Lectio magistralis i poetit Visar Zhiti mbajtur në universitetin e Napolit gjatë Konferencës “20 vjet pas rënies së Murit”
(vijim)
Një sekret imi si intermexo
… Më burgosën, kur isha 26 vjeç, mësues në një fshat në kufi me Kosovën, nga që kisha shkruar poezi pesimiste dhe hermetike. Nuk lejohej të ishe i dëshpëruar, edhe pse ishin kushtet e tilla dhe më mbyllën më hermetikisht se ç’ishin poezitë e mia. Akt ekspertizën nuk r bënë policët e censurës, as hetues e prokurorë, por shkrimtarë të socrealizmit.
Dhe u dënova me 10 vjet burg, por dhe që të mos shkruaj më e të mos botoj kurrë. Në qeli vërtet ishte e pamundur të shkruaje, qenë të ndaluar letra, pena dhe libri. Të ndaluara ishin dhe tjetri dhe vetja.. Kam treguar në librat e mi se kam krijuar poezi me mend dhe jo pak, kam treguar se si ka vepruar ai mekanizëm, aq sa fillova të besoj këmbëngulshëm se Homeri i verbër ka ekzistuar.
Në kampin me të burgosur, ku ishim qindra dhe mijëra, një mik im më tha se poezitë na i shpërnda, që t’i mësojmë dhe ne, se ti ndoshta vritesh në minierën ku punonim si skllevër, pse të humbi dhe poezitë bashkë me ty. Ashtu bëmë. Dhe po guxoja të shkruaj poezi, kuptohet fshehurazi, nga që lejohej të shkruaje dy letra në muaj familjes, kurse denoncime mund të bëje çdo ditë. Pra bëja sikur po shkruaj letrën e radhës a denoncimin tim te Zoti.
Poezitë i fshihnim në thasët me ushqime, në kashtën e dyshekut, brenda në këpucë, nën tokë, shumë shokëve u janë kalbur dorëshkrimet, unë pata fatin t’i nxjerr e ta botoj shumicën më vonë. Por duhet thënë se ne krijuam ashtu dhe e lexuesin e fshehtë në burg, që ishte i dënueshëm, po të zbulohej, po aq sa autorët. Mirënjohës atyre, që jo vetëm nuk na spiunuan, por dhe na mbajtën.
Krijoja aq sa mundja, më shumë, kudo, me mend, në rresht, në punë, në deliret e gjumit, i rishkruaja, doja të dëshmoja, doja të lija testamentin tim.
Por e vërteta është dhe më e thellë. Ja sekreti im: krijoja, jo sepse besoja verbërisht në to, as te botimi i tyre, që as guxoja ta ëndërroja, fama s’më interesonte fare, se më mungonte jeta, por, duke shkruar si i marrë, doja të shpikja emocionin e njeriut, emocionin e rrallë dhe të bukur dhe në ferr, atë të ndaluarin. Se në çastin që unë krijoja, arrija lirinë time, ekstazën dhe telat me gjemba, si një lloj Muri Berlini, por më banal, vetë armët e ushtarëve të rrethimit, burgu i gjithë, atdheu-burg bëheshin të pavlefshëm. Fantazma im dilte somnambul dhe endej e lirë kudo.
Kur krijon, atë çast s’je kurrkund, as në burg dhe njëkohësisht je kudo, bashkë me të gjithë poetët e botës, që në atë çast po shkruanin, me të gjithë ata që në atë çast po lexonin nj. poezi, le të ishte e vogël, si puthja me të vdekurin.
Unë prodhoja fshehurazi emocionin tim të të gjallit, ribëja jetën time.