in

Mes shqiptarëve në Lombardinë e krizës

Milano, Brescia, Bergamo –  zemra industriale e një shteti anemik, ku kriza ekonomike nuk gjendet më vetëm nëpër numrat magjikë të financës. Tashmë ka kafshuar mishin e gjallë të shoqërisë: punësimin. Janë dhjetëfishuar kërkesat për asistencë, dhe INPS-i, po gërmon fundin. Po shqiptarët?

Ndoshta sepse gjithë jetën kemi qenë nën stuhi dhe nuk dimë akoma çfarë është një ditë me diell, ndoshta sepse buka me racion dhe puna nëpër kooperativa kanë qenë më keq. Sidoqoftë, kjo grua e vogël me sytë e kaltër, nuk e ka humbur akoma buzëqeshjen. Tre fëmijë për të mbajtur, një qira për të paguar, dhe një jetë në vend të huaj, që shtrenjtësohet gjithmonë e më shumë. Më tregon se si burri ka humbur punën në ndërtim, dhe se si po jetojnë me rrogën e vajzës së madhe dhe gjysmë-rrogën e saj. Në gusht vajza do të fejohet dhe do të shkojë të krijojë folezën e vet. Ky është afati përfundimtar që kryefamiljari të gjejë një punësim të ri: gushti. “Në të kundër do të kthehemi në Shqipëri, por të paktën, me sakrificat e deritanishme, kemi blerë një palë shtëpi. Të paktën, nuk ngelemi jashtë”.

Fillon këtu udhëtimi im nëpër rrugët e Lombardisë. Milano, Brescia, Bergamo; zemra industriale e një shteti anemik, ku kriza ekonomike nuk gjendet më vetëm nëpër numrat magjikë të financës. Tashmë ka kafshuar mishin e gjallë të shoqërisë: punësimin. Janë dhjetëfishuar kërkesat për asistencë, dhe INPS-i (Instituti i sigurimeve shoqërore), po gërmon fundin.

Po shqiptarët? Pak më të skalitur se të tjerët dhe jo me atë shkallë konsumizmi sa të kenë ardhur në prag të kësaj krize me llogaritë bankare bosh.

planeemigrate.gifJanë kohë të vështira për të gjithë, por “kjo është një provë për mua, sepse një aktivitet është më e vështirë ta mbash sesa ta ngresh”. Thotë Driton Krasniqi, sipërmarrës kosovar në fushën e ndërtimit. “Shtëpitë nuk shiten më dhe, si zinxhir, nuk hapen më kantiere, nuk kërkohen më punëtorë ose pushohen ata që janë. Deri tani kam rezistuar dhe shpresoj të ruaj akoma përmasat e aktivitetit tim”. Më fton të shkoj te restoranti që ka hapur bashkë më vëllanë. “Iliria, quhet”, thekson me krenari emrin dhe, kur e shqipton, i shkëlqejnë sytë, “është më shumë një pikë takimi, se sa një burim fitimi. Duhet të organizohemi më tepër, ua kemi borxh fëmijëve tanë. Të paktën të mos harrojnë gjuhën mëmë”.

Diku zhytur në fushën Padane, takoj Nuri Dadën; një burrë i qetë verior dhe me një fjalë të ngrohtë për këdo. “Jam shqiptar 24 karat, kam investuar në Shqipëri dhe do kaloj pleqërinë time atje. Jam i lodhur së thëni komshiut ‘buongiorno’, tani dua t’i them mirëmëngjes”. Pyes si kriza ka prekur komunitetin tonë dhe Nuriu i ka idetë e qarta. “Ekziston një kategori personash që e kanë ujin në grykë, ata që u gënjyen me dy lekë më shumë dhe filluan punë në të zezë si muratorë, në vartësi të vetë shqiptarëve. Tani që ndërtimet po ndalojnë, janë papunë, pa përkrahje sociale, pa të ardhme. Ka shfrytëzuar shqiptari shqiptarin në vend të huaj”.

