in

Në përvjetor të vdekjes së Pier Paolo Pasolinit

Më 2 nëntor 1975 gjendej i vrarë në Ostia  Pierpaolo Pasolini. Personazh poliedrik, prozator, poet e regjisor gjenial, i deklaruar homoseksual, një personazh tepër i veçantë i kulturës italiane të këtij shekulli. 35 vjet pas vdekjes, tre hetime mbi vrasjen  nuk kanë hedhur dritë mbi ngjarjen.
E shumë pika mbeten ndoshta përgjithmonë të errëta

Mëngjesin e 2 nëntorit 1975, në Hidroskalin e Ostias, në hyrje të Romës, gjehet kufomën e masakruar e një burri: është Pier Paolo Pasolini, shkrimtar, poet dhe regjisor: intelektual i shumanshëm, i rrallë dhe krejt i papërshtatshëm për panoramën kulturore italiane të atyre viteve. Po atë natë arrestohet Pino Pelosi, i njohur si Pino bretkosa, për shkak të syve të tij të dalë. 17 vjeç, djalosh borgate, pikërisht një prej atyre të rinjve të cilët Pasolini i kishte përshkruar në romanet e tij, që ishte munduar të kuptonte dhe të shpjegonte, duke u nisur nga gjallëria e tyre për të arritur në homologimin e tyre, qoftë kulturor qoftë shoqëror. Ndoshta Pasolini u ngjan aq shumë atyre djemve, sa edhe vrasja e egër të duket nemesi i jetës së tij.

Pasolini kishte lindur në Bolonjë në vitin 1922. Babai i tij ishte oficer i këmbësorisë dhe nëna mësuese filloreje; falë profesionit të të atit, familja vihet në lëvizje për të ardhmen e djalit por pa ndikuar në rezultatet shkollore të poetit të ardhshëm: që 17 vjeç, Pasolini regjistrohet në Universitet të Bolonjës dhe fillon të shkruajë dhe të botojë poezi si në dialektin friulan të nënës së tij, ashtu edhe në italisht.

Vitet e luftës janë ato më të vështirat për shkrimtarin: kuptohet nga letrat që u nis miqve dhe të njohurve: ka frikë nga vdekja, e tija dhe e të afërmve. Shkon ushtar në vitin 1943 dhe, pas armëpushimit më 8 shtator, vendos të braktisë ushtrinë dhe të kthehet në Casarsa, fshat friulan ku jeton familja e tij. Nga aty shpërngulen në Versutta, ku Pasolini do të nisë të japë mësim italishten në gjimnas. 

Por ngjarja që më shumë lë gjurmë në jetën e tij gjatë këtyre viteve është vdekja e vëllait Guido, vrarë në një betejë mes partizanësh të fraksioneve të ndryshme: ai bënte pjesë në brigadat Osoppo, që ishin për italianitetin e Friulit; të një mendimi të kundërt brigadat Garibaldi, të lidhura me komunistët, që këmbëngulnin për t’i bashkëngjitur menjëherë Friulin Jugosllavisë së Titos. Guido Pasolini plagoset gjatë një beteje mes dy grupesh partizanësh; arrin të ikë dhe të fshihet në një shtëpi fshati, por do ta gjejnë të nesërmen dhe do ta masakrojnë.
E ëma do ta vuajë shumë humbjen e njërit prej djemve dhe do të lidhet edhe më shumë me tjetrin. Ky episod do të kujtohet në shumë prej shkrimeve dhe poezive të tij gjatë viteve.

Në vitin 1945 Pasolini mbaron shkollën e lartë dhe transferohet në Friuli ku nis të japë mësim në një shkollë të mesme. Në vitin 1947 futet në Partinë Komuniste Italiane: një hap shumë i vështirë për të, që do t’i hapë shumë probleme edhe me të atin e të ëmën: në fund të fundit komunistët friulanë ishin përgjegjës për vdekjen e të vëllait. Por shkrimtari është i bindur për vendimin e tij, me të donte të sakrifikonte dhimbjen e thellë, të tijën dhe të familjes, për një ideal shoqëror që ai përkrahte. Por veprimtaria e tij në parti zgjat vetëm dy vjet: në vitin 1949 në fshat fillojnë të përhapet zëra sipas të cilëve Pasolini është parë në një vend të veçuar i shoqëruar me nja dy tre djem. Pasi paditet për korrupsion të miturish, e më pas del i pafajshëm (një tjetër konstante në jetën e tij), do të përjashtohet nga PCI për “mungesë dinjiteti moral”. Në një periudhë kundërvëniesh shumë të dhunshme mes demokristianëve dhe komunistëve, partia e tij nuk ka guxim të mbrojë një intelektual të lirë, komunist, aniklerikal dhe homoseksual.
Shkrimtari gjendet në syrin e ciklonit dhe vendos të largohet nga Friuli e të shkojë në Romë. Në kryeqytet do të nisin 25 vitet më të frutshme të jetës së tij.

