Voula Papachristou paguan shtrenjtë një batutë mbi emigrantët afrikanë, mushkonjat dhe ethet e Nilit. Tani kërkon falje: “Nuk doja të fyeja askënd”
“Me gjithë këta afrikanë në Greqi, mushkonjat që vijnë nga Nili perëndimor do të kenë ushqimin nga vendi i vet”. Kushedi sa ka hequr atletja greke në kërcim së gjati Voula Papachristou për t’u kualifikuar për në Olimpidat e Londrës, por i kanë mjaftuar pak rreshta në Twitter për t’i thërrmuar çdo shpresë të mundshme medaljeje.
Batuta mbi “Ethet e Nilit” (sëmundje që prek kafshët e njerëzit dhe transmetohet nga mushkonjat) është vlerësuar nga krerët e komitetit olimpik grek “në kundërshtim me vlerat dhe idetë” e Lojërave olimpike. Përfundimi është që Papachristou, kampione e vendit në kërcim së gjati “do të kapërcejë” pa marrë pjesë Lojërat e Londrës: është skualifikuar e nuk do të niset me delegacionin e vendit të saj.
“Jam e pikëlluar – shkruan tani në Facebook – nuk doja të ofendoja asnjë e aq më pak të nëpërkëmbja të drejtat njerëzore. Ëndrrat e mia janë të lidhura me Olimpiadat, nuk do të merrja dot pjesë po të mos respektoja vlerat e Lojërave. Nuk besoj në asnjë lloj diskriminimi, dëshiroj t’u kërkoj ndjesë të gjithë atyre që janë ndier të fyer, grupit olimpik, dhe personave që kanë mbështetur karrierën time si atlete”.