Në Vlorë, Gjirokastër, Tiranë e Sarandë, në operacione të ndryshme policie, sekuestrohen sasi të mëdha droge që sipas policisë do të niseshin drejt Italisë. Sekuestrohen edhe disa automjete, një gomone, një armë zjarri dhe arrestohen tetë persona
Tiranë, 19 nëntor – Policia e Vlorës ka bllokuar mbrëmë në gadishullin e Karaburunit një sasi prej 346 kg kanabis sativa në bordin e një gomoneje të braktisur në vendin e quajtur “Gjiri i Arushës”, në gadishullin e Karaburunit.
Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur për ATSh-në se operacioni, ku u përfshinë strukturat e Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Vlorë dhe shërbimet e “Guardia di Finanza”, nisi pas informacioneve të siguruara në rrugë operative ku përcaktohej edhe destinacioni i lëndës narkotike. “Menjëherë është organizuar puna dhe kanë filluar kërkimet nga toka dhe deti”, saktëson policia.
Gomonia rreth 7 metra e gjatë, e pajisur me një motor 250 k/fuqi, në bordin e të cilës u gjetën disa thasë të zinj me drogë, me siguri do të nisej në drejtim të Italisë. Policia e Vlorës, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, po punojnë për identifikimin e personave përgjegjës për këtë rast trafikimi.
Më 17 nëntor, gjatë një operacioni të Policisë së Tiranës u bë i mundur sekuestrimi i një sasie prej 300 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa si dhe arrestimi i 6 personave nga fshati Shëngjergj i Tiranës. Sipas policisë, droga ishte e kultivuar në pyjet e fshatit Shëngjergj, në afërsi të një liqeni artificial.
Në vazhdimësi të këtij operacioni, u gjend fillimisht një sasi e vogël në oborrin e banesës e cila ishte korrur, tharë dhe grumbulluar në thasë të madhësive të ndryshme, gati për tregun e shitjes (të brendshëm dhe të jashtëm), duke u ruajtur në banesa dhe në Stanin pranë livadheve të Komunës Shëngjergj Tiranë.
Në këtë operacion u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një armë automatike, një maskë, 144 kapsolla detonatore, sasi eksplozivi, si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh.
Të arrestuarit akuzohen për veprën penale “prodhim, shitje të lëndëve narkotike”, në bashkëpunim si dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve e municioneve”.
Gjithnjë më 17 nëntor, u bllokuan 400 kg hashash dhe u arrestua një person nga policia e Gjirokastrës në jug të vendit. “Lënda narkotike me origjinë nga Lazarati dhe destinacion Italinë, e ndarë në 250 pako me pesha të ndryshme, e fshehur mes thasëve me qepë dhe ullinj, u bllokua pranë fshatit Subash, rreth 12 km larg Gjirokastrës në drejtim të Tepelenës”, thuhet në komunikatën e policisë. Hashashi po transportohej në automjetit furgon tip “Benz”, drejtuesi i të cilit është ndaluar e duhet të përgjigjet për trafikim lëndësh narkotike.
Ndërkaq, policia e Sarandës ka arrestuar një person pasi në mjetin e tij u zbulua 200 kg kanabis sativa. Operacioni u krye në aksin Pllakë-Sorone, në vendin e quajtur Qafa e Soronesë. “Është arrestuar një 41-vjeçar nga Saranda pasi, nga kontrolli i ushtruar në automjetin e tij, është gjetur dhe sekuestruar 200 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa si dhe një armë zjarri tip automatik kallashnikov”, ka njoftuar Policia.