in

Në Qendrën e Dokumentimit të Arezzos lexon edhe shqip

Nga fillimi i viteve 90, me rritjen e fluksit të emigracionit, vëmendja e Centro Documentazione Città di Arezzo u përqendrua mbi temat e mikpritjes së emigrantëve, shkollimit të fëmijëve të tyre, dhe edukimit ndërkulturor. Aktualisht ka një bibliotekë publike të përbërë prej 17 mijë volumesh me më shumë se 3.500 në gjuhët shqip, arabisht, bangla dhe punjabi.

Në Itali ka shumë qendra interkulturore që merren me temat që kanë të bëjnë më emigracionin, të drejtat e njeriut, zhvillimin e kulturës së paqes, dhe argumente të ngjashme. Në këtë seri artikujsh do të flasim me disa prej tyre që janë dhe më përfaqësueset për nga bagazhi i eksperiencës që përcjellin. Arsyeja tjetër është se në shumicën dërmuese të rasteve, janë pikërisht këto qendra që garantojnë praninë e librave shqip në qytetin ku jetoni e punoni në Itali.
Ju paraqesim Centro Documentazione Città di Arezzo, një eskperiencë më shumë se 20 vjeçare në Arezzo, qytet i krahinës së Toscana -s. Këtë intervistë na e ka lëshuar Lorenzo Luatti, kërkimtar i kësaj qendre dhe autor i shumë librave që kanë të bëjnë me interkulturën.

Zoti Luatti, në radhë të parë doja tu falënderoja që na dhatë mundësinë e kësaj bisede dhe do më pëlqente të më flisnit pak për historinë e Qendrës. Prej sa kohësh ekziston dhe me çfarë merret kryesisht?
Faleminderit juve që nëpërmjet gazetës suaj na jepni mundësinë ti pasqyrojmë shqiptarëve në Itali aktivitetet tona. Centro di Documentazione Cittŕ di Arezzo lind para 25 vitesh, në 1984, nga nisma e disa shoqatave me seli në Arezzo. Fillimisht u mendua si një ambient ku të mblidheshin librat, revistat dhe material dokumentar që kishte të bënte me paqen, të drejtat e njeriut, tematikat e vendeve në zhvillim e sipër etj. Nga fillimi i viteve 90, me rritjen e fluksit të emigracionit, lindën nevoja të reja të lidhura me këtë dhe vëmendja jonë u përqendrua mbi temat e mikpritjes së emigrantëve, shkollimit të fëmijëve të tyre, dhe edukimit ndërkulturor. Rreth këtyre tematikave, prej më shumë se 10 vitesh tani, Qendra është shndërruar në pikë referimi jo vetëm për krahinën ku jetojmë, por në nivel kombëtar. Aktualisht kemi një bibliotekë publike të përbërë prej 17 mijë volumesh me më shumë se 3.500 volume në gjuhët shqip, arabisht, bangla dhe punjabi.

Kur keni filluar të merreni me bibliotekat të pajisura me libra në gjuhë të ndryshme dhe çfarë ju ka shtyrë në këtë drejtim?
Në vitin 2003, falë projektit “Bibliomigrans”, lind biblioteka e parë shumëgjuhëshe në Arezzo. Ka qenë një zhvillim i aktiviteteve tona. E konsideronim si shumë të rëndësishëm faktin e të dhënit të disa mundësive kulturore më shumë emigrantëve. Në specifik, një nga këto mundësi kulturore ishte dhe fakti që një emigrant të mund të gjej në bibliotekën e qytetit ku jeton një libër në gjuhën e tij, Në projektin e lartpërmendur janë angazhuar 5 biblioteka publike të provincës së Arezzo-s, me të cilat kemi eksperimentuar një shërbim të “një rafti lëvizës”; në mënyrë periodike Qendra u ka dërguar këtyre bibliotekave 40 – 50 libra në gjuhë të ndryshme, duke bërë të mundur që librat të arrinin dhe në vende të vogla.

Këto nisma kanë pasur sukses ndërmjet popullsisë së huaj që banon këtu?
Në fillim na u duk sikur të gjitha përpjekjet tona po venin dëm. Kishim libra për të rritur, për fëmijë, të të gjitha llojeve. Nuk ishte e lehtë të depërtonim për të treguar pasurinë e librave që dispononim. Sot gjërat venë më mirë, falë dhe krijimit të një strukture që quhet “Polo Regionale di Documentazione Interculturale”. Kemi pasur sukses dhe duke nxjerrë librat nga bibliotekat dhe duke i çuar nëpër vende që zakonisht frekuentohen nga të huajt. Mund të themi se sot kemi një fluks të kënaqshëm të huajsh që vijnë në bibliotekë, ndër ta shumë shqiptarë.

Cilat janë pikat që duhen përforcuar në këtë lloj shërbimi sipas jush?
Ka me siguri akoma shumë për të bërë, që të njihen sa më shumë me shërbimin e librave në gjuhë të huaj dhe promovimin e bibliotekës si vend takimi. Ndoshta duhet të punojmë më shumë me angazhimin e komuniteteve të huaja në fazën e projektimit dhe administrimit të këtyre shërbimeve; duhet një raport i barabartë ku të gjithë të jenë protagonistë dhe jo vetëm spektatorë. Një tjetë aspekt që duhet përforcuar është komunikimi, edhe pse nuk është i mjaftueshëm. Mendojmë se një gjë shumë efikase do të ishte organizimi i takimeve kulturore të komuniteteve të huaja në ambientet e bibliotekës. Kjo me siguri do ndihmonte për një njohje reciproke sa më të mirë.

Çfarë këshille do mund t’i jepnit një shqiptari që jeton në Itali përsa i përket mundësisë që të ketë në dispozicion libra në gjuhën mëmë? Mund ti kërkojë në bibliotekën komunale të vendit ku jeton?
Tashmë gjithnjë e më shumë biblioteka janë të pajisur me libra shqip, edhe pse në shumë raste me një numër të kufizuar. Shpesh herë në fakt shumë biblioteka i janë përgjigjur në mënyrë amatoriale nevojave të shprehura nga të huajt, duke mos pasur shumë kujdes në përzgjedhjen e titujve. Këshilla që unë jap është që të drejtohen te biblioteka komunale më e afërt dhe të kërkojnë librin shqip. Do të shihni që edhe nëse biblioteka nuk ka të tillë, do të bëjnë të pamundur që të kënaqin kërkesat tuaja. Nëse banoni në Toscana është disi më e thjeshtë, pasi biblioteka  mund ti drejtohet Polo Regionale Interculturale, që mund të pajisi bibliotekën me librat e kërkuar. Pra me pak fjalë, nëse bibliotekat shikojnë që ka interes për të lexuar librin shqip, me siguri do pajisen me këtë lloj libri.

Zoti Luatti ju urojmë punë të mbarë dhe ju falenderojmë sërish për intervistën.
Faleminderit gazetës suaj që na jep mundësinë të flasim me komunitetin shqiptar.

librialbanesi.it

Centro di Documentazione Città di Arezzo

www.cddarezzo.org
info@cddarezzo.org
Via Masaccio, 6/A
52100 Arezzo
Tel. 0575.902488

Kur ne italianët dëgjonim Radio Tiranën

Orienti te derë e shtëpisë/3