Tre takime pune për ministren e Integrimit Klajda Gjosha në Romë. Zëvendësministrja e Jashtme, Marta Dassú, i konfirmon ministres shqiptare vizitën në Tiranë të shefes së diplomacisë italiane Emma Bonino për në datë 9 tetor
Romë, 24 shtator 2013 – Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, mori pjesë në takimin teknik për hartimin e Programit tripalësh të Bashkëpunimit Territorial Itali-Shqipëri-Mali i Zi për vitet 2014-2020 që u mbajt të hënën në Romë. Ky program ka një rëndësi të veçantë për thellimin e bashkëpunimit mes tre vendeve dhe është një mundësi e mirë për thithjen e fondeve të Bashkimit Evropian. Gjatë këtij takimi, ministrja Gjosha renditi dhe disa nga fushat prioritare, ku Shqipëria mund të përfitojë nga asistenca e BE si infrastruktura, mjedisi, trashëgimia kulturore, arsimi, inovacioni, kërkimi shkencor, etj.
Gjatë qëndrimit një ditor në Itali ministrja Gjosha pati një takim edhe me Ministrin italian të Kohezionit Territorial, Carlo Trigilia. Sipas komunikatës së shtypit të ministrit Trigilia, dy ministrat vlerësuan çuarjen përpara të programeve të kooperimit mes rajoneve italiane dhe shqiptare, në kuadrin e zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe për favorizimin e integrimit progresiv të Shqipërisë në BE.
Trigilia i është referuar edhe iniciativës Adriatiko-Jonike, program në fazën e shqyrtimit teknik dhe që do të përfshijë të gjitha rajonet që lagen nga dy detet e që në të ardhmen synon edhe përfshirjen e vendeve të tjera fqinje.
Dy ministrat kanë rënë dakord se duhen hartuar programe të reja të përbashkëta të mbështetur në eksperiencën e shkuar, duke kapërcyer pikat problematike e duke promovuar praktikat frytdhënëse që mund të përsëriten. Mes fushave të bashkëpunimit ministrat kanë parë si një pikënisje të mirë traditën kulturore “për të promovuar – janë shprehur ata – një njohje reciproke më të thellë”.
Takimi i tretë i Ministres Gjosha ishte ai me zëvendës ministren Italiane të Punëve të Jashtme, Marta Dassú. Ministrja Gjosha, pasi bëri një paraqitje të shkurtër të reformave prioritare që ka planifikuar të ndërmarrë në vijim qeveria shqiptare, e ka siguruar zëvendës ministren italiane se Ministria që ajo drejton ka vendosmërinë dhe përgjegjësinë e madhe ta shndërrojë në realitet ëndrrën e shqiptarëve për integrim në BE.
Biseda është fokusuar më tej tek rëndësia që ka për të dy vendet projekti i gazsjellësit Trans-Adriatik TAP për nxitjen e investimeve të ndërsjellta dhe të punësimit. Të dyja personalitetet u angazhuan për mbështetjen e vazhdueshme të qeverive respektive në implementimin me sukses të këtij projekti. Në fund, Dassú njoftoi se ministrja italiane e Punëve të Jashtme, Emma Bonino, do të zhvillojë një vizitë zyrtare më datë 9 tetor në Tiranë.