in

Ministri italian i Mbrojtjes në Tiranë

Giampaolo Di Paola, ministri i mbrojtjes i qeverisë Monti, takoi në Tiranë homologun e tij Imami si edhe ministrin e Jashtëm, Haxhinasto e kryetaren e Kuvendit, Topalli

Tiranë, 11 prill 2012 – Ministri italian i Mbrojtjes, Giampaolo Di Paola, konfirmoi sot në Tiranë mbështetjen e Italisë në modernizimin e ushtrisë shqiptare, ndërsa e konsideroi Shqipërinë një vend partner dhe aleat, në kuadër të bashkëpunimit në NATO.

Gjatë një konference për shtyp me ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Arben Imami, ministri Di Paola, i rikthyer në Shqipëri pas rreth 20-vitesh, tashmë në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes, tha se Italia e ka mbështetur fuqishëm anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancë dhe tani aspiratën e saj për anëtarësim në BE.

“Italia ka investuar mjaft në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe frytet e tij do të preken së afërmi, vetëm pas integrimit të të gjithë vendeve ballkanike në NATO”, tha Di Paola, duke shtuar se në këtë proces Shqipëria mund të luajë një rol të rëndësishëm, kyç.

Ministri italian vuri në dukje angazhimin e Italisë për të vijuar mbështetjen në procesin e modernizimit të ushtrisë shqiptare, në të gjitha fushat.

“Do të mbështesim modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare dhe rritjen e aftësive të tyre në cilësinë e anëtarit të NATO-s, si në fushën e armatimeve të forcave tokësore; në fuqizimin më tej të batalionit të dytë të motorizuar; në sektorin detar për fuqizimin e kontrollit dhe mbikëqyrjen e të gjithë zonës bregdetare të Adriatikut e më gjerë; në sektorin e forcave ajrore, si dhe në fuqizimin e Policisë Ushtarake”, theksoi sot në Tiranë ministri Di Paola.

Ai siguroi se Italia e sheh Shqipërinë një vend partner dhe aleat në Afganistan dhe kudo ku NATO kontribuon me misione paqeruajtëse.

Nga ana e tij, ministri Imami, duke vlerësuar asistencën e palës italiane për mbrojtjen shqiptare gjatë këtyre viteve, theksoi vazhdimësinë e bashkëpunimit me vendin fqinj, ndërsa shprehu nevojën e mbështetjes së karabinierisë italiane për policinë ushtarake shqiptare.

Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar me këtë rast në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes, ministri Di Paola u prit me nderimet ushtarake të rastit.

Rreth mesditës ministri Di Paola u takua edhe me zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto dhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Rona Nishliu në turne për të promovuar këngën “Suus”

Taksa mbi lejet e qëndrimit. Nuk rimbursohet as nëse dokumenti nuk lëshohet