Por fillimi do të jetë shumë i vështirë. Me të do të jetë e ëma: i ati do të bashkohet me familjen vetëm pas dy vjetësh: ngjarjet e Casarsas kanë ndërlikuar më tej një marrëdhënie të nderë edhe më parë. Pasolini do të merret me lloj lloj punësh, vetëm e vetëm që mos t’u kërkojë ndihmë miqve shkrimtarë dhe me influencë: fiton rolin e një figuranti në Cinecittà, korrigjon boca librash, shet librat e tij në tregjet e rrugëve.

Më në fund, pas ca kohësh gjen punë në një shkollë të Ciampinos, fshat ngjitur me Romën.
Fillon të shkruajë më shpesh: përgatit antologjinë e poezisë dialektore dhe bashkëpunon me revistën Paragone, në të cilën do të botohet kapitulli i parë i romanit “Ragazzi di vita”; bëhet anëtar i seksionit letrar të emisionit të lajmeve në radio. Kështu, mund të lërë mësimdhënien dhe t’i përkushtohet krejtësisht veprimtarisë që ka më për zemër: të shkruarit. Në vitin 1954 boton vëllimin e tij të parë me poezi dialektore “La meglio gioventù”; vitin pasardhës del për shtëpinë botuese Garzanti “Ragazzi di vita”, romani i tij i parë: në veprën e tij, borgatat romane kanë zënë përfundimisht vendin e fshatit të mitizuar friulan të krijimeve të para.
Romani, me gjithë kritikat e shumta nga të katër anët do të ketë sukses të bujshëm. Qeveria, përmes ministrit të Brendshëm Scelba, do të hapë çështje gjyqësore kundër Pasolinit dhe botuesit Livio Garzanti, por edhe kjo çështje do të mbyllet me pafajësinë dhe heqjen e sekuestrimit mbi librin që për një vit të tërë ishte tërhequr nga libraritë.
Gazetat skandalistike dhe “normale”, ndërkohë kanë shfryrë kundër poetit akuza deri edhe paradoksale, të gjitha ta paprovuara asnjëherë e sidoqoftë të rreme.

Në vitin 1957, së bashku me Sergio Cittin, që edhe më parë e kishte ndihmuar për të kuptuar deri në palcë gjuhën dhe stilet e jetës së djemve të borgatave romane, bashkëpunon me Fellinin për filmin “Le notti di Cabiria”: kjo shënon edhe futjen e tij në botën e kinematografisë. Katër vjet më vonë do të firmosë subjektin dhe skenarin e filmit të tij të parë me metrazh të shkurtër: “Accattone”.
Nuk është ky vendi për të përshkruar të gjitha etapat e karrierës kinematografike dhe letrare të Pier Paolo Pasolinit, por para se t’i kthehemi vrasjes së tij dhe mistereve të shumta që ende e mbulojnë, ia vlen të përmenden disa nga punimet e tij. Pas romanit të parë, do të shkruajë edhe të tjerë, mes të cilëve, “Una vita violenta a Petrolio” i botuar pas vdekjes dhe i paplotë në vitin 1992. duke folur për këtë roman, në janar të vitit 1972, shkrimtari shpjegonte: “kam filluar këtë libër për të cilin do të më duhet të punoj për vite, ndoshta për gjithë vitet që më kanë mbetur. Nuk dua të them asgjë për të, por mjaft të dihet që është një lloj “përmbledhjeje” e të gjitha përvojave dhe kujtimeve të mia”.

