Mbahet në Modena konferenca me titull “L’integrazione delle donne migranti. Il caso albanese” që merr shkas nga libri “Donne D’Albania. Tra migrazione, tradizione e modernità”. Promovohet nga Shoqata Nënë Tereza e Modenës dhe revista “Confronti”, me patronazhin e Komunës
Romë, 11 maj 2018 – Në Modena, në datën 19 maj 2018, ora 11.00, në Sala Civica Villaggio Giardini, via Marie Curie 22, do të zhvillohet konferenca me titull “L’integrazione delle donne migranti. Il caso albanese” (Integrimi i grave migrante. Rasti shqiptar), e organizuar nga Shoqata Nënë Tereza e Modenës dhe revista “Confronti”, me patronazhin e Komunës së Modenës.
Nisma merr shkas nga libri “Donne D’Albania. Tra migrazione, tradizione e modernità”, (Gra të Shqipërisë. Midis migrimit, traditës dhe modernitetit), përgatitur për botim nga sociologu Rando Devole dhe drejtori i revistës Confronti, Claudio Paravati. Është libri i parë që flet për gratë e vajzat shqiptare në Itali e për rolin e tyre në vendin ku kanë mërguar e në atdhe. Një botim i vyer për vetë gratë dhe për të gjithë ata që merren me çështje kulturore, sociale dhe migratore.
Në konferencën e Modenës, hyrja do të bëhet nga Rossella Giulia Caci (Acli Modena), ndërsa përshëndetjet institucionale do të zhvillohen nga Konsullata shqiptare në Milano dhe nga Andrea Bosi, Asesor për Europën e kooperimin ndërkombëtar të Komunës së Modenës.
Ligjëratat do të mbahen nga Bruno Ciancio (Universiteti i Modenës, Koordinator i masterit ndërkulturor), Laura Solieri (gazetare), Ndue Lazri (President i Fnai), Rando Devole (sociolog), Florinda Cera (brezi i dytë), Claudio Paravati (Drejtor i revistës e qendrës kërkimore “Confronti”).
Veprimtaria do të moderohet nga Danaida Delaj (Presidente e Shoqatës Nënë Tereza Modena).