in

Objektet personale të Gjergj Fishtës në ekspozitë

Në 140 vjetorin e lindjes disa objekte të Gjergj Fishtës ekspozohen në muzeun historik kombëtar në Tiranë

Tiranë, 25 tetor 2011 – Sende personale të Gjergj Fishtës ekspozohen për herë të parë në 140 vjetorin e tij të lindjes. Bastuni i tij i vitit 1933, tavolina e punës, makina e shkrimit e lahuta janë disa nga objektet e veçanta, pjesë e ekspozitës së çelur pasditen e të hënës në Muzeun Historik Kombëtar. Marrë nga koleksione personale, në përkujtim të Fishtës janë ekspozuar edhe dorëshkrime, letër këmbime, fotografi, medalje, që dëshmojnë aktivitetin letrar të rilindësit, por edhe jetën e tij politike, përpjekjet për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë.

Ekspozita është konceptuar në dy pjesë. Në njërën pasqyrohet jeta e tij përmes fotografive, librave e objekteve personale ku vihet në dukje edhe bashkëpunimi i Fishtës me shoqëritë patriotike e kulturore, pjesëmarrja në Kongresin e Manastirit, Konferencën e Paqes në Paris, etj.

Ndërsa në pjesën e dytë pasqyrohet veprimtaria e poetit në fushën e letrave mes ekspozimit të botimit origjinal të “Lahutës së Malësisë”, apo “Mrizit të Zanave”, veprimtaria si redaktor në revistat “Hylli i Dritës”, “Zani i Shna Ndout”, etj.

I pranishëm në çeljen e ekspozitës, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, tha se ruajtja e objekteve të Fishtës është një provë unike për popullin tonë pavarësisht dënimeve që ekzistonin në atë kohë. Për shkak të represionit sllavo-komunist ka qenë e vështirë gjetja sendeve personale dhe fotografive të Gjergj Fishtës. Në vitin 1945 filloi represioni sistematik ndaj klerikëve në Shqipëri e në veçanti ndaj veprës së tij.

Ministri njoftoi që shtëpia e At Gjergj Fishtës, në fshatin Fishtë, në Zadrimë të Lezhës do të rindërtohet dhe do të shndërrohet në një muze bashkëkohor në lartësinë e këtij personaliteti të kulturës kombëtare si dhe po shqyrtohet mundësia e vendosjes në skenë për herë të parë të një vepre të tij nga Teatri Kombëtar.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi, u shpreh se me veprat e tij, Fishta mbetet një emër i madh në kulturën shqipe të gjysmës së parë të shek XX.

Gjergj Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor. Teolog, shkrimtar (poet e prozator), historian, pedagog, filozof, piktor (mendohet të ketë mbi 20 piktura), deputet, wshtë shqiptari i parë i kandiduar për Nobël për letërsinë.

Më 1913 botoi librin “Mrizi i Zanave” dhe pas 35 vjet pune, më 1937 nxorri “Lahuta e Malcis”, një vëllim prej 17 000 vargjesh, që u cilësua si Iliada shqiptare ose Bibla e lëvruesve të shqipes.

Ishte kryetar i kongresit të Manastirit dhe propozimi i tij fitoi në unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në tetor 1913 nxjerr revistën “Hylli i dritës”, ndërsa më 23 tetor 1913 shpalos flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia.

Miratohet në komisionin e Ekonomisë marrëveshja për konvertimin e borxhit italian

Mbi 14 mijë episode të dokumentuara shpërndarjeje droge. Arrestohen 23 vetë