in

Në pritje të Papës. Udhëzimet e Ministrisë së Kulturës për qytetarët

Ministria e Kulturës bëri sot publike detajet dhe mënyrën se si do të jetë e organizuar vizita e Papa Françeskut në Shqipëri, më 21 Shtator 2014, një ditë kjo e veçantë dhe historike për shqiptarët.
Në këtë kontekst është hartuar e vënë në zbatim një plan i posaçëm masash me detyra konkrete për të gjitha strukturat e policisë dhe të gjithë institucionet e përfshira me përgjegjësi për sigurinë e vizitës së Papës në Shqipëri.

Policia e Shtetit do të kalojë në gatishmëri të përforcuar në të gjithë vendin, ndërkohë që 2500 forca policore do të jenë të angazhuara me detyra konkrete për të siguruar mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve të planifikuara. Janë marrë masa të gjithanshme duke nisur nga Pikat e Kalimit Kufitar e deri në brendësi të territorit.

Policia e Shtetit bën me dije publikun se do të ketë kontrolle të shtuara policore në të gjitha akset rrugore, si dhe në të gjitha pikat hyrëse në kryeqytet. Në zonën ku do të zhvillohet aktivitetet e parashikuara në axhendën e vizitës, masat e sigurisë dhe prezenca e punonjësve të Policisë së Shtetit me uniformë dhe civilë, do të jetë maksimale.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit u kërkon të gjithë qytetarëve të kufizojnë në maksimumin e mundshëm lëvizjet me automjetet e tyre në të gjitha akset rrugore të qytetit të Tiranës, si dhe akset që lidhin kryeqytetin me zonat përreth tij gjatë ditës së vizitës së Papës.

Policia do të jetë në gatishmëri të plotë për të shoqëruar të gjitha autoambulancat në rastet e emergjencave shëndetësore.

Lëvizja e automjeteve që do të transportojnë pelegrinët

Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Veriu i Shqipërisë do të devijojnë lëvizjen tek Sheshi Shqiponja përmes Unazës së Re, duke kaluar tek rruga e Kavajës drejt kryqëzimit tek “21 Dhjetori”, ku do të zbresin pelegrinët. Më pas parkimi i autobusëve do të bëhet në Unazën e Re.

Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Jugu i Shqipërisë do të qarkullojnë përmes aksit Plepa- Ndroq-Kombinat, duke kaluar tek rruga e Kavajës drejt kryqëzimit tek “21 Dhjetori„ ku do të zbresin pelegrinët. Më pas parkimi i autobusëve do të bëhet në Unazën e Re.

Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Juglindja e vendit do të kalojnë përmes Unazës së madhe dhe më pas tek Kopshti Zoologjik do të bëhet zbritja e pelegrinëve dhe njëkohësisht parkimi i autobusëve.

Për automjetet me të cilat do të bëhet transporti i personave me aftësi të kufizuar pjesëmarrës në aktivitetet, parkimi i tyre do të bëhet tek Fakulteti Filologjik.

Lëvizja e autobusëve me pelegrinë do të lejohet deri në orën 08:00. Pas orës 08:00 asnjë autobus nuk do të lejohet të hyj në qytet. 

Lëvizja e qytetarëve që do të marrin pjesë në aktivitet 

Në të gjithë perimetrin që rrethon Sheshin Skënderbej, Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe Sheshin Nënë Tereza janë vendosur 27 pika kontrolli, ku do të realizohet kontrolli i të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni me detektor metalesh, lëndësh eksplozive dhe pajisjesh të tjera speciale për kontroll e mbikëqyrje.

U kërkohet të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni që të kalojnë përmes këtyre pikave të kontrollit. Nëse tentojnë të kalojnë jashtë këtyre pikave do të shoqërohen në Komisariatet e policisë.

Personat që do të marrin pjesë në ceremoni me ftesa, bashkëngjitur ftesës duhet të kenë edhe kartën e identitetit. Nga ana e policisë do të bëhet kontrolli me listat përkatëse në pikat e kontrollit dhe nuk do të lejohen personat që nuk kanë kartat e identitetit. Personat që kanë ftesë por nuk do të figurojnë në listat që ka Garda apo Policia e Shtetit në pikat e kontrollit do të shoqërohen në ambientet policore.

Lëvizja drejt Aeroportit të Rinasit dhe fshatit Bubq 

Aksi rrugor në drejtim të Rinasit do të jetë i bllokuar nga ora 08:00 deri në orën 10:30.

Të gjitha akset rrugore në drejtim fshatit Bubq do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në ora 19:00.

Aksi Bubq – Rinas do të jetë i bllokuar nga ora 17:00 deri në 20:30.

