Letra e botuar në La Repubblica, me të cilën Elvira Dones, shkrimtare e gazetare shqiptare, i përgjigjet batutës së Berlusconit. “Ato vajza të bukura i kam takuar. Më kanë treguar copëza nga jeta e tyre e dhunuar, e mbytur, e shkatërruar”
I nderuar zoti kryeministër,
Ju shkruaj nga një gazetë që ju nuk e lexoni, megjithatë disa fjalë duhet t’jua them, sepse të premten humori juaj i shkujdesur ka prekur persona që kam shumë për zemër: “vajzat e bukura shqiptare”. Ndërsa kryeministri i vendlindjes sime, Sali Berisha, konfirmonte angazhimin e qeverisë së tij në luftë ndaj skafistëve, ju vutë në dukje se: “për ata që sjellin vajza të bukura, mund të bëjmë një përjashtim.”
Ato “vajza të bukura”, unë i kam takuar, kam takuar dhjetëra prej tyre, ditën e natën, të fshehura nga tutorët e tyre, i kam ndjekur nga Garbagnate Milanese deri në Sicili. Më kanë treguar copëza nga jeta e tyre e dhunuar, e mbytur, e shkatërruar. “Stelës” padronët e saj i kishin shkruar në bark një fjalë: kurvë. Ishte një vajzë e bukur me një të metë: e grabitur në Shqipëri dhe e sjellë në Itali, ajo refuzonte të dilte në rrugë. Pas një muaji përdhunimesh kolektive nga tutorët shqiptarë dhe ortakët italianë, iu desh të nënshtrohej. Doli trotuareve të Piemontes, Lazios, Ligurias, e kush e di se ku tjetër. E vetëm atëherë, tre vjet më vonë, i tatua mbi bark zanatin e saj: kështu, për lojë ose për tekë. Njëherë e një kohë ishte një vajzë e bukur, po. Sot është vetëm një mbeturinë e shoqërisë, nuk do dashurohet kurrë, nuk do bëhet kurrë nëne e gjyshe. Ajo “kurvë” mbi stomak i ka fshirë çdo shenjë shprese e besimi tek burrat, masakra e klientëve dhe tutorëve i ka shkatërruar mitrën.
Për “vajzat e bukura” kam shkruar dhe një roman (të botuar në gjuhën shqipe me titullin “Yjet nuk vishen kështu”), të botuar në Itali me titullin “Sole bruciato”. Vite më vonë kam xhiruar një dokumentar për një televizion zvicerian: u nisa në kërkim të një tjetër vajze të bukur, quhej Brunilda; babai i saj më ish lutur në lot t’ia kërkoja. Ishte një baba si shumë baballarë të tjerë shqiptarë, të cilëve u ishin zhdukur vajzat, rrëmbyer, gjymtuar, shpesh varur me kokë poshtë në thertore të braktisura nëse guxonin të rebeloheshin. Ishte një baba si ju, zoti President, por me më pak fat. Dhe sot e kësaj dite babai i Brunildës nuk e pranon se e bija ka vdekur, e mbytur në det, ose e ekzekutuar në një qoshe të periferive. Ai vazhdon të shpresojë, të ëndërrojë mrekullinë. Është një histori e gjatë zoti President… Por po ta dija se do të kisha vëmendjen tuaj, do t’ju dërgoja një kopje të librit tim, ose dokumentarin, ose do to këmbeja dy fjalë me ju, me shumë dëshirë. Por ju paralajmëroj, zoti kryeministër: batutave u përgjigjem, nuk i gëlltis.
Në emër të çdo Stele, Bianke, Brunilde e të familjeve të tyre, isha e detyruar t’jua shkruaja këto rreshta. Në këto 20 vite tranzicion të vështirë Shqipëria i ka shkaktuar vetes, me duart e veta, shumë vuajtje e shumë plagë, por populli shqiptar ushqen akoma dëshirën për të ecur më në fund me kurrizin drejt e kokën lart. Shqipëria nuk ka më durim e as mirëkuptim për të tilla poshtërime falas. Besoj që, nëse nuk do të konsideroni më dramat njerëzore si material për shaka pa kripë lokalesh gjatë orëve të vona, veç fitim do të keni.