Mes librave me poezi, mjafton të kujtohen “La religione del mio tempo”, “Le ceneri di Gramsci”, “Poesia in forma di rosa” e “Trasumanar e organizzar”.
Të flasësh për filmat e tij është edhe më e ndërlikuar: thuajse asnjë prej tyre nuk u shpëtoi polemikave dhe paditjeve, thuajse gjithnjë me pretekste, nga i pari, për të cilin folëm më lart, deri tek i fundit, “Salò o le 120 giornate di Sodoma”, që u shfaq pas vdekjes së tij dhe pas një sekuestrimi të gjatë. Dhe mes tyre kryevepra si “Teorema”, “Il Vangelo secondo Matteo”, “Uccellacci e uccellini” (me një Totò të përkryer dhe shumë të ndier) e “Il decameron”, sa për të përmendur disa.

Në vitin 1973 nis të shkruajë për “Corriere della Sera”: edhe në këtë rast shkrimet e tij do të pasohen gjithnjë nga polemika të panumërta: nga ai me të cilin kërkon në mënyrë provokuese heqjen e shkollimit të detyrueshëm dhe të televizionit, deri te një nga artikujt e fundit në të cilin, edhe pse e pranonte që i mungonin provat, akuzon klasën drejtuese si përgjegjëse të masakrave që kanë gjakosur vendin nga fundi i viteve gjashtëdhjetë.
Shumë prej këtyre artikujve do të përmblidhen në vëllimin “Scritti corsari”.

Le të kthehemi në natën e dy nëntorit 1975. Pelosi ndalohet teksa është në një veturë Giulietta Alfa Romeo që do të rezultojë pronësi e Pier Paolo Pasolinit; përballë fakteve të pakundërshtueshme do të pranojë që ka vrarë shkrimtarin. E kishte takuar në mbrëmje pranë stacionit Termini dhe pasi kishin darkuar kishin shkuar në vendin ku u gjet kufoma. Pasolini qenka përpjekur për një marrëdhënie seksuale dhe paska reaguar dhunshëm përballë kundërshtimeve të tjetrit. Sipas rrëfimit të Pelosit, kanë nisur një përleshje të egër në fund të së cilës ky ka goditur me shumë dhunë Pasolinin deri sa e ka vrarë.

Në javët në vazhdim Pelosi do të merret në pyetje edhe katër herë të tjera, duke dhënë çdo herë detaje të ndryshme, me qëllim që të zbuste gjithnjë e më shumë përgjegjësitë e tij.
Menjëherë bien në sy disa anomali, edhe makroskopike. Pelosi pohon që ka reaguar ndaj agresioneve të dhunshme të Pasolinit nga të cilat iu desh të mbrohej: trupi i regjisorit, në të vërtetë, është katandisur si mos më keq, krejtësisht i gjakosur. Pasolini është goditur me forcë në kokë (ka një hemoragji cerebrale që nuk mund t’i vihet në ngarkim shtypjes së mëpasshme) dhe në të gjithë trupin; një shkelm në herdhe i ka shkaktuar edhe hemoragji të brendshme gjaku). Ndërsa në çastin e ndalimit nga policia, menjëherë pas ngjarjes, Pelosi ka vetëm disa të gërvishtje e njolla të vogla gjaku.
Pasi ka lënë përtokë Pasolinin, Pelosi merr makinën dhe në largim e sipër kalon mbi trupin e shtrirë në tokë, mesa duket të paktën dy herë. A mund të pranohet që, në gjendje turbullimi mendor, të mos ketë kuptuar se ç’po bënte? Kjo nuk është e qartë, ashtu si nuk është e qartë nëse i riu e njihte edhe para asaj nate poetin apo jo. Ai thotë që e takonte për herë të parë, por gjatë marrjes në pyetje herën e parë flet me ton konfidencial, aq sa e quan edhe Paolo.
Anomalia tjetër, e pasqaruar asnjëherë, ka të bëjë me vetë dinamikën e përleshjes që duhet të ketë ndodhur në hidroskalin e Ostias. Në vitin 1975 Pasolini është 53 vjeç, është në formë të përkryer fizike, dhe duket e pamundur që të jetë mundur keqas nga i riu, që në të vërtetë është i dobët dhe nuk duket aq i fortë fizikisht. Për të mos hipotizuar, siç është bërë nga anë të ndryshme, që të ketë vendosur vullnetarisht të mos mbrohet.