Qytetarëve që kanë lëvizje drejt aeroportit u kërkohet që të shfrytëzojnë hapësirat jashtë këtyre harqeve kohore për shkuar në Rinas.

Asistenca mjekësore

Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në Sheshin ”Nënë Tereza”, Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa në mënyrë që qytetarët  të asistohen nga:

Çadra me staf mjekësor të specializuar
15 ambulanca
helikopterë mjekësorë
dy qendra mjekësore të ndihmës së shpejtë do të ngrihen në Pallatin e Kongreseve dhe përgjatë Blv “Dëshmorët e Kombit”
vullnetarë në pikat e ujit përgjatë gjithë kohës së zhvillimit të aktivitetit;
vullnetarë me çanta uji  përgjatë Blv “Dëshmorët e Kombit”;

Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe përreth tij do të  vendosen 60 tualete të lëvizshme, me akses edhe për njerëzit me aftësi të kufizuara.

Vullnetarët, e vendosur përgjatë gjithë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” do t’i identifikoni nga shenjat dalluese (bluza dhe baxha).

Ekrane LIVE

Ardhja, takimet dhe Mesha e shenjtë që do të mbajë Papa Françesku do të transmetohen LIVE në ekrane të vendosur përgjatë gjithë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza” dhe Pallatit të Kongreseve.

Pallati i Kongreseve do të transformohet në një qendër mediatike ku agjencitë ndërkombëtare të medias të akredituara për këtë vizitë do të transmetojnë LIVE vizitën e Papa Françeskut.

Programi i vizitës së Papa Françeskut në Tiranë

Më 21 shtator 2014, ditë e diel, Papa do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit në orën 9.00 ku do të pritet me një ceremoni të veçantë nga Kryeministri shqiptar Edi Rama.

Në orën 9:30, Papa do të pritet nga Presidenti i Republikës.

Në orën 10:00 do të takohet me autoritetet në sallën e pritjes së Presidencës dhe do të ketë një fjalim të Atit të Shenjtë.

Në orën 11:00 do të kremtohet një meshë në sheshin “Nënë Tereza”, shoqëruar nga fjala e Papa Franceskut në fund të saj.

Në orën 13:30, papa do të takohet në një drekë me Ipeshkvinë shqiptare dhe shpurën papnore.

Në orën 16:00, papa do të takohet me krerët e komuniteteve të tjera dhe komuniteteve të krishtera në Universitetin katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe aty do të mbajë një fjalim.

Në orën 17:00 do të ketë një kremtim të lutjes mbrëmesore në katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, ku do të ketë edhe një fjalim të posaçëm.

Në orën 18:30 do të ketë një takim me fëmijët e qendrës “Betania” dhe një përfaqësi të qendrave bamirëse të kishës katolike në Shqipëri.

Në orën 19:45, Papa do të largohet me një ceremoni nga aeroporti “Nënë Tereza”. 

Këshilla për qytetarët që do të marrin pjesë në ceremoni

Qytetarët që do të marrin pjesë në ceremoni të evitojnë veshjet e rënda, pasi nga policia do të ketë kontrolle trupore.

Nuk duhet të kenë me vete çanta shpine apo valixhe të ndryshme.

Të mos mbajnë sende të forta apo objekte të tjera që mund të jenë të dyshimta për forcat e policisë.

Nuk do të lejohet mbajtja e shisheve të qelqit. Rekomandohet përdorimi i shisheve plastike për ujë apo pije të tjera freskuese.

Qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në meshë, duhet të afrohen drejt sheshit para orës 09.00. Pas kësaj ore do të jetë e pamundur hyrja në Sheshin ”Nënë Tereza”. Meshën mund ta ndjekin të gjithë.

Sheshi “Nënë Tereza” është një hapësirë e limituar për arsye sigurie, ku vendi i pjesëmarrjes  do të jetë i përcaktuar nga Kisha dhe autoritetet e protokollit të Shtetit.

Përgjatë Bulevardit mesha mund të ndiqet nëpërmjet ekraneve që transmetojnë direkt.

Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e qetë dhe sigurinë përgjatë gjithë ditës, jo vetëm në zonën e qendrës,  por në të gjitha vendet ku do të zhvillojë takime Papa Françesku.

Për qytetarët janë vënë në dispozicion dy numra:

Numra emergjence:
Telefononi në numrin 129 për të gjitha rastet kur do të konstatohet diçka të dyshimtë.
Telefononi për ndihmë mjekësore në numrin 127 dhe 042222235

Lexo edhe: Papa Françesku në Shqipëri. Ja masat e sigurisë

Papa do të shkojë në Tiranë me një avion të Alitalias

Far West në Milano. Qëllojnë në rrugë: dy të vdekur e një i plagosur