in

Ndahet nga jeta sopranoja Nina Mula

Një muaj më parë, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletiti festoi 80-vjetorin

Tiranë, 22 dhjetor 2011 – Sopranoja e dhjetëra roleve në operën shqiptare, Nina Mula është ndarë sot nga jeta, në moshën 80-vjeçare.

Vajza bukuroshe nga Izhevski i Rusisë, e talentuar dhe e pasionuar me muzikën, nuk e mendonte kurrë se do të bëhej e njohur në një vend të vogël e të largët si Shqipëria. Nina Mula ka lindur në 23 nëntor të vitit 1931 në Rusi. E rritur në një familje punëtore e të varfër, Nina, e cila mbeti jetime në moshë të re, i kushtoi të gjithë rininë familjes.

Takimi me artisten e njohur ruse Irina Maslenikova, ishte vendimtare për karrierën e Ninës 18 vjeçare që korri suksesin e parë në jetë, duke fituar konservatorin e Moskës, ku veç të tjerash u njoh me një student shqiptar, Avni Mula, dashuria për të cilin e solli në Shqipëri.

Talenti i saj u dallua qartazi mes të tjerëve dhe sopranoja Nina Mula, do të emërohej soliste pranë Teatrit të Operës dhe Baletit, ku punoi deri në daljen e saj në pension në vitin 1976.

Vetëm gjashtë muaj pasi kishte ardhur në TKOB, Ninës iu besua roli i Jolandës në veprën me të njëjtin titull të Çajkovskit. Një shfaqje kjo që e afirmoi duke marrë më pas shumë kryerole deri në mesin e viteve ’70. Në vitin ’58, me partner bashkëshortin, Nina interpretoi rolin e Rozinës në operën “Berberi i Seviljes” me pas interpretoi në “Pranverën” e Tish Daisë.

Role e saj që nuk do të harrohen në opera janë “Evgeni Onjegini” , “Madam Batërflaj”, “Dasma e Figaros” e më pas, i trokiti fati të luante pikërisht ajo Mikaelën në operën “Karmen”. Pak vite më vonë pati rolin e Mrikës në veprën me të njëjtin titull të Jakovës dhe atë të Donikës në premierën e operës “Skënderbeu”.

Ajo u largua nga skena në moshën 45-vjeçare, ndërkohë që ishte shprehur do të kishte dashur të qëndronte më gjatë për të realizuar të tjera role. Për aktivitetin e saj Nina Mula është nderuar me shumë çmime, medalje e tituj, si Urdhrin “Naim Frashëri të klasit të II”, titullin “Artiste e Merituar”, Çmimin e Parë në Festivalin e Romancës si dhe titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës”.

Një muaj më parë, me rasti e 80-vjetorit të saj, Teatri Kombetar i Operas dhe Baletit organizoi një ceremoni festive të mbushur me kujtime dhe interpretime të disa prej roleve të saj. Një surprizë e bukur për të ishte dhe lidhja përmes videokonferencës me vajzën e saj nga Parisi, sopranon e njohur Inva Mula.

 

FMN: “Shqipëria të ulë borxhin publik, të rrisë taksat”

Rritet fluksi i kërkesave për pasaporta biometrike në Shqipëri