in

Ne, rondelet e botës

U shtanga kur Erion Veliaj u shpreh se më mirë të jetë motor në fshatin e tij, sesa një rondele në qytetin e dikujt tjetër. Ndoshta dëshira për të treguar që ka një heroizëm në të kthyerin në Shqipëri, kur mund t’i kesh pasur të gjitha në terezi jashtë vendit, e çoi Erionin në një krahasim të tillë. Por askush nuk e ka aq në terezi kur lë Shqipërinë. Është po aq heroizëm të ikësh, sa edhe të kthehesh. Nuk ka kandar që i peshon vuajtjet, brengat dhe dilemat e atyre që ikin, po aq sa nuk peshohen vuajtjet, dilemat dhe brengat e atyre që vendosin të rrinë.
Nga Mimoza Dervishi

Unë dua që Erion Veliaj të jetë kryetari i Bashkisë së Tiranës në 22 Qershor dhe besoj se do të jetë. Jo vetëm pse është kandidati më i mirë në garë, por sepse në këto kohë kur Tirana kërkon një menaxher, Erioni është i duhuri. E njoh personalisht dhe me pak përpjekje dypalëshe, mund ta quajmë njëri ­tjetrin dhe miq. Nga ata miq që kur i bie radha të vijë në Uashington nuk harron të të kujtojë. Ka një veti të rrallë që mungon mes politikanësh shqiptarë: të dëgjon! Dhe ai politikan që dëgjon, di të zgjidhë dhe halle. Ka dhe një sërë vetish të tjera, por ky nuk është një portret për Erionin. Është një shqetësim dashamirës, që shkon jo vetëm për të, por për të gjithë ata që janë në pushtet. Quhet thjesht rreziku i kalimit në arrogancë. Deri tani ai ka arritur vetë aty ku është dhe ka bërë gjëra që kanë lënë një shenjë. Është shumë më tepër se ç’mund të kenë bërë shumë politikanë të mbledhur së bashku, në kushedi sa vite po të mbledhura së bashku.

Megjithëse e njoh, e dëgjova me kureshtje intervistën e sinqertë me Blendi Fevziun dhe s’mund të them gjë tjetër, veçse Erioni është një histori tipike shqiptare. Ai nuk ka nevojë të përpiqet të afrohet me shtresat e ndryshme të shoqërisë shqiptare, sepse ka kaluar pothuajse nëpër të gjitha këto shtresa. U përlota për rrugëtimin e tij me dajën në një moshë fare të vogël përmes kufirit grek. Jo aq për Erionin, por për tim vëlla, që ka një histori të ngjashme. Kam veçse respektin më të madh për gjithë sakrificat dhe punërat që i janë dashur të bëjë, disa prej të cilave mund të jenë fare ngjashëm dhe punët e mia, që në moshë fare të vogël. Më vjen mirë që Erioni u kthye në Atdhe për t’i shërbyer Atdheut kur shumë, ku futem dhe unë, nuk ia dolëm dot të kthehemi plotësisht mbrapsht. Por…u shtanga kur ai u shpreh se më mirë të jetë motor në fshatin e tij, sesa një rondele në qytetin e dikujt tjetër. Dikush guxoi të artikuloi cili është vendi im në shoqërinë ku jetoj!!! Një rondele! It’s not fair!

Ime bijë thotë që unë jam personi më i rëndësishëm në botë dhe mua kaq më mjafton. Jetoj në qytetin ku më kanë lindur fëmijët, i cili para se të jetë i dikujt tjetër, është i fëmijëve të mi. Mendoj se jam një motor për familjen time, që fëmijët e mi nesër të jenë motor për shoqërinë ku jetojnë. Me vajzën përdore do dalë në fushatë, që një grua të zgjidhet presidente, që nesër vajza ime ta ketë këtë mundësi. Jam munduar ta kthej në përfitim për vete dhe familjen, faktin që vij nga një vend tjetër, duke shpresuar se po i jap fëmijëve më të mirat e të dy botëve. Atdheu im është Atdheu i tyre dhe kjo vetëm me gjeografinë nuk ka lidhje. Nuk ka qenë e lehtë për të ardhur deri këtu.

