Nga Vatikani në Tiranë për t’u ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare, nga data 12 deri më 28 nëntor 2012
Tiranë, 13 nëntor 2012 – Për herë të parë po ekspozohet në Shqipëri vepra origjinale “Meshari” i Gjon Buzukut, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare, ku do të qëndrojë deri në fund të këtij muaji.
Pas një kërkese të autoriteteve shqiptare, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, vepra që njihet si libri i parë shqip, i botuar në vitin 1555, erdhi nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit, pasditen e djeshme.
Në ceremoninë e ekspozimit të librit, ku ndodhej edhe kryeministri Berisha, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, tha se ardhja në Shqipëri për herë të parë e ekzemplarit të vetëm të “Mesharit” është një ngjarje historike. “Buzuku është autori më i studiuar në kulturën shqiptare dhe studiuesit që janë marrë me veprën e tij nuk kanë patur mundësinë ta kenë në duar veprën origjinale dhe të punojnë me të”, tha Plasari.
“Meshari” është ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare, përkrah botimeve të ndjekësve të tij, si Matrënga, Budi, Bardhi, Bogdani, Kazazi, Variboba, etj. Libri është i vendosur në një inkubator, i cili plotëson të gjitha kushtet klimatike në të cilat duhet të qëndrojë libri. Një korrier nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit ka sjellë librin pasditen e 11 nëntorit në Aeroportin “Nënë Tereza”, ku është pritur nga përfaqësues të MTKRS-së.
Përveç sigurisë që plotëson Biblioteka Kombëtare, “Meshari” i Buzukut do të ruhet edhe nga forca të Policisë së Shtetit gjatë 24 orëve.
“Meshari” i Gjon Buzukut, që njihet si libri i parë shqip (1555), ka 188 faqe dhe i mungojnë 16 faqet e para, por edhe disa të tjera në mes. Duke mos pasur kopertinën dhe faqen e parë në origjinal, realisht nuk dihet titulli i tij i vërtetë dhe as vendi i botimit. Emri i autorit dhe i të atit, së bashku me kohën që ka zgjatur puna për të, 20 mars 1554 deri më 5 janar 1555, janë në pasthënien e veprës.
Gjuha e veprës është ajo e dialektit të Shqipërisë veriore e perëndimore. Për disa tinguj të shqipes si q, gj, th, dh, z, x, etj; që nuk i përkasin gjuhës latine, autori përdor pesë shkronja që kanë përngjasim me disa shkronja të alfabetit cirilik. Përmbajtja e veprës dëshmon për përdorimin e shqipes në shërbesat fetare. Kryesisht ka pjese liturgjike, pjesë që lexohen vetëm prej klerikëve në shërbesat kishtare, përkthim i një libri latinisht i shkruar me alfabetin latin.
Ndoshta po ta kishte kopertinën ose faqen e parë, libri mund të ishte zhdukur, sepse, me sa duket, ka qenë në listën e atyre librave që kanë qenë ndaluar. Kështu që janë zhdukur nga qarkullimi të gjitha kopjet e tij dhe mbeti vetëm kjo që është e gjymtuar, që me sa duket ka qenë përdorur shumë. Veç fletëve të grisura, në shumë faqe anash ka shënime e emra priftërinjsh, që, me sa duket, e kanë pasur nëpër duar.
Krahas “Mesharit” origjinal është ekspozuar edhe një riprodhim fotografik i librit, sjellë në Shqipëri nga studiuesi At Justin Rrota, në vitin 1929 dhe që ndodhet në fondin e BKSH-së.