikave. Ideja e lexuesit ideal ndoshta ka ndryshuar në këtë kohë, por si poezia dhe proza duhen lexuar dhe duhet diskutuar për to këmbëkryq, për më tepër kur në mes është gjuha, dhe në këtë rast dy gjuhët mes dy popujve. Shumë vepra janë përkthyer, si para viteve ’90, dhe dëshiroj të përmend një nga përkthyesit tanë më të mirë, Shpëtim Çuçkën, ish profesorin tonë të përkthimit, me të cilin pata rast të shkëmbeja disa mendime në dy takime në Tiranë, dhe pas viteve ’90, edhe pse mendoj se nuk janë të gjitha përkthime të shkëlqyera, por të ndikuara nga tregu.

Por takimi më emocionues ishte me shkrimtarin me origjinë arbëreshe, Abate, i cili mund të konsiderohet si një shkrimtar për të cilin barrierat e emigracionit i ka ndjerë kur jetonte në Gjermani. Kur theksoi se nuk ka një identitet të përcaktuar për të në vende të ndryshme ku shkon për takime dhe konferenca, mendova se një fat i tillë çdo shkrimtar do ta dëshironte, pasi jemi të destinuar për një hap të tillë. Natyrisht edhe Abate është në duart e lexuesve shqiptarë me disa libra, por të bën përshtypje shqiptarizma e tij me gjuhën mëmë që nuk e ka harruar, por edhe me karakterin tonë tipik mesdhetar e ballkanas, e gjitha kjo në tone të mrekullueshme kulturore. Abate ka pasur fatin e mirë që të vinte edhe më parë në Shqipëri dhe të njihte vendin tonë edhe para viteve ’90 në vizitat e shumë arbëreshëve në tokën mëmë, bile të kujtonte edhe episode të bukura të shkëmbimeve kulturore mes shqiptarëve. Një nga këto episode lidhet me këngën e serenatave që duke i ndërruar një emër vendi, O moj korçare – o moj karficiote, sillte pak aromë Shqipërie në Kalabri, por edhe i këndonim bukurisë së femrës shqiptare, pavarësisht se ndodheshim në Kalabri – tregon i emocionuar ai. Dhe biseda rrodhi natyrshëm për shumë momente të paharrueshme që lidhen me vendin mëmë, me traditat tona që ende ruhen, bile dhe me një ligj të posaçëm Italian, pasi diversiteti duhet parë si një pasuri kombëtare. E momente të tilla në zemër të Tiranës, në Galerinë Kombëtare, nuk mund të mos i përçoja në këtë artikull, ku vështirë se mund të sillen të gjitha meditimet dhe emocionet e tre ditëve veprimtarish.

 

Çfarë ndodh në kokën e një tifozi

Ngatërresë diplomatike, e kosovari nuk nxirret nga burgu