Mbi aspektin e fundit, Artor Bisha, i diplomuar në Fakultetin e Ekonomikut në Brescia dhe konsulent financiar, s’është aspak dakord. Më pret në zyrën e tij me një kafe mbi tavolinë, sipas zakonit tonë.”Në kapitalizëm nuk ekziston koncepti i shfrytëzimit, por ai i kontratës.Është një jo-problem, i zgjidhur tashmë nga brenda. Kërkesa ka takuar ofertën, maksimumi mund të jetë një abuzim i fuqisë kontraktuale. Duket një lojë fjalësh, por kush e njeh mirë kapitalizmin, e di që nuk është ashtu”.

E pyes për botën e sipërmarrësve shqiptarë, një realitet në rritje eksponenciale që meriton një hapësirë më vete. Analiza e Artorit është si brisku: e ftohtë dhe e mprehtë në të njëjtën kohë. “Imprenditorët shqiptarë shkojnë nga t’i marrë era. Hapin ndërmarrje të vogla për të mbijetuar dhe jo me një vizion më të gjerë. Nuk ekziston akoma koncepti që kush ka më shumë para, ka më shumë përgjegjësi: jemi tejmase elastikë, nuk na prek fare mendimi që, ndoshta, drejt vartësit, kemi edhe obligime dhe jo vetëm të drejta”. Ecim më tej me bisedën tonë, dhe kërkoj të fokusohemi mbi nevojat e emigrantëve. Ai fikson një pikë të paidentifikueshme mbi tavolinë dhe peshon fjalët me ritëm të ngadaltë. “Ne kemi nevojë për njerëz të shkolluar. Deri tani topi është në fushën e të pasurve, por, për një tribù të konsoliduar, duhet të spostohet te personat me shkollë. Edhe pse kemi kohën armike, ata duhet të rriten, të futen nëpër institucione, të krijojnë lobingje, të braktisin disa aspekte të vjetra që akoma mbijetojnë te prindërit tanë. Desha të shtoj që emigrantët janë thjesht qenie pasive dhe jo aktorë të territorit ku jetojnë. Duke mos u dhënë të drejtën e votës, të paktën për zgjedhjet lokale, shteti italian u ka prerë kordat vokale. Nuk kemi zë në kapitull dhe detyra jonë është mbijetesa”. Për tani…

E vërteta është që ekzistojnë shqiptarë edhe nëpër institucione, madje edhe të rëndësishme, si Dhoma e Tregtisë së Milanos. Ai quhet Astrit Çela, një skraparli i qeshur, një vullkan idesh që flet pa andra, ndoshta sepse gjithçka ka, ia detyron vetes dhe askujt tjetër. Ka qenë i vetmi i huaj i ftuar për qindvjetorin e universitetit prestigjioz Bokoni, si një shembull integrimi, dhe i vetmi shqiptar që, i punësuar nga një agjenci e rëndësishme rajonale, viziton shkollat tetëvjeçare dhe të mesme për dëshmi kundër racizmit. Martuar me grua italiane dhe me një djalë, mbi veten thotë që ka ardhur në Itali nga dëshpërimi, por që po qëndron nga dashuria.

Më pret në Milano, në orën 16.35, dhe ai pesëminutëshi i shtuar pas, më lë të kuptoj që pak milanez është bërë edhe ai. Kur fillon të flasë duket si Osumi në kohë me shi: i zemëruar. “Ta themi haptazi: shteti shqiptar mbahet në këmbë falë emigrantëve. Edhe për ato pak hapa përpara që Shqipëria ka bërë, asnjë politikan i kollarisur nuk mund të ketë surrat për të dalë dhe për të thënë: “është merita ime”. Në Itali jemi gjysmë milionë shqiptarë, motori i vërtetë i një makine, ku klasa politike luan rolin e frenave të dorës gjithmonë të ngritura. Më shumë se 500 mijë veta dhe nuk ka ardhur një parlamentar i vetëm për të pirë një gotë raki midis nesh dhe të na pyesë për çfarë kemi nevojë. Është një turp”. Nuk kam zemër ta ndërpres me pyetjet e mia.

