Në fjalën e tij të parë si kryetar i kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta foli për kujdesin ndaj emigrantëve.
Ai tha se ligjvënësit duhet të kujdesen më më shumë për çdo qytetar Shqipërisë, kudo ku jeton, jo vetëm nga Vermoshi në Konispol, por edhe jashtë vendit, “sepse është e drejta e tyre të jetojnë në mirëqënie”.
“Përkujdesja jonë do të rritet edhe për ata qytetarë që jetojnë jashtë kufinjve, në trojet shqiptare apo në emigracion. Ata janë pjesë e botës sonë shqiptare, dhe përkujdesja ndaj tyre është detyrim madhor dhe kushtetues për të gjithë ne”, deklaroi Meta.
Përkujdesja për emigrantët ishte edhe ndër premtimet elektorale, për të cilat edhe shumë shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë erdhën në atdhe për të votuar të majtët.
Programi zgjedhor i PS-së, në pjesën “Ripërtëritja e shoqërisë”, kur flet për pensionet, mes të tjerash thotë:
Zgjidhje, brenda mandatit të parë qeverisës, problemit të sigurimit të emigrantëve përmes:
• mundësimit të trajtimit të barabartë të emigrantëve shqiptarë me punëtorët vendas në shoqëritë pritëse;
• bashkimit të periudhave të sigurimit dhe transferimit të të drejtave të përfitimit;
• intesifikimit të bashkëpunimit dhe marrëveshjeve dypalëshe me vendet pritëse.
Në kapitullin e tërë kushtuar emigrantëve “Përkushtim ndaj shqiptarëve që punojnë dhe studiojnë jashtë vendit” renditen një sërë pikash të tjera të rëndësishme për emigrantët, duke filluar pikërisht nga e drejta e votës. Partia Socialiste zotohet për “Miratim të Ligjit për Votën e Jashtme, duke mundësuar votimin për të gjithë emigrantët dhe studentët që jetojnë jashtë vendit”, për “Krijim të një pakete financiare për të lehtësuar emigrantët të cilët duan të investojnë kursimet e tyre në ekonominë shqiptare” apo për “Fond të dedikuar qeveritar për abetare, libra dhe materiale të tjera pedagogjike të gjuhës shqipe, i fokusuar veçanërisht në Greqi dhe Itali”.
Urojmë që këto të mos mbesin vetëm fjalë të bukura mbi letër por të realizohen së shpejti, madje edhe ndonjë tjetër që mund të individualizohet gjatë një bashkëbisedimi e bashkëpunimi me emigrantët. Nuk duhet harruar se shpresa se Shqipëria mund të kishte një ministri për diasporën apo emigracionin u shua që në fund të korrikut kur Rama paraqiti strukturën e qeverisë së re.