in

Romë. Shqipëria sërish në Mundialido, turneun e futbollit për të huajt

Ceremonia e hapjes së edizionit XV të turneut të futbollit për komunitetet e të huajve mbahet të shtunën më 25 maj në qendrën sportive Atletico 2000 (Via di Centocelle, 100)

Romë, 21 maj 2013 – Edicioni i 15-të i Mundialido-s, turneu i futbollit të komuniteteve të huaja, të  Romës, për të dytin vit, do të ketë mes pjesëmarrësve edhe një “kombëtare” shqiptare. Ceremonia e hapjes do të mbahet të shtunën më 25 maj pranë qendrës sportive Atletico 2000 në rrugën Centocelle 100, ku do të luhen të gjitha ndeshjet e turneut të këtij viti.

Skuadrat pjesëmarrëse të këtij edicioni janë 24: nga kombëtarja e Japonisë te ajo e Ekuadorit, nga skuadra e Irlandës së Veriut te ajo e Kepit të Gjelbër, të ndara në gjashtë grupe:

Grupi A: Rumania, Italia, Japonia, Shqipëria
Grupi B: Perù, Irlanda e Veriut, Kolumbia, Rusia
Grupi C: Moldavia, Kongo, Etiopia, Maroku
Grupi D: Nigeria, Spanja, Bangladeshi, Pa Kufij
Grupi E: Kepi i Gjelbër, Afganistani, Ukraina, Senegali
Grupi F: Ekuadori, Polonia, Paraguaji, Përfaqësia Rom.

Grupi i shqiptarëve përbëhet të rinj që luajnë futboll për pasion, pa qenë profesionistë. Ashtu si vitin e shkuar, janë mbledhur me iniciativën e Aldo Dodës, që ka mbaruar studimet e vazhdon doktoraturën në La Sapienza në “Ordine Internazionale e Diritti Umani”. Të rinjtë e skuadrës shqiptare janë kryesisht studentë, si Taulant Pupa, Alban Qose, Zamir Bregasi etj. Mes tyre ka edhe shqiptarë nga Maqedonia si Avzi Azizi apo Mustaf Tahiri. Madje në përfaqësinë shqiptare ka edhe një italian, Federico Sinagra, që me të rinjtë e grupit e bashkon qoftë miqësia qoftë dashuria për futbollin.

“Do të përpiqemi që këtë radhë të luajmë më mirë se vjet e të arrijmë rezultate. Por në fund të fundit, Mundialido-n nuk është vetëm garë por edhe një çast dëfrimi e njohjeje me komunitetet e tjera” – thotë i qeshur Aldo Doda. E di mirë se disa prej skuadrave pjesëmarrësë janë shumë të përgatitura, ndaj shton: “Grupi ynë nuk është i lehtë. Rumania, për shembull, është skuadra kampione e vitit 2012, madje në dhjetë edicionet e fundit ka fituar katër herë titullin. Japonia është veterane e turneut, ka marrë pjesë në 12 edicione. Por ne do të japim maksimumin”.

Mundialido është projekt i lindur në vitin 1999. Duke u bazuar në sharmin e popullaritetin e futbollit, turneu është një rast i mirë për promovimin e bashkëjetesës mes komuniteteve të ndryshme të pranishme në kryeqytetin italian. “Mundialido ka për qëllim të favorizojë vlerat e përbashkëta, integrimin shoqëror, duke i kthyer të huajt në protagonistë të një iniciative unike” lexohet mes të tjerash në faqet on line të aktivitetit.

Shqiptari i Italisë

Cittadinanza. Anche questa volta una battaglia persa?

“Nën bluzën time” – Shpirti i trazuar i Irma Kurtit