Tjetër gjë mjaft e çuditshme është nxitimi për të mbyllur çështjen gjyqësore lidhur me vrasjen. Në një vend ku kohëzgjatja mesatare proceseve gjyqësore i kapërcen dhjetë vjetët, nga vrasja e Pasolinit dhe sentencës përfundimtare në Gjykatën e Diktimit, kalojnë pak më shumë se tre vjet: në prill të vitit 1976, vetëm katër muaj pas ngjarjes, sentenca e shkallës së parë konsideron Pino Pelosin të fajshëm për vrasje të vullnetshme në bashkëpunim me të panjohur, duke e dënuar me më pak se dhjetë vjet heqje lirie dhe me tridhjetë mijë lireta gjobë.

Në dhjetor të po atij viti, pas vetëm një seance gjyqi, Gjykata e Apelit konfirmon dënimin, por përjashton bashkëpunimin me të panjohur; kjo sentencë do të konfirmohet përfundimisht nga Kasacioni në prill të vitit 1979.

Ajo që nuk u beson aspak tezave të mbrojtura nga Pelosi është e përjavshmja “L’Europeo” që në javët pasrendëse të ngjarjes do të ndjekë një kundër hetim të kujdesshëm e të detajuar, që do të nxjerrë në plan të parë gazetaren Oriana Fallacin. Në numrin e 14 nëntorit 1975 botohet një artikull i saj me titull “Pasolini ucciso da due motociclisti”. Në artikull gazetarja shkruan që Pelosi ka vepruar bashkë me dy tepistë shumë të njohur në botën e drogës dhe që ka një dëshmitar që ndodhej në vendin e ngjarjes për “një kuvend dashuror me një grua që nuk është e shoqja” dhe që ka parë Pasolinin teksa përpiqej të mbrohej. Artikulli mbyllet me pyetjet: “Pse Pelosi nuk flet por mban mbi vete të gjithë përgjegjësinë? Mos vallë është edhe ai i lidhur me botën e drogës? Përse ai vetë ndihmon policinë duke treguar që ka humbur një unazë, që deri atë çast asnjë nuk e dintë që ishte e tija? A është e mundur të humbasësh unazën gjatë një përleshjeje? Apo unaza ëhtë hedhur aty qëllimisht, dhe Pelozi ka folur, duke treguar gjithçka, dhe policia nuk na jep informacion?”

Në një tjetër artikull të disa javëve më vonë, Fallaci do t’i kthehet argumentit duke sqaruar gjithë ç’kishte shkruar më parë dhe duke treguar që ka folur me dëshmitarin: flitet për një të ri në xhiron e prostitucionit të meshkujve, i terrorizuar nga pasojat që mund të ketë pasi të ketë treguar versionin e tij të ngjarjes, version që megjithatë, edhe pse pas shumë këmbënguljesh, konfirmon faktin që atë natë në vendngjarje ndodheshin disa persona dhe dy djem kanë vrarë Pasolinin, duke lënë të kuptohet që Pelosi ka qenë thuajse dëshmitar e një lloj “kokë turku”.

Por në vitet në vazhdim mbi këto gjëra e mbi shumë pika të tjera të errëta të kësaj vrasjeje, asnjë nuk u rikthye më.
Në përfundim mund të thuhet vetëm që Italia, me vdekjen e Pier Paolo Pasolinit, ka humbur një nga intelektualët më të mëdhenj të shekullit XX. Na pëlqen ta kujtojmë me një shprehje të tijën që do të mjaftonte për të larguar çdo dyshim mbi faktin nëse mund të ketë menduar ai të godasë i pari dhe pa arsye Pino Pelosin atë natë mes një e dy nëntorit 1975: “Gjatë gjithë jetës sime nuk kam ushtruar asnjëherë një akt të dhunshëm, as fizik e as moral. Jo pse unë jam fanatik i padhunshmërisë […] Nuk kam ushtruar asnjëherë dhunë gjatë jetës sime, as fizike as morale, vetëm sepse kam patur besim në natyrën time, pra në kulturën time…”

Massimo Canario, botuar në Bota Shqiptare

Pasaportat: “Aplikimi në konsullata mund të nisë nga fundi i vitit”

Kasacioni: “I martuar me italian? I huaji nuk dëbohet edhe nëse çifti nuk bashkëjeton”