in

Në pritje të qeverisë së re. Çfarë parashikon kushtetuta

Ndërsa qeveria e Sali Berishës po bën tashmë valixhet, ajo socialiste, e drejtuar nga Edi Rama, pret të marrë votëbesimin nga Kuvendi i ri, që do të mblidhet në fillim të javës së ardhshme.

Sipas Kushtetutës (neni 96), Presidenti i Republikës në fillim të legjislaturës së re, emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive që ka shumicën e vendeve në Kuvend. Kryeministri i ri, që nis negociatat me partitë e koalicionet, zgjedh anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar për të siguruar një maxhorancë të sigurtë.

Kryetari i ri i qeverisë, i emëruar sipas Kushtetutës, i paraqet për miratim Kuvendit brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave, së bashku me përbërjen e tij. Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, përbërja e qeverisë votohet e plotë dhe jo e ndarë. Pra, si ministrat, ashtu edhe kryeministri, do të votohen në të njëjtën seancë, ku secili duhet të marrë shumicën e votave nga Kuvendi që të miratohen.

Afatet e propozimit, emërimit dhe votimit të ministrave përcaktohen në nenin 98 të Kushtetutës, sipas së cilës, “ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të kryeministrit brenda 7 ditëve. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi”.

Para fillimit të detyrës, kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës.

Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, ka emëruar tashmë ministrat e tij, dhe ka zhvilluar me ta deri tani dy takime informale, një në Vlorë e tjetrin në Shkodër, ku është diskutuar programi qeverisës, që do t’i paraqitet parlamentit. 

Qeveria Rama është e re në moshë, dhe ajo me më shumë gra në historinë e vendit.

Kabineti Rama do të ketë 21 anëtarë. Lëvizja Socialiste për Integrim përfaqësohet me 5 ministra të cilët do të drejtojnë ministritë e Integrimit, të Drejtësisë, të Bujqësisë, Mjedisit dhe ministrinë e Transporteve dhe Infrastrukturës.

Qeveria e ardhshme
– Kryeministër, Edi Rama
– Zëvendëskryeministër, Niko Peleshi
1. Ministria e Financave, Shkëlqim Cani
 2. Ministria e Brendshme, Sajmir Tahiri
 3.Ministria e Mbrojtjes, Mimi Kodheli 
4. Ministria e Jashtme, Ditmir Bushati 
5. Ministria e Integrimit Europian, Klajda Gjosha
6. Ministria e Drejtësisë, Nasip Naço
7. Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj
8. Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri
9. Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto
10. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni
11. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural e Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti
12. Ministria e Shëndetësisë, Ilir Beqja
13. Ministria e Arsimit dhe e Sportit, Lindita Nikolla
14. Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj
15. Ministria e Mjedisit, Lefter Koka
16. Ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro
17. Ministër Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito
18. Ministër Shteti për Çështjet Vendore, Bledar Cuci
19. Ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi

Lexo edhe: Kuvendi në shifra. Në pritje të çeljes së punimeve

Varese. Arrestohet për dhunë në familje 56-vjeçari

Arrestohen dy vëllezër shqiptarë për vrasjen e Sadik Hajdërit në Piacenza