in

Milano. Pa dashje derdh rërën e maces përdhe, pronari i thyen këmbën me çekiç

Viktima është një shqiptar 60 vjeçar që shpërndan publicitet derë më derë. Tani e kanë shtruar në spital me frakturë të shpërbërë të këmbës. Arrestohet i riu 22 vjeçar që e ka goditur

Romë, 28 mars 2013 – Pasditen e të mërkurës, po shpërndante fletëpalosje publiciteti derë më derë, në Rescaldina të provincës së Milanos, kur pa dashje ka shkaktuar derdhjen e një qeseje me rërë për macet përdhe përpara një banese.

Ka mjaftuar kaq gjë për të shkaktuar reagimin e ashpër të të zotit të shtëpisë, që nuk ka ngurruar të marrë një çekiç e të godasë “fajtorin” duke i shkaktuar plagë të rëndë. Agresori është një 22 vjeçar, tashmë i arrestuar nga karabinierët për lëndimet e rënda shkaktuar viktimës, që është një 60 vjeçar shqiptar që e fiton bukën me punë të rastësishme si shpërndarja e fletëpalosjeve publiciteti.

Sipas rindërtimit të ngjarjes nga karabinierët me ndihmën e viktimës dhe të dëshmitarëve, i riu i është vërsulur të moshuarit sapo ka parë rërën të derdhur përpara derës së shtëpisë. Gjatë grindjes ka hyrë në shtëpi, ka marrë një çekiç karpentierësh dhe ka goditur me forcë 60 vjeçarin në këmbën e majtë, duke i shkaktuar plagë të rënda. Tani është shtruar në spitalin Mater Domini të Castellanza-s ku do të operohet për frakturën e shpërbërë që ka pësuar.

I riu, që ka pranuar para karabinierëve se e ka goditur të moshuarin por është justifikuar duke thënë se edhe 60 vjeçari e kishte sulmuar, tani gjendet në burgun San Vittore të Milanos me akuzën e shkaktimit të lëndimeve të rënda.

De Biasi: “Shqipëria në kampionatin botëror? Tani njerëzit e besojnë”

Romë. Sekuestrohen 4 kuintalë marijuanë, arrestohen tre persona