Sipas Transparency International, Shqipëria renditet e 95-ta, tetë vende më poshtë se vitin e shkuar, për luftën kundër korrupsionit. Renditet e parafundit ndër vendet e rajonit duke lënë pas vetes vetëm Kosovën që renditet në vend të 112 në renditjen e përgjithshme të 183 vendeve. Italia e parafundit, nga vendet e eurozonës. Reagon Aleanca KuqeZi
Romë, 1 dhjetor 2011 – Organizata jo qeveritare Transparancy International, që çdo vit u kërkon ekspertëve nga mbarë bota një gjykim mbi korrupsionin në vende të ndryshme, ka botuar raportin e vitit 2011.
Me këto të dhëna përpilohet një renditje ku vërehet se Shqipëria ka zbritur tetë vende krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2010 ishte në vend të 87-të, këtë vit ka rrëshqitur në të 95-tin, duke marrë një vlerësim prej 3,1 pikësh nga 3,3 pikë që ka qenë në vitin 2010. Pra, sipas Transparency International, Shqipëria ka bërë hapa prapa, duke u kthyer në nivelin e vitit 2009 për sa i përket korrupsionit.
Madje po të krahasohet me vendet e tjera të rajonit vërehet se, përveç Kosovës, që renditet në vend të 112-të, të gjitha vendet e tjera kanë tregues më të mirë se vendi ynë. Për më tepër, Kroacia dhe Mali i zi renditen në vend të 66-të, Maqedonia në vend të 69-të, Greqia në vend të 80-të, ndërsa Serbia në vend të 86-të. Në rajonin e Evropës Juglindore vërehet një përkeqësim i dukshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që vendi i parë në rajon vazhdon t’i përkasë Turqisë me notën 4,2, duke u renditur e 61-ta në klasifikim.
Llogaritja e indeksit për Shqipërinë është realizuar nga 7 institucione të pavarura nëpërmjet 8 burimeve të dhënash: Fondacioni Bertelsmann, Njësia e Inteligjencës Ekonomike (ECU), Global Insight, Freedom House, Guida ndërkombëtare e vendeve sipas Rrezikut (ICRG), Forumi Ekonomik Botëror (WEC) dhe projekti i Drejtësisë Botërore (WJP).
“Beteja anti-korrupsion duhet të vijojë të jetë në qendër të agjendës së qeverisjes si kusht themelor për proceset integruese në BE”, shprehet Transparency International Albania në prezantimin e raportit.
Sipas TIA-s, “heqja e imuniteteve për zyrtarët e lartë, deputetë, ministra, prokurorë e gjyqtarë do t’i vendoste realisht të gjithë të barabartë përpara ligjit. Kultura e pandëshkueshmërisë duhet luftuar me çdo mjet”.
Vazhdon të bjerë në renditje edhe Italia: në vitin 2009 ishte në vend të 63-të, në 2010-tën ka rrëshqitur në të 67-tin, ndërsa këtë vit ka zbritur në vend të 69-të, pra më poshtë se Kroacia e Mali i Zi, ndërsa krahasuar me vendet e tjera të eurozonës, është e parafundit: më e korruptuar se Italia, sipas raportit, është vetëm Greqia.
Vendet me më pak korrupsion sipas renditjes së Transparancy International janë Zelanda e Re, Danimarka dhe Finlanda, ndërsa vendet më të korruptuara të botës janë Koreja e Veriut dhe Somalia.
Shiko Renditjen 2011 të Transparancy International