Hidhen në treg në gjuhën shqipe tre libra të Irma Kurtit
Janë tre botime në zhanre të ndryshme, ato që Irma Kurti sjell për lexuesin shqiptar: “Një vjeshtë pa kthim”, tregime, “Nën bluzën time”, poezi dhe “Copëza shënimesh nëpër rrugët e shkreta”, publicistikë. Dy librat e parë janë botime të shtëpisë Dudaj, ndërsa më i fundit publikohet nga Botimet Morava.
“Një vjeshtë pa kthim” u botua fillimisht në gjuhën italiane në 2012 me titullin “Un autunno senza ritorno”. Ai është vlerësuar me çmimin e dytë në Konkursin e 26-të Ndërkombëtar “Giovanni Gronchi 2012” në Pontedera, Pisa e me çmimin e tretë në Konkursin e XIV Ndërkombëtar “Europa” 2013 në Lugano, Zvicër.
“Nën bluzën time” titullohej poezia e Irma Kurtit që në 2011 u nderua me çmim të parë në Konkursin “Napoli Cultural Classic” në kategorinë e autorëve të huaj, në Itali. Kurse tanimë ajo i jep titullin përmbledhjes së re poetike të autores, vargjeve që i kushtohen shpirtit, dashurisë, gëzimit, dhimbjes e shqetësimeve të kohës. “Copëza shënimesh nëpër rrugët e shkreta” përmbledh artikuj të shkëputur nga gazeta të ndryshme gjatë periudhës kur Irma Kurti ka punuar si gazetare.
Irma Kurtinjihet nga publiku i gjerë edhe si krijuese e teksteve të këngëve në festivale në RTSh e koncerte pranvere. Shumë prej kompozimeve që mbajnë vargjet e saj janë nderuar me çmime e preferohen ende nga dashamirësit e muzikës së lehtë.
Librat e rinj të Irma Kurtit vijnë pas pesë përmbledhjeve poetike si dhe romanit të saj autobiografik: “Midis dy brigjeve” i vlerësuar me çmim të parë në Konkursin “Lago Gerundo – Europa e Cultura” 2011, në qytetin Paullo, Milano. Kurti ka botuar në gjuhën italiane: “Tra le due rive” (Midis dy brigjeve), “Risvegliare un amore spento” (Të zgjosh një dashuri të shuar -poezi), si dhe përmbledhja me tregime: “Un autunno senza ritorno” (Një vjeshtë pa kthim).
“Një vjeshtë pa kthim” – tregime
Shtëpia Botuese Dudaj
www.botimedudaj.com
192 faqe, çmimi 500 lekë/4 euro
“Nën bluzën time” – poezi
Shtëpia Botuese Dudaj
www.botimedudaj.com
120 faqe, çmimi: 700 lekë/6 euro
“Copëza shënimesh nëpër rrugët e shkreta” – Publicistikë
Botimet Morava 166 faqe
Çmimi: 500 lekë
Lexo edhe: Poezia, loja e magjishme e Irma Kurtit