20 milionë euro nga borxhi që i detyrohet Italisë, do të përdoret nga Shqipëria për realizimin e projekteve për zhvillim në fushat e arsimit, shëndetit dhe të gjenerimit të punësimit
Tiranë, 25 tetor 2011 – Komisioni parlamentar i Ekonomisë miratoi të hënën marrëveshjen “Për konvertimin e borxhit për zhvillim”, me vlerë 20 milionë euro, fond i cili do të përdoret për investime.
Sipas përfaqësuesit të ministrisë së Financave, Resmi Ibraj, nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar dy muaj më parë, më 24 gusht 2011, i hapet rruga programit të konvertimit të një pjese të borxhit që Shqipëria ka ndaj Italisë, parashikuar në Protokollin e bashkëpunimit dypalësh. “Ky Program do të jetë i orientuar për zhvillimin social, në veçanti për sektorin e shëndetësisë, arsimit dhe politikat e punësimit”, tha Ibraj.
Në bazë të skemës së konvertimit, një pjesë e borxhit deri në shumën 20 milionë euro për disa kredi te akorduara nga qeveria italiane, nuk do t’i paguhen kësaj të fundit, por do të depozitohen në një llogari fondi kundërparti (CPF). Pagesat në këtë fond do të bëhen në njëmbëdhjetë këste. Fondi i grumbulluar në këtë mënyre do të përdoret për realizimin e projekteve për zhvillim që do të identifikohen bashkërisht nga të dy palët dhe që do të jenë të fokusuara në fushat e arsimit, shëndetit dhe gjenerimit të punësimit.
Për realizimin e këtij programi në mbështetje të politikave të zhvillimit social, do të funksionojë një Komitet i përbashkët menaxherial. Afati i përdorimit të fondit për realizimin e projekteve të përzgjedhura është deri në dy vjet që nga momenti i depozitimit të këstit të fundit në llogarinë e fondit CPF.
Pavarësisht se opozita votoi pro kësaj marrëveshje, ajo nënvizoi se qeveria nuk ka mundësi ta shlyejë borxhin, ndaj dhe është bërë kjo marrëveshje. Marrëveshja u miratua me konsensus edhe në komisionin e Ligjeve.
Lexo edhe: Shqipëria do të përdorë një pjesë të borxhit që i ka Italisë për projekte zhvillimi