in

Monti: “Mbështesim të bindur përpjekjet e Shqipërisë drejt BE-së”

Në konferencën e përbashkët për shtyp të dy kryeministrave në pallatin Chigi në Romë, Monti uroi 100-vjetorin e pavarësisë shqiptarëve ndërsa  Berisha e ftoi në Shqipëri duke i thënë se deri më sot ka pritur të gjithë kryeministrat italianë, nga Craxi, Andreotti e deri të i fundit

Romë, 7 maj 2012 – Në radhë të parë, kryeministri italian uroi Berishën për 100 vjetorin e pavarësisë dhe më pas preku disa aspekte të marrëdhënieve dypalëshe. “Jemi shumë të kënaqur për faktin se edhe në vitin 2011 Italia është konfirmuar partneri i parë ekonomik i Shqipërisë”. Kështu u shpreh kryeministri Monti në konferencën e shtypit në përfundim të takimit me kryeministrin shqiptar Berisha, të mbajtur sot në mesditë në pallatin Chigi. Monti nënvizoi rritjen e marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve: “eksporti italian drejt Shqipërisë në vitin 2011 ka arritur në 1.145 milionë euro (+18% në krahasim me një vit më parë) ndërsa importi italian nga Shqipëria ka arritur në 657 milionë euro (+14% krahasuar me 2010)”.

Kryeministri Monti tha gjithashtu se i shprehu homologut shqiptar “vlerësimet për përpjekjet e bëra nga Shqipëria për nisjen e reformave të nevojshme në rrugën drejt BE-së” dhe nënvizoi se “angazhimi konstant i Qeverisë dhe i opozitës janë të domosdoshme që Shqipëria të bëjë progres drejt Europës. Për sa na takon, vazhdojmë të mbështesim në mënyrë konstante dhe me bindje të ardhmen evropiane të Tiranës”.

“Megjithë nevojën e vazhdueshme të Italisë për të kufizuar shpenzimet publike, – tha Monti duke kujtuar krizën që po kalon Italia – veprimtaria e bashkëpunimit italian për zhvillimin, në Shqipëri, vazhdon të jetë e konsiderueshme. Në dhjetëvjeçarin e fundit, qeveria italiane ka dhënë një kontribut total në ndihmë të bashkëpunimit për zhvillim, përmes dhurimit dhe kredive prej 247 milion euro, i cili në 2010 është rritur me një kontribut të mëtejshëm prej 51 milionësh eurosh”.

Monti pati fjalë pozitive për komunitetin shqiptar në Itali: “Vlerësojmë gjallërinë e komunitetit shqiptar në Itali që me rreth 500 mijë persona të pranishëm në Vendin tonë përbëjnë komunitetin e dytë të huaj, të integruar përditë e më shumë. Edhe për këtë arsye Italia mbështeti me forcë procesin e liberalizimit të vizave mes Shqipërisë dhe BE-së”.

Kryeministri shqiptar Berisha, falënderoi Montin për mikpritjen, kujtoi se për herë të parë e kishte takuar në vitin 1996 kur ishte komisar evropian dhe e ftoi atë të vizitonte Shqipërinë në këtë vit jubilar: “Deri më sot kam pritur të gjithë kryeministrat italianë – tha Berisha – nga Craxi, Andreotti e deri te i fundit (pa përmendur emrin e të fundit gjë që solli njëfarë ilariteti mes gazetarëve të shumtë të pranishëm në sallën e konferencës). Shpresoj të mund të pres edhe Montin”.

Berisha tha se me kryeministrin Monti diskutoi edhe se si të “inkurajohen investitorët italianë në Shqipëri” dhe “mbi projektet e mëdha energjetike dhe të bashkëpunimit në të gjithë sektorët e ekonomisë”.

Kreu i qeverisë shqiptare i shprehu mirënjohjen e tij kombit italian për mikpritjen ndaj shqiptarëve: “nga mesjeta deri në ditët tona shqiptarët janë nisur drejt këtij vendi për një jetë më të mirë. Ndaj sot janë rreth një milion shqiptarë që jetojnë në këtë shtet”. 

Si rrallëherë në konferenca shtypi të përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, sot salla ishte plot me gazetarë, veçanërisht italianë, që gjatë pritjes tregonin interes të pyesnin Berishën veçanërisht mbi skandalin e fundit të diplomimit të Renzo Bossit në Shqipëri. Por, – zyrtarisht për impenjime të menjëherë mëpasshme të kryeministrit Monti, – kryeministrat bënë vetëm deklaratat e tyre e nuk pranuan asnjë pyetje të gazetarëve.

Monti: “Mbështesim të bindur përpjekjet e Shqipërisë drejt BE-së”

Napolitano: “Seconde generazioni parte integrante della nostra società”

Vdekja e mistershme e Mariana Markut