in

Elton Kalica. Minutat e fundit pas hekurave

Nga ditari i Elton Kalicës. 25 tetor 2011. “Në fatkeqësinë e burgut, jo gjithçka është për t’u hedhur poshtë”
Më 25 tetor Kalica mbaroi dënimin e tij. Shpresonte që pas shlyerjes së borxhit që kishte me shoqërinë, të gëzonte më në fund lirinë, por e gjeti veten të mbyllur në një qendër identifikimi e dëbimi, gjë që nuk mund të imagjinonte teksa shkruante këta rreshta të ditarit të tij, pak çaste para daljes nga burgu

Tashmë burgu mori fund edhe për mua. Gjithnjë e kam parë jetën si një seri koincidencash të udhëhequra nga rastësia e nuk e mohoj që fëmijëria dhe adoleshenca ime mund të konsiderohen me fat. Vetëm kur u rrita më përndoqi një sërë koincidencash të pafat dhe të ankthshme që, bashkuar me zgjedhje të gabuara, më mbajtën këtu brenda për vite me radhë. Megjithatë mund të them se gëzimet nuk i përkasin vetëm jetës së shkuar. Në fatkeqësinë e burgut, jo gjithçka është për t’u hedhur poshtë. Këtu brenda kam njohur njerëz interesantë, me humanizëm  të mahnitshëm, kam bërë një punë që më pëlqen në redaksinë e Ristretti, kam studiuar dhe jam diplomuar, dy herë: natyrisht çastet e lumturisë janë akoma më të shkurtra se kur jam jashtë, por mendoj se fati i keq ndonjëherë lëshon pe edhe me mua, sa për të më dhënë një çast për të marrë frymë. 

Në katërmbëdhjetë vjetët, dy muajt e dymbëdhjetë ditët e fundit, kam bërë hesapet me një ekzistencë të lënë pezull, duke përballuar çdo ditë poshtërimin dhe frustrimin që vetëm burgu di të pjellë. Nga ana ime jam përpjekur gjithnjë të mos mendoj për vendin ku ndodhesha duke u marrë me tjetër gjë, por ajri shpesh ka qenë mbytës e vetmia shtypëse. Në ato çaste, instinktivisht jam kapur pas kujtimeve, duke udhëtuar në labirintin e asaj bote të vogël që kam njohur para se të përfundoja pas hekurave. Kujtime që i kam hedhur të zezë mbi të bardhë me dëshirën për t’u rebeluar nga shëmtimi shpirtëror që ky vend rrezikonte të më shkaktonte, por edhe për të treguar se si këtu brenda ndodhen mbi të gjitha persona, që vijnë nga jetë “normale”, me histori shpesh interesante, dhe jo përbindësha .

Kështu kam shkruar disa tregime në të cilat përshkruaja periudhën e shkollës dhe shokët e mi të klasës. Nuk e mohoj që, shpesh, sjellja në kujtesë e asaj faze të ekzistencës më ka ndihmuar të gjej frymëzim për të arsyetuar mbi çështje aktuale, mbi politikën dhe shoqërinë. Herë të tjera, të folurit për shokët e shkollës më ka gëzuar me kujtimin e imazhit tonë të adoleshencës që ruaj me xhelozi në mendje. Që nesër ndoshta do të kthehem në vendet që kam përshkruar gjatë këtyre viteve, por lagjja, rrugët, pallati, shtëpia nuk do të jenë ato të tregimeve të mia. Nuk do të jenë më shokët që kisha kur isha 19 vjeç, e dashura ime 17 vjeçe, e nuk do t’i kërkoj më paratë nënës sime. Nga nesër duhet të jem personi që bota reale pret prej meje: një 35  vjeçar me përvojën, njohuritë dhe mendjen e një 35 vjeçari, ndërkohë që jeta ime e përjetuar është ndalur te 19 vjetët.

Por janë gjëra që nuk më trembin. E ndërsa mezi pres të rizbuloj botën, mbyll një kapitull të gjatë e të përvuajtur të jetës sime me bindjen që, ashtu si kujtimet e bukura të jetës sime janë kthyer në gomë shpëtimi në periudhat më të këqija të burgut, edhe në momentet e pashmangshme kur jeta “e lirë” do të më trajtojë keq do të kujtoj burgun, personat që më kanë dashur, betejat e fituara dhe ato të humbura, lotët dhe gëzimet e këtyre viteve dhe jam i sigurt që do të rigjej forcat për të ecur përpara, siç kam bërë deri tani. E burgu nuk do të jetë më një makth nga ku t’ia mbath, por një mësim jete që do të mbaj gjithnjë në mendje në betejën e përditshme të jetës”.

Lexo edhe: Elton Kalica. Nga burgu në Cie

Elton Kalica. Nga burgu në Cie

Kultura kombëtare nuk është shuma algjebrike e votave politike