“Italianët vazhdojnë të na kenë halë në sy, falë së kaluarës sonë, por çfarë bën shteti për të na përmirësuar imazhin? Nuk ka projekte, nuk ka vizion për të ardhmen, nuk ka iniciativa. Përmbajtja tipike e telefonatave që më vijnë nga Shqipëria është: shiko, se zbret në aeroport goca e ministrit për të parë ndeshjen, shko shoqëroje. Shiko, se duhet ti gjesh shtëpi kushëririt të drejtorit që vjen për studime. Por tashmë duhet të kenë kujdes edhe mediokrit tanë, sepse nuk jemi më budallenjtë e parë që mund të na përdornin si vegël. Të analizojnë pak fluksin e kursimeve që kthehen në Shqipëri: janë në rënie. Udhëheqës me tru do të ishin tashmë në alarm, por ne, për udhëheqës me tru, kemi tmerrësisht nevojë”.

Po konsullatat dhe ambasada jonë, çfarë roli kanë? – pyes i ndrojtur.

“Duhet të jenë shtëpitë tona, pika referimi, laboratorë idesh, projektesh, nismash për bizneset. Por më vjen keq që, me sa di unë, janë vetëm zyrë vulash, të cilat do të ishte mirë të viheshin në mënyrë më të kulturuar. Po të tregoj një episod o Elton, – dhe unë mezi e pres – Kujtoj njëherë ardhjen e Kryetarit të Parlamentit nga Tirana, për një takim me rektorin e Bokonit. Në pamundësinë e Konsullatës, e organizova në kohë rekord, falë edhe bashkëpunimit me Dr. Giacoletto (Drejtoresha e zyrës së Komunikacionit dhe Strategjisë). Po sikur edhe një faleminderit?! Plus, ku janë marrëdhëniet e përkryera dypalëshe kur një shqiptar, për një bashkim familjar, duhet të presë edhe dy vjet? Ç’interes kanë emigrantët që flijohen nëpër zyra, nëse Berluskoni hëngri një darkë me Saliun? Kuptoj që shteti italian nuk interesohet për shqiptarët, por, me sa duket, as shteti shqiptar nuk pyet për qytetarët e vet”.

Kërkoj t’i marr një mendim mbi komunitetin shqiptar në vetvete, duke lënë mënjanë paaftësinë e drejtuesve. Pikësëpari e pyes nëse jemi një bashkësi.

“Jo, – përgjigjet, – nuk jemi akoma një komunitet. Unë dhe disa të tjerë kemi dhënë shpirtin për të krijuar shoqata shqiptare, por shpirti nuk ka qenë i mjaftueshëm. Duhet të sistemohemi nga ana ekonomike dhe të humbasim maninë e protagonizmit, sepse nuk jemi të zotët njësoj. Por mentaliteti po ndryshon, është një dëshmi edhe vetë fakti që po flasim bashkë. Disa vite më parë nuk do e kisha bërë”.

Tashmë u bë vonë dhe nuk dua t’i vjedh më kohën që zakonisht ia kushton familjes. Përshëndetemi në hyrje të sheshit qendror, përballë kishës madhështore që çjerr me kolonat e saj qiellin. Për ironi të fatit, mbi kokë valëvitet flamuri shqiptar i konsullatës: gjendet në një ndër pozicionet më të preferuara dhe të kushtueshme të qytetit. E kam ditur që shteti ynë është i pasur me vlera, por akoma nuk më kishte shkuar mendja që është i pasur edhe me para. Shqipëria të lë gjithmonë me gojë hapur. Edhe jashtë kufijve të saj.

Elton Xhanari

Bota shqiptare 215 – 10 qershor 2009

Anbeta Toromani, kjo shtrigë engjëllore

Konvertimi i patentave shqiptare tani është realitet