Por në fund të fundit zgjedhjet janë individuale, ëndrrat po kaq individuale. Jo të gjithë po të kthehemi në Shqipëri, marramendësh, në kufijtë e dy vjetëve mund të bëhemi, deputetë, ministra dhe në rrugë e sipër për kryetarë bashkish. Jo domosdoshmërisht kjo trajektore, të bën më të rëndësishëm se gjithkush rrotull dhe jo domosdoshmërisht, këto duhet të jenë ëndrrat e të gjithëve. Unë e lashë Shqipërinë 15 vjet më parë, për një mijë e një arsye, që janë dhe arsyet e të gjithëve. E lashë edhe për atë rondelen e vogël, por për mua shumë të rëndësishme në mekanizmin e jetës, që quhet liri e shprehjes. E kam përdorur sa kam mundur dhe kur kam mundur, qoftë edhe që Erioni të jetë në pushtet sot. Dhe për këtë jam veçse e lumtur. Shqipëria sot është një histori e gjallë emigracioni dhe jam e sigurt që gjatë kohës që Erioni fliste e tregonte, disa dhjetra, në mos më shumë njomëzakë, duke shtrënguar duart e dajallarëve a prindërve të tyre, po bënin rrugëtimin e Erionit 11 vjeçar. Secili për arsyet e veta, me një dëshirë të përbashkët, për të ikur nga sytë­këmbët. Imagjinoni përveç diskriminimit, që kush është emigrant nuk ka nevojë për ndihmën time t’ua shpjegoj, të quhesh dhe rondele nga bashkëkombas të tu, aspirantë për ta shndërruar Shqipërinë në një vend më të mirë, në një botë më të pranueshme, më të jetueshme. Jam e bindur që Erioni nuk e ka patur në konotacion ofendues, por dua t’i them që ashtu tingëllon. Ndoshta dëshira për të treguar që ka një heroizëm në të kthyerin në Shqipëri, kur mund t’i kesh pasur të gjitha në terezi jashtë vendit, e çoi në një krahasim të tillë. Por më lejoni t’ju tregoj, që askush, nuk e ka aq në terezi kur lë Shqipërinë. Është po aq heroizëm të ikësh, sa edhe të kthehesh. Nuk ka kandar që i peshon vuajtjet, brengat dhe dilemat e atyre që ikin, po aq sa nuk peshohen vuajtjet, dilemat dhe brengat e atyre që vendosin të rrinë. Shkurt është një kurth, i lashtë sa bota për ne shqiptarët, që nuk përkufizohet dot me një fjali. Nuk është kaq e thjeshtë sa në shprehjen që Erioni perifrazoi me rondele dhe motorë, me të parin e fshatit dhe të fundin e qytetit. Kjo përveçse banale, është dhe tipike ballkanase e shekullit të kaluar. Në një botë të lirë, secili zgjedh vetë fshatin dhe qytetin e tij, rrugët që do të shkeli dhe ajrin që do të thithë. Shqiptarët e mirë dhe të vuajtur të emigracionit, ata që quhen brezi i parë i emigrantëve, mund dhe mos ia dalin aty ku ata do dëshironin në nivel personal, por janë të sigurt, se fëmijët e tyre do t’ia dalin dhe për këtë arsye e venë kokën të qetë në jastëk. Rritja e qytetarëve të ardhshëm dinjitozë për shoqërinë globale ku jetojmë, është gjithashtu një shërbim ndaj Atdheut dhe një mision global patriotik.

Gjjthkush mund të më thotë se nuk mund të kritikosh përveçse një fjalë. Por unë them se për ata që i njohin mirë marrëdhëniet publike dhe për Erionin që është nga më të mirët në këtë fushë, një fjalë e vetme ndonjëherë zhbën gjithçka. Mitt Romney humbi zgjedhjet e jetës, pse përjashtoi me një të rënë të lapsit 48% të amerikanëve, të cilët ia kthyen mbrapsh duke mos e votuar. Emigrantët shqiptarë sigurisht nuk votojnë dot, edhe megjithë përpjekjet e Erionit që vota e tyre të llogaritej, ashtu siç u llogaritën paratë që sjellin në Atdhe. Ata nuk do japin dot votën për Erionin në Tiranë, por jam e sigurt që shumë prej tyre me zemër do jenë aty. Në fund të fundit Tirana është qyteti i të gjithëve, brenda atij qytetit të vogël që secili ka zgjedhur të jetojë. Eshtë një simbol i shqiptarisë dhe një copë tokë që shqiptarët kudo që të jenë rrotull këtij globi, do ta duan gjithë jetën. Erioni sot ndjehet një motor që ka në dorë ta ndryshojë e ta bëjë më të dashur këtë qytet, dhe në mos pastë mundësi të na kthejë mbrapsh ne rondeleve të botës, shpresoj që do bëjë ç’është e mundur të ndalojë rrjedhjen e rondeleve të reja. Në fund të fundit, rondelet janë të vogla, në dukje grimca të parëndësishme, por nëse rrjedhin me shumicë, motori, ai i fuqishmi dhe shumë i rëndësishmi, pushon së funksionuari.

Gazeta TemA

Punonjësit sezonalë. Ja si përgatiten kërkesat për flukset 2015

Saviano: “Historia e Klodian Elezit, një prej qindra imigrantëve të kantiereve të EXPO-së”