Nga Vatikani në Tiranë për t’u ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare, nga data 12 deri më 28 nëntor 2012
Tiranë, 11 nëntor 2012 – Ka mbërritur nga Selia e Vatikanit në Tiranë kopja origjinale e librit të parë shqip, Meshari i Gjon Buzukut.
Kopja origjinale e Mesharit e cila daton që nga viti 1555 vjen në Tiranë me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, dhe do të ekspozohet në Bibliotekën Kombëtare nga nesër në orën 18:00 deri më datën 28 nëntor.
Biblioteka Apostolike e Vatikanit pranoi kërkesën e Shqipërisë, që përmes ministrit Bumçi i kërkoi tetorin e vitit 2011 mundësimin e ekspozimit të përkohshëm në Shqipëri të librit të parë të shkruar në gjuhën shqipe, Meshari i Gjon Buzukut, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar.
Që nga botimi e deri me 1740, gati dy shekuj, “Meshari” ishte një vepër e humbur, një vepër e panjohur. Më 1740 në Bibliotekën e Propaganda Fides, afër Romës, Mesharin e at Gjon Buzukut (1555) e zbuloi ipeshkvi i Shkupit Imzot Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova.
Libri mendohet të jetë shtypur në Venedik me alfabetin latin, duke shtuar disa shenja cirilike për tingujt në shqip. Ky zbulim bëri bujë të madhe, sepse është libri i parë në gjuhën shqipe.
Ky zbulim mbeti në heshtje për më tepër se një shekull, deri kur në vitin 1909, e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi, në Bibliotekën e Vatikanit, ku gjendet edhe sot me shënimin Katalogu: R.G. Liturgia III, 194.