Droga fshihej në karroceritë e modifikuara të dy veturave. Të arrestuarit janë dy shqiptarë e një bullgar rezidentë në Milano
Romë, 2 gusht 2015 – Falë një kontrolli të rastësishëm të një veture të ndaluar në rrugën Stephenson pranë EXPO në Milano, të enjten e shkuar në mbrëmje, karabinierët kanë zbuluar e sekuestruar 36 kg heroinë që po të hidhej në treg do të vlente rreth 2-2,3 milionë euro.
Karabinierët kanë zbuluar se vetura, një Fiat Croma e bullgarit Ivan Penchev, 26 vjeç, ishte modifikuar në pjesë të ndryshme të karrocerisë për të fshehur aty drogën. Bullgari, korrieri i drogës, me precedent penalë, po takohej me shqiptarët Shahin Jusufin, 28 vjeç, dhe Florian Lanin, 39 vjeç, që po blenin sasinë e drogës për ta shpërndarë më pas në tregun e Milanos me doza të vogla. Karabinierët kanë gjetur edhe 80 mijë euro në të holla që sipas forcave të rendit duhet të ishte paradhënia që dy shqiptarë poi jepnin korrierit bullgar.
Në garazhin e një apartamenti të zonës që përdorej nga njëri prej shqiptarëve, është gjetur një tjetër veturë në të cilën ishte krijuar një hapësirë e posaçme pas autoradios, vend ideal për të fshehur doza të vogla droge. Ndërsa në apartament kanë gjetur mjete të ndryshme të nevojshme për paketimin e heroinës, si dhe sasi të mëdha kafeine dhe paracetamoli që përdoren për t’u përzier me drogën.
Të tre janë arrestuar me akuzën e mbajtjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Video dhe fotografi të Karabinierëve: