in

Ndërron jetë Leka Zogu

Tiranë, 2 dhjetor 2011 – Më 30 nëntor 2011, Leka, i biri i Ahmet Zogut, ka ndërruar jetë në moshën 72 vjeçare

Sali Berisha, vizitë ngushëllimesh në familjen Zogu. “Çështja e referendumit nuk është mbyllur”

Kryeministri, Berisha, deklaroi të enjten në mbrëmje, se “Leka Zogu i Parë përfaqëson një jetë të tërë atdhedashurie të pakufishme dhe përkushtimi të jashtëzakonshëm, në mbrojtje të lirisë së shqiptarëve, por dhe mbështetje të madhe për shqiptarët në Kosovë”. 

“Shpreh nderimin tim më të thellë për Leka Zogun e Parë”, tha kryeministri Berisha, pas homazheve që zhvilloi në rezidencën në Tiranë të Leka Zogut.

Kreu i qeverisë, nënvizoi se pas luftës, ndryshe nga vendet e tjera që dolën nga pushtimi barbar nazifashist, të cilat i rikthyen kurorat mbretërore, ose shpallën referendumet në mënyrë që popujt të shpreheshin, kjo nuk ndodhi në Shqipëri. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha u shpreh se në mënyrën më arbitrare një Kongres ndaloi monarkun e shqiptarëve të kthehej në vendin e vet, gjë e cila zgjati siç dihet, gjatë gjithë jetës së tij dhe mbreti vdiq në Paris.

Duke iu referuar referendumit të zhvilluar në Shqipëri për kthimin e monarkisë, Berisha tha se, shqiptarët janë dëshmitarë që “ata shprehën masivisht qëndrimin e tyre në respekt të mbretit Leka dhe në favor të tij, por siç dihet ai referendum u mbajt në kushtet e një rebelimi të egër komunist dhe e vërteta është se nuk mund të thotë askush që rezultati është ai që u shpall”. “Kjo çështje nuk është e mbyllur”, deklaroi Kryeministri Berisha më tej në fjalën e tij.

Tiranë, 1 dhjetor 2011

Braçe: “Shqipëria nuk ka mbret, është Republikë!”

Ndërkohë që shumë përfaqësues të politikës shqiptare i njohin vlera patriotike të birit të Ahmet Zogut, Lekës, dhe e konsiderojnë princ apo mbret të shqiptarëve, i vetmi zë jashtë korit është ai i Erjon Braçes, që në network-un social facebook, shpreh shqetësimin e tij për këtë çast të veçantë që quan “histeri kundër Republikës”.

“Si mund të flasë për “Familje mbretërore” Sali Berisha, që është kryeministër i një republike parlamentare? Pse duhet të shpallet e shtuna ditë zie?” pyet Braçe, që shkon edhe më tej: “Jozefina Topalli ofron Sallën e seancave plenare për ceremoninë e shtetasit Leka Zogu, që nuk ka qenë asnjëherë as president, as deputet e as ministër i Republikës… Ajo e bën këtë duke e vlerësuar Leka Zogun në cilësinë e mbretit!!!”

Sipas Braçes, kjo që po ndodh është “dhunim antikushtetues i Republikës dhe i çdo shtetasi” .

“Ne nuk kemi Mbret! Ne kemi Republikë!” e mbyll Braçe këtë shfrim të tijin online.

Përgatitjet për varrimin e Leka Zogut

Një ditë pas vdekjes së Leka Zogu, po bëhen të gjitha përgatitjet për  të nderuar kujtimin e tij.

Dje Kryeministri Sali Berisha shpalli të shtunën, 3 dhjetor, ditë zie kombëtare. Të shtunën të gjithë flamujt kombëtarë do të jenë të ulur në gjysmë shtizë dhe në mesditë do të mbahet një minutë heshtje, në rrugë e kudo qoftë, sikundër parashikon edhe Protokolli i Shtetit për Ditën e Zisë Kombëtare, ndërsa radiotelevizioni shqiptar do të transmetojë muzikë funebre.

Qeveria ngriti dje Komisionin Shtetëror, të kryesuar nga zëvendëskryeministri Edmond Haxhinasto, dhe të përbërë nga Aldo Bumçi, ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; Arben Imami, ministër i Mbrojtjes; si dhe një përfaqësues i Oborrit Mbretëror Shqiptar; një përfaqësues i Protokollit të Shtetit; dhe një përfaqësues i protokollit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Ceremonia zyrtare e homazheve për të nderuar Leka Zogun do të zhvillohet në sallën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që i tërë ceremoniali do të përballohet nga fondet e buxhetit të vitit 2011 për MPJ-në.

Pas homazheve, Leka Zogu me uniformën e vet ushtarake, siç e la amanet, do të prehet në Varrezat e Sharrës, pranë eshtrave të së ëmës, ish mbretëreshës Geraldinë, dhe bashkëshortes së tij, Suzanë, e cila ndërroi jetë në vitin 2006.

Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë, duke e nderuar Leka Zogun, si “mbretin e shqiptarëve jo në detyrë”, deklaroi se “Mbretit Leka I duhet t’i jepet lamtumira e fundit, ashtu siç i takon një mbreti, edhe pse jo në detyrë”.

Topalli: “Me vdekjen e Leka Zogut, shqiptarët humbasin një figurë të rëndësishme të historisë së tyre”

“Në kujtesën tonë Leka Zog do të mbetet shqiptari foshnje dyditëshe që la Shqipërinë dhe u rrit në dhe të huaj; porse u mëkua dhe u edukua me dashurinë dhe krenarinë për popullin, gjuhën dhe vendin e vet dhe mishëroi vlerat dhe virtytet më të mira të shqiptarëve”, thuhet në mesazhin e sotëm ngushëllues të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për ndarjen nga jeta të Leka Zogut.

“Në gjurmët e të atit Leka Zogu iu përkushtua çështjes kombëtare dhe u shqua si frymëzues dhe përkrahës i paepur i përpjekjeve për liri dhe dinjitet të shqiptarëve në trevat e tyre dhe kudo. Gjatë një mërgimi të vështirë, familja mbretërore dhe Leka Zog përjetuan dhimbjen e ndalimit të egër nga diktatura komuniste të jetojnë në vendin amë dhe të kthehen në Shqipëri vetëm me vendosjen e demokracisë, duke marrë pjesë në zhvillimet pozitive të vendit”. “Me ndarjen nga jeta të Leka Zogut, ne humbën një atdhetar të mençur dhe shqiptarët kudo humbën një figurë të rëndësishme të historisë së tyre politike, një figurë që tashmë ka vendin e vet të nderuar në kujtesën tonë kombëtare”.

Tiranë, 30 nëntor 2011

Ngrihet Komision shtetëror për organizimin e ceremonisë mortore të Leka Zogut

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme, vendosi organizimin e ceremonisë funebre shtetërore, në nderim të të ndjerit Leka Zogu, i cili ndërroi jetë sot pas një sëmundjeje të rëndë.

Për organizimin e e ceremonisë mortore të Leka Zogut, Këshilli i Ministrave vendosi ngritjen e komisionit shtetëror, në përbërje të të cilit janë Edmond Haxhinasto, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme;  Aldo Bumçi, ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; Arben Imami, ministër i Mbrojtjes; një përfaqësues i Oborrit Mbretëror Shqiptar;  një përfaqësues i protokollit të Shtetit dhe një përfaqësues i protokollit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Ceremonia e homazheve do të organizohet ditën e shtunë, datë 3 dhjetor 2011, nga ora 10.00 deri 12.00, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Qeveria vendosi që shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme.

E shtuna e ardhshme shpallet ditë zie kombëtare

Këshilli i Ministrave, me propozim të Kryeministrit Sali Berisha, në mbledhjen e sotme shpalli ditën e shtunë, 3 dhjetor 2011, ditë zie kombëtare, me rastin e zhvillimit të ceremonisë funebre shtetërore, në nderim të të ndjerit Leka Zogu.

Në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, flamuri kombëtar ulet në gjysmë shtize dhe në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje, ndërkohë që  Radio-Televizioni Publik Shqiptar, gjatë zhvillimit të ceremonialit, do të transmetojë muzikë funebre.

Berisha: “Vdekja e Leka Zogut, humbje e madhe për kombin”

“Një humbje të madhe për kombin për vendin”, e ka cilësuar Kryeministri Sali Berisha vdekjen e Leka Zogut.

Berisha u shpreh se “Mbreti Leka në të gjithë jetën e tij në mërgim ishte mbështetës kryesor i luftës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali të Zi, e kudo. Ai qe frymëzuesi i tyre në këtë betejë”.

Kryeministri theksoi se sot është një ditë ku shqiptarët humbën një nga personalitetet më të mëdha të historisë së tyre politike”, duke shtuar se, “në ligjin e parlamentit përcaktohet detyrimi i përfshirjes në protokollin shtetëror i familjes mbretërore”. “Ky ka qenë një vendim shumë i drejtë, ndaj vendi dhe kombi do ta përcjellë Mbretin Leka i Parë me nderimet dhe atributet që i përkasin një Mbreti jo në detyrë”, tha Berisha.

Ngushëllime nga Kosova

Liderët institucionalë e politikë të Kosovës ngushëllojnë familjen Zogu dhe drejtuesit e institucioneve të shtetit shqiptar për ndarjen nga jeta të Leka Zogut.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ngushëlloi familjen pas ndarjes nga jeta të Leka Zogut. “Me këtë rast”, thotë ajo, “vlerësojmë lart kontributin e familjes mbretërore në ndërtimin e shtetit dhe demokracisë shqiptare dhe punën, përherë në të mirë të Kombit”. “Qytetarët e Kosovës e ruajnë kujtimin për Mbretin e Shqiptarëve N.M.T. Leka I Zogu, i cili gjithmonë dhe në çdo rast ishte me Kosovën”, thekson Presidentja Jahjaga, duke shprehur ngushëllimet më të thella për familjen Zogu dhe për mbarë kombin shqiptar.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim pranoni ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e më të dashurit tuaj, Leka Zogut të Parë”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.  Ai vlerëson se, “Leka Zogu i Parë ishte një figurë e rëndësishme, që përballoi shumë vështirësi në jetën e tij, që lanë gjurmë në kujtesën e popullit shqiptar”. 

Lideri i opozitës kosovare, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa,  në mesazhin e tij të ngushëllimit, shprehet: “Në këtë ditë të rëndë, më lejoni që në emër të LDK-së, të strukturave udhëheqëse të saj dhe të anëtarësisë së gjerë, dhe në emrin tim personal t’Ju shpreh dhembjen dhe ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e madhe”, shton ai. “Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se Familja Mbretërore Shqiptare është një nga simbolet e mëdha kombëtare dhe si e tillë duhet të ruhet gjithmonë”, thekson Mustafa duke shtuar se kjo parti gjithmonë do ta vlerësojë Familjen Mbretërore si një vlerë të paçmuar e të pazëvendësueshme kombëtare.

Presidenti Bamir Topi u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të Leka Zogut

Nëpërmjet një mesazhi të publikuar në faqen e presidencës, kreu i shtetit shprehet se “në këto momente të trishtueshme dhe të vështira për ju, më lejoni që në emër të shtetit shqiptar dhe timin personal, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”.

Në mesazhin e tij, Topi thekson se “Leka Zogu I pati një jetë të vështirë, por pavarësisht nga fatet e jetës, ai nuk reshti në asnjë çast duke punuar me përkushtim e dashuri në mbrojtjen dhe promovimin e çështjes shqiptare. Në kujtesën tonë kombëtare kanë mbetur të gjalla përpjekjet dhe roli i tij aktiv për rrëzimin e sistemit komunist, dhe, gjatë tranzicionit, për lartësimin e vlerave kombëtare dhe nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë”.

“Ndarja nga jeta është një humbje e madhe për ju, për të afërmit, për të gjithë ata që e njohën nga afër dhe për bashkatdhetarët”,përfundon mesazhi i ngushëllimit për familjen Zogu nga Presidenti Topi.

Ministri i Shëndetësisë: “Leka Zogu vdiq pas një arresti kardiak të përsëritur”

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka njoftuar për mediat se vdekja e Leka Zogut erdhi si pasojë e një arresti kardiak të përsëritur.

“Gjendja shëndetësore shkoi duke u rënduar për shkak të problemeve të vjetra të shëndetit, duke e bërë të pamundur trajtimin përfundimtar me sukses si do të donim. Pak kohë më parë është bërë arrest kardiak i përsëritur dhe është ndarë nga jeta. Ky është hidhërim për të gjithë, edhe për grupin e mjekëve që ndoqi shëndetin e tij me shpresën e madhe që natyra do ishte aleat më i madh”- tha Vasili gjatë një deklarate nga spitali i Neurokirurgjisë në QSUT.

Vasili, shtoi se gjatë kohës së shtrimit në spital, ai është ndjekur nga një staf i specializuar mjekësh.

Leka, i biri i Ahmet Zogut, ka ndërruar jetë sot në mëngjes. Ai ishte shtruar më 15 nëntor 2011, në QSUT “Nënë Tereza”, në pavijonin e reanimacionit neurokirurgjik.

Leka Zogu po mjekohej për vuajtje multisistemike, ku mbizotëronte vuajtja e zemrës dhe e mushkërive dhe gjendja e tij ishte më e rëndë se herë të mëparshme.

Kishte lindur më 5 prill 1939.

Leka Zogu bëri një përpjekje të parë për të ringjallur dhe ushqyer idenë e monarkisë në fillim të viteve ’90.

Pas një jete të gjatë në mërgim, i larguar nga vendi që kur kishte vetëm pak ditë jetë, në prill të 1939, ai shkeli për herë të parë në Tiranë në nëntor të vitit 1993, me një vizitë të papritur kur u ul në aeroportin e Rinasit me një avion privat.

Leka Zogu u rikthye përfundimisht, së bashku me familjen për të jetuar në Shqipëri, në qershor të vitit 2002.

Lexo edhe: Rikthimi i qytetarit Leka Zogu apo i aspirantit për mbret të shqiptarëve?

 

Transparency International: “Shqipëria më e korruptuar se një vit më parë”

Sfida kundër SIDA-s “Zero infeksione, zero vdekje, zero diskriminim”