Botërori 2014 sapo ka nisur. Në Brazil janë mbledhur 32 përfaqësuese vendesh. Shqipëria, nuk është mes tyre, por 9 shqiptarë janë atje e do të luajnë me katër kombëtare të ndryshme: Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Blerim Xhemaili, Valon Behrami dhe Admir Mehmedi me Zvicrën, Gjergji Kone dhe Sotir Nini me Greqinë, Adnan Januzaj me Belgjikën dhe Shkodran Mustafi me Gjermaninë.
Gjatë këtyre javëve, Kampionati botëror është në qendër të vëmendjes të thuajse të të gjithëve, të tifozëve të zjarrtë por edhe të atyre që shohin ndonjë ndeshje mes miqsh në shtëpi apo në shesh, dhe nuk mungojnë statistikat e krahasimet me vitet e shkuara apo polemikat (e zakonshme) mbi fitoren apo humbjen e skuadrës së zemrës, mbi gabimet e arbitrit në favor të një skuadre apo kundër një tjetre. Dje u luajt ndeshja e parë Brazil-Kroaci që u fitua nga të zotët e shtëpisë me rezultatin 3-1, dhe menjëherë nisën edhe kritikat mbi arbitrimin: “Duhej dhënë apo jo penalltia?”, “Meritonte më shumë Brazili fitoren, apo Kroacia barazimin?”
E shqiptarët e Italisë për cilën kombëtare janë tifozë? Cila është skuadra e tyre e zemrës? Italia ku jetojnë? Apo Brazili, Anglia, Gjermania, apo Spanja që kanë mbështetur që të vegjël në Shqipëri? E ndeshjet ku i shohin në shtëpi apo me miq, në ekranët e mëdhenj të instaluar në sheshe e lokale?
Redaksia ju fton të ndani në faqen Facebook të Shqiptarit të Italisë mbresat tuaja e të dërgoni fotografitë e “botërorit tuaj”, atë që ju pëlqen më shumë, atë që bëni ndërsa shihni ndeshjen apo të festimeve pas fitores. Për të gjithë vetëm një urim: Pafshim ndeshje sa më të bukura!
Skena e mëposhtme është nga filmi Pane e Cioccolata: një çast i ndeshjes Itali-Angli e parë me sytë e emigrantit italian Nino Manfreddi në Zvicër: