Zyrtarë të Ministrisë së Jashtme kanë raportuar sot në Komisionin për punët e jashtme të Kuvendi, seancë informuese që vjen pas takimit në Athinë të kryetarit, Ilir Meta, me përfaqësues të shoqatave të emigrantëve, të cilët, mes të tjerash, shprehën dhe shqetësimet e tyre për shërbimet konsullore
Tiranë, 25 tetor 2016 – Ministria e Punëve të Jashtme ofron aktualisht rreth 40 shërbime konsullore për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, ku përfshihen legalizim i dokumenteve, aplikim për lënie shtetësie, viza për kalim kufiri, shërbime noteriale e deri tek aplikimet për pasaporta biometrike.
Komisioni i Jashtëm zhvilloi të martën një séancë informuese me zyrtarë të Ministrisë së Jashtme, lidhur me praktikat konsullore dhe shërbimet që ky dikaster iu ofron bashkëatdhetarëve tanë qe jetojne e punojne jashtë. Seanca vjen pas takimit në Athinë që kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, zhvilloi me përfaqësues të shoqatave të emigrantëve, të cilët, mes të tjerash, shprehën dhe shqetësimet e tyre për shërbimet konsullore.
Zv/ministri i Jashtëm, Halil Hyseni, në informacionin e paraqitur e konsideroi përmirësimin e praktikave konsullore ndaj bashkëatdhetarëve ‘kryepunë dhe prioritet parësor’ të MPJ-së. Duke u ndalur tek praktikat ndaj bashkëatdhetarëve tanë në Greqi, fokusi tha ai është në tre drejtime:përmirësimin e shërbimit konsullor si tërësi; përfshirjen e tij si pjesë e dosjes se bisedimeve dypalëshe dhe rritjen e efikasitetit te shërbimit të selive konsullore shqiptare në Athinë, Selanik e Janinë.
Duke vënë në dukje përpjekjet e diplomacisë shqiptare në përmirësimin e ketij sherbimi ndaj emigranteve tanë ne Greqi, zv/ministri Hyseni veçoi zgjidhjen e ngërçit të toponimeve, duke ju mundësuar shqiptarëve që jetojnë e punojnë në shtetin fqinj që të pajisen me dokumentacion të vlefshëm në këtë vend.
Gjatë vitit 2015, tha Hyseni, Ministria e Jashtme ka ofruar asistencë për rreth 200 mijë qytetarë jashtë atdheut, 1/3 e tyre në Greqi, ndërsa nga janari i këtij viti e deri tani janë kryer mbi 45 mijë shërbime vetëm nga përfaqësitë tona në Greqi.
Në ndërhyrjen e tij sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së, Gazmend Barbullushi informoi për dy projekte: dixhitalizimi i shërbimeve konsullore dhe kalimi i shërbimeve online, në ato vende ku mundemi. Këto dy projekte kryesore që janë në përfundim e sipër, kemi ambicjen qe nga fundi i dhjetorit t’i kemi në punë. Por, shtoi ai, është dhe një aplikacion shumë i rëndësishëm, i lançuar para një muaji, për platformën smartphone, një aplikacion shumë i rëndësishëm për të cilin shikueshmëria sa vjen e rritet.
Gjatë diskutimeve, deputeti Bumçi ngriti shqetësimin për rritjen e numrit të azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani, ndërsa kryetarja e Komisionit, Arta Dade, tha se ka një rënie drastike të shqiptarëve që i drejtohen Gjermanisë, dhe se tashmë po zhvillohet një proces për rikthimin e atyre që kanë emigruar.