in

Në nëntor, mbahet në Tiranë Samiti i parë i diasporës shqiptare

Rama: “Samiti do të jetë një ngjarje e madhe, ku qeveria dhe aktorë të tjerë kombëtare do të angazhohet dhe për të diskutuar me përfaqësuesit e diasporës shqiptare nga çdo cep të botës, mbi mënyrat konkrete se si ne mund të forcojmë lidhjet tona dhe bashkëpunimin me njëri-tjetrin”

Samiti i parë i diasporës në Tiranë, në nëntor 2016Pas 25 vjetëve emigracion, qeveria shqiptare vendos të mbledhë përfaqësues të diasporës “për të ndërtuar një urë mes institucioneve, shqiptarëve jashtë dhe atyre në Atdhe”, për ta thënë me fjalët e kryeministrit. Ishte pikërisht ai që e gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Nju Jork lajmëroi mbajtjen e një Samiti të diasporës shqiptare në Nëntor të këtij viti në Tiranë.

“E shkuara jonë e hidhur dhe e përçarë, dekada të mungesës së komunikimit, vrulli për të zbuluar botën dhe vështirësitë e tranzicionit në rindërtimin e shtëpisë sonë na kanë mbajtur shpesh të veçuar. Kjo nuk do të ndodhë më. Samiti do të jetë një ngjarje madhore, ku qeveria dhe aktorë të tjerë kombëtarë do të diskutojnë me përfaqësuesit e diasporës shqiptare nga çdo kënd i botës, në më shumë se 50 vende, për hapat konkretë që mund të hedhim për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin midis nesh. Në radhë të parë, si mund të ndërtojmë sa më shumë ura dijeje, sepse dija është gjëja më e çmuar që Shqipëria mund të mësojë nga ju këtu dhe nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në botë,” – u shpreh Kryeministri Rama.

Duke folur për qëllimin e organizimit të takimit të diasporës, Kryeministri nënvizoi se ai do të udhëhiqet nga nevoja për të ndërtuar një urë midis shqiptarëve, brenda dhe jashtë, për të bërë më shumë në ruajtjen e gjuhës, imazhit dhe zhvillimit të identitetit tonë, si dhe nga nevoja për të ngritur strukturën e bashkëpunimit. 

“Do të jetë një takim pa asnjë dallim për atë që jemi, nga vijmë, çfarë besojmë, apo çfarë partie preferojmë. Do të jetë një takim i gjallëruar nga dëshira për t’u bashkuar përmes ideve, hapave konkretë, planeve të veprimit, duke u udhëhequr nga nevoja për të ndërtuar një urë midis nesh, shqiptarëve jashtë dhe atyre në Atdhe. Do të jetë momenti për të treguar se ne mund të jetojmë në pjesë të ndryshme të botës, por të ndihemi një; mund të jemi të shpërndarë në shtete të ndryshme, por gjithmonë të bashkuar rreth vlerave tona, parimeve tona, vendosmërisë sonë kulturore dhe shpirtërore, gjuhës dhe përkatësisë sonë, identitetit tonë unik shqiptar. Do të jetë momenti për të diskutuar dhe shpresoj për t’u dakordësuar mbi rrugët dhe mënyrat e strukturimit të bashkëpunimit tonë, duke ngritur mekanizma për të punuar dhe zbatuar projekte që do të na lejojnë të jemi plotësues të njëri-tjetrit. Do të nisim nga njohja e njerëzve në Shqipëri, me shembujt e suksesit, heronjtë e diasporës, në kuptimin e punës, arritjeve dhe suksesit të përditshëm. Në kthimin në shtëpi, përpjekjet tona të përbashkëta mund të maksimizojnë progresin dhe mirëqenien, duke rritur shkëmbimet tregtare dhe lidhjet ekonomike. Këtu në diasporë, ne mund të bëjmë shumë më tepër në ruajtjen e gjuhës sonë, imazhit tonë, në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit tonë, duke ofruar shërbime më të mira përmes rrjeteve tona konsullore, duke punuar me qeveritë e tjera, për të ruajtur të drejtat individuale dhe komunitare. Samiti i nëntorit do të jetë momenti për të treguar se cilët jemi dhe se jemi tashmë të aftë dhe të pjekur mjaftueshëm për të bërë më shumë dhe për të synuar më lart,”– u shpreh Kryeministri Rama. 

Akoma nuk dihet as data e saktë as se kush do të mund të marrë pjesë në këtë takim. Sipas kryeministrit, shpejt do të mësojmë më shumë detaje rreth kësaj ngjarjeje: “Puna për organizimin e Samitit është në zhvillim dhe shumë shpejt, detajet për pjesëmarrjen dhe regjistrimin do të bëhen publike”.

Lexo edhe:
Dilema e samitit të diasporës
“Jam shqiptar”, takim i ministrit Bushati me shqiptarët e Italisë

Mbahet Konferenca I vjetore e rrjetit të migracionit për Ballkanin Perëndimor

500 euro 18-vjeçarëve. “Shumë i rëndë diskriminimi që na bëhet neve, bijve të imigrantëve”