Erzeni, shqiptar që prej kohësh ka marrë edhe shtetësinë italiane, mund të italianizojë më në fund emrin e tij në Emilio. E kish kërkuar prej vitesh këtë ndërrim për të shmangur kontrollet në kufirin Itali-Zvicër që kalon përditë e ku shpesh e ndalojnë sepse nuk e besojnë që është italian, e për të shmangur “situatat e sikletshme” në të cilat gjendej për shkak të emrit
Romë, 28 dhjetor 2013 – Kur bie fjala për shqiptarë që detyrohen të ndërrojnë emrin e tyre në një tjetër (të krishterë), të vijnë ndër mend menjëherë emigrantët në Greqi. Por me sa duket një gjë e tillë ndodh ndonjehere edhe në Itali. Erzen M., rezident në Como që shkon çdo ditë për të punuar në Zvicër, këtej e tutje mund të mbajë dokumente si Emilio M. Gjykata Administrative (TAR) e Lombardisë ka pranuar kërkesën e tij për ndërrimin e emrit duke e konsideruar atë si diçka të diktuar nga “dëshira për t’u integruar më mirë në punë, në marrëdhëniet me të tjerët dhe në shoqërinë italiane”.
Këtej e tutje do të kalojë kufirin Itali-Zvicër pa u ndaluar rregullisht për kontrolle dhe nuk do të vuajë mbi kurriz “paragjykimet e rënda” që sipas tij kanë karakterizuar jetën e tij në Itali, edhe pse prej shumë vjetësh ai ka shtetësi italiane.
Në fakt, Erzen M., i ardhur në Itali si emigrant, ka marrë pasaportën italiane shumë kohë më parë pas martesës në vitin 2003 me italianen Silvia. Në vitin 2009 i paraqiti kërkesë prefekturës së Comos ku jeton për të ndërruar emrin nga Erzen në Emilio, emër me të cilin e thërrasin prej vitesh në punë e shoqëri. Prefektura ia hedh poshtë kërkesën sepse mes interesit publik për pandryshueshmërinë e emrit, element thelbësor për marrëdhëniet e individit me administratën publike e çdo marrëdhënie tjetër juridike, dhe interesit privat për ndryshimin e emrit, ka zgjedhur të mbrojë të parin, aq më tepër që kërkesa nuk ishte e shoqëruar nga arsye mjaftueshmërisht të forta.
Atëherë, Erzen M. vendos të ngrejë padi ankimuese në TAR të Lombardisë kundër vendimit të Prefekturës së Comos, duke e motivuar kërkesën e tij të ndërrimit të emrit si diçka shumë të nevojshme sepse meqë punon në Zvicër i duhet të kalojë përditë kufirin ku shpesh “ndalohet nga forcat e rendit pasi nuk besojnë që është shtetas italian”. Në kërkesën e ndërrimit të emrit të paraqitur në TAR, Erzeni rendit mes arsyeve edhe “paragjykimmet e rënda” e të tjerëve sapo mësojnë që është shqiptar, apo “situatat e turpit të thellë” që krijohen në marrëdhëniet e tij me të tjerët. Të gjitha këto mund të ndikojnë për keq, sipas Mucës, në rritjen e djalit të tij gjashtëvjeçar.
Sipas gjykatësve të TAR-it, kërkesa e Erzenit duhet pranuar sepse është shprehje e vullnetit të tij për t’u integruar më mirë jo vetëm në punë e në marrëdhëniet ndërpersonale por në shoqërinë italiane, në Itali që ai konsideron si atdheun e tij. Sipas gjykatësve, “duke vënë nga një anë interesin publik të qëndrueshmërisë së emrit veçanërisht në marrëdhëniet me Administratën Publike dhe nga ana tjetër situatën personale të Mucës, kërkesa duket e bazuar në një motiv domethënës dhe të konsiderueshëm”. Ndaj, përfundojnë gjykatësit, “në këtë rast interesi i Mucës qëndron mbi interesin publik dhe kërkesa e tij kundër vendimit të Prefekturës së Comos pranohet”.
Kështu, më 18 dhjetor 2013, falë sentencës së TAR-it të Milanos, Erzen M. i lejohet më në fund të quhet Emilio M. e të kalojë më i qetë kufirin italo-zviceran e të mos gjendet më në situata “turpi të thellë” që sipas tij i shkaktoheshin nga emri joitalian.
K.B. / Shqiptari i Italise
Lexo sentencën e TAR-it mbi çështjen Erzen/Emilio
Leggi in italiano: Ok dei giudici, Erzen l’albanese diventa Emilio l’italiano