Sekretarja e shtetit për imigracionin në Mbretërinë e Belgjikës De Block në Shkodër: “Belgjika ofron mikpritjen e saj për ata që kanë nevojë, por kur vërehen abuzime, ka procedura shumë të shkurtra, mes të cilave përfshihet edhe kthimi mbrapa”
Sekretarja e shtetit për imigracionin të Belgjikës ka thënë se janë shtuar veçanërisht kërkesat e azilit që kanë si arsye gjakmarrjen dhe kërkoi që shteti shqiptar të luftojë rastet e abuzimeve me dokumentet e falsifikuara.
“Në Belgjikë kemi marrë shpesh masa gjatë muajve të fundit. Më e rëndësishmja është vendosja e Shqipërisë në listën e vendeve të sigurta, gjë që do të thotë se kërkesat për azil trajtohen në një kohë më të shkurtër, rreth 15 ditë. Është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe qytetarët e saj e drejta për lëvizjen e lirë në zonën Shengen, por është po aq e rëndësishme që qytetarët të mos abuzojnë. Ndaj është në të mirë të dy vendeve lufta kundër çdo abuzimi, për të mos lejuar marrjen e dokumenteve të falsifikuara, për të mos lëshuar vërtetime të rreme përsa i përket gjakmarrjes. Belgjika ofron mikpritjen e saj për ata që kanë nevojë, por kur vërehen abuzime, ka procedura shumë të shkurtra, mes të cilave përfshihet edhe kthimi mbrapa” ka vazhduar ajo.
Sekretarja e shtetit belg për imigracionin vlerësoi punën e autoriteteve shqiptare për ndalimin e dokumenteve të falsifikuara si dhe për masat e marra ndaj disa autoriteteve vendore dhe përfaqësuesve të shoqatave që merren me fenomenin e gjakmarrjes. Sidoqoftë ajo shtoi se njerëzit janë të prirë të gjejnë mënyra të reja, ndaj bëri thirrje për vazhdimin e bashkëpunimit me autoritetet shqiptare për të forcuar masat për parandalimin e rasteve abuzive për kërkim të strehimit në Belgjikë.
Edhe vitin e kaluar, Drejtori i Përgjithshëm i Emigracionit i Belgjikës, Roosemont, ishte në Shkodër për të takuar autoritetet lokale. Edhe ai, përveçse paralajmëroi se kërkesat për azil do të vënë në rrezik heqjen e vizave për të gjithë shtetasit shqiptarë, u kërkoi ndihmë autoriteteve shqiptare për ndalimin e kësaj dukurie.