Kam paraqitur kërkesë për lejeqëndrimin e parë dhe kam në xhep kuponin postar që më dhanë kur nisa kompletin e formularëve. Dua të di nëse duhet të pres të më japin lejeqëndrimin për mjekun e familjes, punësimin, rezidencën etj?
Kur një qytetar i huaj jokomunitar hyn në Itali me vizë për punë ose për bashkim familjar, që në çastin e paraqitjes së kërkesës për lejen e qëndrimit, fiton të gjitha të drejtat e një të huaji me qëndrim të rregullt në Itali, edhe gjatë periudhës që nuk ka në xhep dokumentin e qëndrimit por vetëm kuponin postar.
Duke qenë se Kuesturat vonojnë shumë trajtimin e kërkesave dhe lëshimin e lejes së qëndrimit (ligji parashikon të lëshohet brenda 20 ditëve!) ministria e Brendshme ka ndërhyrë disa herë në vite me qarkore dhe direktiva për të dhënë udhëzime të sakta në këtë aspekt.
Regjistrimi në zyrat e Gjendjes Civile
Kush është në pritje të lëshimit të lejeqëndrimit të parë për motive pune ose familjare, mund të kërkojë regjistrimin pranë komunës ku është vendosur. Punonjësit të Gjendjes Civile i duhet dhënë një fotokopje e kontratës së qëndrimit e nënshkruar ose e autorizimit të lëshuar nga Sporteli Unik, një fotokopje e vizës së hyrjes dhe një fotokopje e kuponit që dëshmon paraqitjen e kërkesës për lëshimin e lejes së qëndrimit. Kjo sipas qarkores nr. 16 të 2 prillit 2007 dhe qarkores nr. 43 të 2 gushtit 2007.
Regjistrimi në Zyrën e Gjendjes Civile, edhe pse nuk është i detyrueshëm për lëshimin e lejes së qëndrimit, është i rëndësishëm në rast se i huaji një ditë do të dojë të kërkojë shtetësinë italiane. Në këtë rast, një nga kriteret e nevojshme për ta marrë është rezidenca e rregullt në Itali për një periudhë të caktuar kohe.
Regjistrimi në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar (SSN)
Kush është në pritje të lejeqëndrimit të parë për motive pune ose bashkimi familjar ka të drejtë të regjistrohet në SSN e mund të paraqitet në sportelin e Asl-it për të këërkuar lëshimin e librezës shëndetësore. Natyrisht, vlefshmëria e regjistrimit do të kushtëzohet nga lëshimi i lejeqëndrimit.
SSN disiplinohet nga Krahinat, prandaj është e nevojshme që të verifikohet pranë zyrave të Krahinës në të cilën jetohet se cilat janë dokumentet që nevojiten.
Dalja dhe rikthimi në Itali me kuponin postar
Në pritje të lëshimit të lejes së parë të qëndrimit për punë ose bashkim familjar, i huaji mund të shkojë në atdhe e të rikthehet sërish në Itali. Mund të udhëtohet në zonën Schengen vetëm nëse në pasaportë i interesuari ka një vizë të tipit “Schengen uniforme” të vlefshme për të gjithë kohëzgjatjen e udhëtimit, përndryshe duhet pasur kujdes që udhëtimi të jetë i drejtëpërdrejtë, pa ndalesa në vende të tjera të zonës Schengen. Natyrisht, shqiptarët mund të udhëtojnë edhe në Schengen por nëse nuk plotësojnë kushtet e mësipërme duhet të përmbushin kriteret që parashikon lëvizja pa viza, çka do të thotë se atyre mund t’u kërkohet në kufi të tregojnë se kanë para për të mbuluar shpenzimet e ditëve të udhëtimit, të kenë një ftesë apo një rezervim hoteli dhe një sigurim që të mbulojë gjithë kohëzgjatjen e tij.
Avv. Mascia Salvatore/Stranieriinitalia.it
In italiano: Attendo il primo permesso di soggiorno, cosa posso fare col cedolino?
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)