in

Në Shqipëri me Albanian Airlines. Sa valixhe mund të marr me vete?

Këtë verë Albanian Airlines ofron në Itali fluturime nga e për Torino, Verona, Milano, Bologna, Piza. Edhe me këtë kompani është e përcaktuar sasia e bagazhit që mund të merrni me vete, pa paguar tarifë shtesë mbi çmimin e biletës.

Me biletën e klasës ekonomike është paguar edhe për maksimumi 20 kg mall për në hambar,  të ndarë në maksimumi dy valixhe me shumë të përmasave 138 cm. Ndërsa në kabinë mund të merret  një bagazh me peshë jo më shumë se 8 kg, me përmasa maksimale 50 x 37 x 25 cm.

Për bagazhin mbi sasinë e mësipërme parashikohet pagesa prej 3 eurosh për kg.

Shoqëria Albanian Airlines, në “kushtet e udhëtimit” parashikon që për transporte sasish të mëdha, “mbi 100 kg bagazh shtesë dhe/ose artikuj të tjerë (si biçikleta ose karroca invalidësh), duhet të njoftohet përpara. Në rast se ju nuk njoftoni, kompania rezervon të drejtën të refuzojë transportin e bagazheve dhe/ose artikujve shtesë. Çdo bagazh shtesë që dëshirohet të transportohet si  mall duhet të dorëzohet, të paktën 24 orë përpara kontrollit të pranimit për fluturim”.

Nuk mund të merren në fluturim, ashtu si as me kompanitë e tjera të fluturimit, “artikuj të cilët mund të rrezikojnë avionin, personat apo pronën në bord të avionit, përfshirë ato artikuj që specifikohen në Udhëzimet Teknike për Transportin e Sigurt me ajër të Mallrave të Rrezikshëm të Organizates Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), Rregulloreve të Mallrave të Rrezikshme të Organizatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA); artikuj, transporti i të cilëve është i ndaluar nga ligjet dhe rregulloret në fuqi në vendin e nisjes dhe në atë të destinacionit.

Kompania mund të mos lejojë imbarkimin e artikujve të cilët në mënyrë të arsyeshme konsiderohen të jenë të papërshtatshëm për transport pasi janë të rrezikshëm ose të pasigurt për shkak të peshës së tyre, përmasave, formës ose natyrës, ose që mund të prishen, ose për shkak se janë të thyeshëm për tipin e avionit ku do të transportohen. Albanian Airlines këshillon që në bagazhin e hambarit të mos vendosen para, bizhuteri, metale të çmuara, kompjuterë, pajisje elektronike personale, letra me vlerë, materiale te tjera me vlerë, dokumente pune, pasaporta dhe dokumente të tjera identifikimi.

Për objekte delikate, jo të përshtatshme për në stivë, si veglat muzikore, kompania lejon mbajtjen e tyre në kabinë, kundrejt një tarife të veçantë, me kusht që të lajmërohet më parë dhe kompania të ketë dhënë shprehimisht leje.

Armët e zjarrit dhe municionet ose armët e tjera përveç atyre të gjahut dhe atyre sportive janë të ndaluara të transportohen si bagazh. Armët e zjarrit dhe municionet për gjueti dhe sport mund të pranohen vetëm si bagazh hambari. Armët e zjarrit duhet të jenë të pambushura, me siguresën e vënë dhe të paketuara në mënyrë të përshtatshme. Transporti i municioneve bëhet sipas rregulloreve të ICAO-s dhe IATA-s. Për armët e zjarrit duhet mbajtur me vete leja e mbajtjes së armëve, në rast të kundërt kompania mund të refuzojë transportimin e tyre.

Për transportin e kafshëve, duhet të jenë të  futur në kafazë të përshtatshëm dhe të shoqëruar nga certifikata të rregullta të shëndetit dhe të vaksinimit, lejet e hyrjes dhe dokumente të tjera të kërkuara nga vendet e hyrjes ose transitit.  Çdo kafshë, që kompania pranon si bagazh, së bashku me kafazin dhe ushqimin e tij, nuk do të përfshihet në bagazhin e lejuar pa pagese, por do te konsiderohet si bagazh shtesë, për të cilin duhet paguar tarifa e veçantë.

Ndërhyrjet e NATO-s në Serbi, ndër “arsyet” e përbindëshit norvegjez

ASAT. Udhërrëfyes për shqiptarët që vendosin të studiojnë në Trieste